E Diel, 1 Nëntor 2026

Menaxheri i lokalit me muzikë tallava arrestohet për kokainë

 

TIRANE- Bllokohet një sasi kokaine në kryeqytet, policia arreston menaxherin e një lokali, ku shpërndahej lënda narkotike. Bashkë me "biznesmenin", agjentët e antidrogës prangosin edhe furnitorin e kokainës. Roland Agalliu, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Ylli Midha, 27 vjeç, nga Burreli dhe banues në Tiranë, i dënuar për "vjedhje", janë arrestuar me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të dy personat janë vendosur në pranga në momentin e shkëmbimit të lëndës narkotike, në kryqëzimin e rrugës "4 Shkurti" me "Brigada VIII". Të dyshuarit mësohet se ishin nën vëzhgimin e policisë prej disa javësh, ndërsa ishin identifikuar si shpërndarës dhe shitës të lëndës së fortë narkotike, kokainë. Në momentin e arrestimit atyre u është gjetur nga agjentët e policisë një sasi prej 1 gram kokainë e paketuar dhe një sasi prej 5 mijë lekë të reja. Në këtë moment, policia ka ndaluar Ylli Midhën, i cili sipas burimeve punonte si menaxher në një lokal që organizonte festa me muzikë tallava. Veç menaxherit të lokalit, sipas burimeve të policisë ai dyshohet se ishte edhe "menaxher" në këtë linjë të shitjes e shpërndarjes së drogës së fortë. Personi tjetër sipas burimeve të policisë me banim në rrugën "Komuna e Parisit", është identifikuar prej hetuesve si furnitor i "menaxherit". Pas bllokimit të sasisë së kokainës që personat mbanin me vete në momentin e ndalimit, policia ka kryer kontrolle banesash dhe ka gjetur në shtëpitë e të arrestuarve edhe një sasi tjetër prej 20 gramë kokainë. Po kështu hetuesit kanë bllokuar edhe një peshore elektronike, e cila shërbente për ndarjen e kokainës. Sipas hetuesve, çdo dozë ndahej përafërsisht me 1 gram secila dhe çmimi zakonisht ishte në 7 mijë lekë të reja. Në lokalin ku punonte Midha, mësohet se aty ai merrte porositë e personave të ndryshëm që vinin ta kërkonin. Pasi shënonte porosinë, "menaxheri" mësohet se caktonte çmimin, afërsisht 7 mijë lekë të reja për çdo dozë. Hetuesit mësohet se kishin më tepër se dy javë që vëzhgonin personat e arrestuar me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim. Sipas të njëjtave burime, agjentët e Antidrogës, tashmë kanë edhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë rrjet trafiku.                                  d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›