E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria "dhuron" pasaporta shërbimi për gjykatësit e Shkallës së Parë

 

TIRANE - Qeveria pajis gjykatësit me pasaporta jeshile. Vendimi është marrë ditën e djeshme, kur me propozim të Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u vendos që 270 gjykatësit shqiptarë, të Faktit dhe Apelit të pajisen me pasaporta diplomatike dhe shërbimi. Në fakt, kjo kërkesë është paraqitur pak muaj më parë nga Unioni i Gjyqtarëve Shqiptarë. Ministria e Drejtësisë pohoi zyrtarisht dje se ishte iniciativë e kreut të këtij institucioni, pas të cilës, qeveria miratoi ndryshime në një vendim të 11 viteve më parë "Për lëshimin e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit". Sipas tyre, falë vendimit të djeshëm pritet të pajisen për herë të parë me pasaportë shërbimi 270 togat e zeza që gjykojnë në Shkallën e Parë nëpër rrethe gjyqësore dhe Krimet e Rënda, ndërsa kolegët e tyre të Apeleve ishin pajisur me të njëjtat pasaporta që prej vitit 2000. Po kështu, anëtarët e Gjykatës së Lartë posedonin pasaporta diplomatike prej shumë kohësh, kurse gjyqtarët e Faktit nuk e gëzonin këtë benefic. Sipas Ministrisë së Drejtësisë, lëshimi i pasaportave të shërbimit për togat e zeza, sjell lehtësimin e procedurës dhe shkurtimin e kohës së pajisjes së tyre me viza. "Ky hap jo vetëm që do të përmirësojë statusin e gjyqtarëve, por do të ndikojë pozitivisht edhe në realizimin në kohë dhe me profesionalizëm të detyrave të tyre", thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa në relacionin e Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, për këtë vendim pohohet se është shumë e nevojshme që gjyqtarët e të gjitha shkallëve të sistemit gjyqësor të jenë pajisur me pasaporta shërbimi sepse një gjë e tillë do të lehtësonte shumë pjesëmarrjen e tyre në seminare ndërkombëtare dhe takime pune jashtë vendit. Kjo do t'i shërbente shkëmbimit të eksperiencave dhe rritjes profesionale të gjyqtarëve, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe përmirësimin e imazhit të sistemit gjyqësor. Gjithashtu në relacionin e Bashës pohohet se me këtë ndryshim synohet që të pajisen me pasaportë shërbimi togat e zeza të Faktit, gjë e cila do të ishte në përputhje me statusin e tyre. "Duke pasur parasysh se me pasaporta shërbimi janë pajisur një kategori e gjerë punonjësish, ku përfshihen drejtorë drejtorish në institucione të ndryshme, jemi të mendimit se edhe gjykatësit e Faktit duhet të përfshihen në këtë kategori", përfundon Basha.           fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›