E Diel, 1 Nëntor 2026

Rriten 50% pagat e gjyqësorit

 

Fatos Mahmutaj

Rriten me rreth 50 % pagat e administratës së gjyqësorit. Me anë të një vendimi të djeshëm, Këshilli i Ministrave ka miratuar rritje të konsiderueshme të pagave të administratës së sistemit gjyqësor, të cilët pritet që duke filluar nga ky muaj, të përfitojnë rreth gjysmë page më tepër. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Drejtësisë pohoi dje se me iniciativë të kreut të këtij institucioni, Enkelejd Alibeaj, qeveria vendosi miratimin e strukturës dhe të nivelit të pagave të punonjësve të administratës së gjyqësore, të dy shkallëve të para. Sipas tyre, vendimi u ndërmor në kuadër të ndryshimeve tërësore në legjislacionin e sistemit gjyqësor në vend, me qëllim reformimin e këtij sistemi. Ndërkohë, administrata e këtij sistemi nuk ka pësuar reformë në paga për një periudhë të gjatë kohore. "Në këtë mënyrë nivelet e pagave në këtë administratë nuk krijojnë një motivim në punë të specialistëve, e drejtuesve të tyre, gjë e cila ka ndikuar në realizimin në kohë e në cilësi të detyrave", pohojnë burime zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas vendimit të qeverisë, nga miratimi i strukturës dhe niveleve të pagave të punonjësve të administratës gjyqësore në mënyrë të njëjtë me nëpunësit e tjerë të administratës publike, do të përfitojnë rritje page 457 punonjës, ku përfshihen edhe specialistët e informatikës dhe krerët e Degës së Buxhetit. Ndërsa, efekti ekonomik vjetor i këtij vendimi, i llogaritur në buxhetin e vitit që sapo kemi nisur, kap vlerën e rreth 130 milionë lekëve të reja. Duke iu referuar tabelës bashkëlidhur vendimit të qeverisë, paga e kryesekretares së Gjykatave të Apelit dhe asaj të Faktit të kryeqytetit, nga rreth 43 mijë lekë të reja në muaj, shtohet me 4 mijë lekë. Ndërsa për kryesekretaret e gjykatave të tjera, pagat llogariten në rreth 7 mijë lekë më pak. Po kështu, mbërrijnë rritje në rreth 40 mijë lekë pagat mujore të sekretareve gjyqësore të Shkallës së Dytë dhe kryeqytetit, me të cilat barazohen edhe pagat e sekretareve të gjykatave të rretheve. Efekti financiar, i këtyre pagave pritet të ndihet në xhepat e punonjësve të administratës gjyqësore këtë muaj, ndërsa pritet që sekretaret gjyqësore, pak kohë më vonë të përfitojnë edhe statusin e nëpunësit civil. Po kështu për herë të parë në buxhetin për administratën e gjyqësorit shtohet përgjegjësi i shërbimeve mbështetëse për Gjykatën e Krimeve të Rënda, institucion i cili është vendosur në një godinë të re, e cila detyrimisht kërkon punonjës të këtij profili.

Rritja e pagave të gjyqësorit

Pozicioni         ishte                  bëhet

Kryesekretar Apeli     430.780             469.840
Kryesekretar Gj. Rrethi     458.850         671.200
Kr.buxhetit Apeli       458.850         671.200
Kr.buxhetit Gj. Rrethi     791.320      1.342.400
Sek.gjyq. Apeli         4.543.866     6.718.260
Sek.gjyq Gj. Rrethi     8.140.860       12.832.560
Arkivist Apeli         350.357    493.240
Arkvist Gj. Rrethi      620.540    896.800
Informaticien         729.300    887.400
Shërbime Gj.K.Rënda         -        79.500

Totali             16.524.723    25.062.400

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›