E Diel, 1 Nëntor 2026

Peqin, dërgonte drogë tek i biri në burg, arrestohet nëna 62-vjeçare

 

TIRANE - Arrestohet nëna që dërgonte drogë në qelinë e të birit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në burgun Peqinit, ndërsa është vënë në pranga e moshuara Pavlina Metani, nga Cërriku. Burime nga burgu pohojnë se Metani, 62 vjeç, është prangosur teksa kontrollorët kishin gjetur mes teshave që i dërgonte të birit një sasi lënde bimore, e tharë, me ngjyrë të jeshile, dhe e paketuar në një qese të vogël, të tejdukshme. Paraprakisht kontrollorët kanë menduar se ajo kishte cilësi të lëndës narkotike, kanabis sativa, dhe për këtë shkak kanë njoftuar sektorin e policisë së burgut. Pas kësaj është njoftuar Komisariati i Policisë së Peqinit, efektivë të kriminalistikës të cilët kanë marrë provat në vendngjarje dhe kanë shoqëruar të moshuarën për ta marrë në pyetje. Gjatë ditës së sotme pritet që të vendoset nëse e moshuara do të hetohet në gjendje të lord për shkak të moshës, apo do të dërgohet në Gjykatën e Elbasanit për masë sigurie. Pavlina Metani ishte paraqitur mëngjesin e djeshëm në burgun e Peqinit për të takuar të birin, Ndriçim Metani, i cili ndodhet në qeli prej pesë vitesh, i arrestuar për përdhunimin me pasojë vdekjen të fqinjës së vet 67-vjeçare, vepër penale të cilën e ka kryer në bashkëpunim me tre persona të tjerë.             f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›