"Të largohen anijet e peshkimit, ndotje për ujin e burim aksidentesh"
DURRES - Autoriteti Portual i Durrësit kërkon largimin e flotës së peshkimit nga dy pontilet, të cilat gjenden brenda në basen. Sipas Drejtorisë së këtij Autoriteti Eduart Ndreu janë tre arsyet e këtij largimi, të cilat janë njëkohësisht shumë të forta. "Peshkimi ndot në nivele alarmante ujin e detit në port, ata nuk kanë më vend për ankorim dhe së fundi janë bërë rrezik i vazhdueshëm për trafikun detar", tha Ndreu. Flota e peshkimit të Durrësit është në zgjerim të vazhdueshëm. Në vendin ku duhet të ankoroheshin vetëm 40 anije, qëndrojnë mbi 90 të tilla, duke krijuar rrëmujë dhe rrezik për trafikun detar. Veç rreziqeve të përplasjes me tragete, apo me anije të tjera tregtare, peshkarexhat konsiderohen edhe ndotëset më të mëdha të basenit në portin e Durrësit. Sipas APD-së monitorimet e ujit të detit në këtë sektor kanë qenë tepër shqetësuese. Ato bien në kundërshtim të madh me normat dhe standardet e përcaktuara nga organizatat botërore të mjedisit. Nga ana tjetër edhe peshkatarët janë të vetëdijshëm se vendi aktual i ankorimit, tek dy pontilet është një zgjidhje afatshkurtër. Peshkimi pritet të zhvendoset në murin ngjitur të portit detar, në anë të shëtitores "Taulantia". Është parashikuar që ky investim të arrijë vlerën e 10 milionë dollarëve. o.u