“Qafë-Gjashta”, 100 dëshmitarë në gjyq
Armand Bajrami
Filloi dje gjykimi tek Krimet e Rënda për 10 personat e akuzuar si autorë të masakrës së Qafë-Gjashtës 12 vjet më parë. Në këtë ngjarje u vra një oficer policie nga grupet e armatosura, ndërsa një tjetër u mor peng për disa ditë. Kryesuesi i seancës Fran Prendi e deklaroi procesin të hapur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Në vijim, prokurori i çështjes njohu gjykatën me kërkesën për gjykim, si edhe paraqiti paraprakisht provat që disponon prokuroria për të faktuar fajësinë e të pandehurve. Pamje filmike, procesverbale të aktekspertimeve të vendngjarjes, prova të tjera shkresore e materiale dhe dëshmitë e 63 personave do të paraqiten prej organit të akuzës në seancat në vijim. Ndërsa të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre ligjorë pretenduan pafajësi dhe mospërfshirje të klientëve të tyre në ngjarjen në fjalë. Avokatët nuk ngurruan të akuzojnë Prokurorinë për një hetim sipërfaqësor dhe jo objektiv, që ka çuar në arrestimin e personave të gabuar, duke i konsideruar padrejtësisht si përgjegjës për ngjarjen. Në gjykatë pritet të thirret si dëshmitar ish/zv-ministri i Brendshëm Agim Shehu dhe ish-kreu i Policisë Kriminale Sokol Bizhga.
SEANCA
Kryesuesi Fran Prendi ishte duke dhënë vendimin për shtyrje të seancës për shkak të mungues së avokatit Agron Gjedia, kur ky i fundit u shfaq në derën e sallës së gjyqit. Revokimi i vendimit pas paraqitjes së mbrojtësit ligjor u bë shkak për fillimin e gjykimit të personave të dyshuar si autorë të ngjarjes, ku mbeti i vrarë një punonjës policie dhe u mor peng u torturua një tjetër. Debat mes palëve para nisjes së gjyqit krijoi edhe prania në radhët e mbrojtjes e avokatit Sazan Aliko. Akuza kërkoi zëvendësimin e tij pasi në një gjykim të 10 viteve për një vepër tjetër të një pjese prej të pandehurve Aliko kishte qenë në statusin e gjyqtarit. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë me argumentimin se, "nuk ka pengesë procedurale mes avokatit dhe të pandehurit, pasi dy çështjet kanë objekt të ndryshëm dhe nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën". Pas prezantimit nga organi i akuzës me kërkesën për gjykim dhe provave që disponon, avokatët parashtruan pretendimet e tyre dhe nuk pranuan asnjë nga akuzat. Mbrojtësi i të pandehurit Vladimir Sinani, pretendoi pafajësi dhe kërkoi pyetjen në gjykatë të 100 dëshmitarëve, ku përfshiheshin edhe ata të akuzës. Ndërsa vetë i pandehuri Sinani deklaroi se ishte sjellë gabimisht në sallën e gjyqit. "Ngjarja vërtetë ka qenë shumë e rëndë. Ne na kanë marrë me forcë. Sa herë na kanë thirrur për të na pyetur ne jemi paraqitur. Po të kisha bërë gjë nuk do të rrija në Sarandë, por do të merrja malet", u shprehur ai.
NGJARJA
Sipas prokurorisë më 4 mars 1997, disa efektivë të policisë së Vlorës Gjergj Mehmeti, Sokol Bizhga, Myzafer Blushi dhe Eduart Aliaj kanë rënë në një pritë të armatosur në vendin e quajtur Qafa e Gjashtës. Ata po ktheheshin drejt Vlorës, pasi nuk kishin mundur të rivinin në funksion Komisariatin e policisë së Sarandës.
Të pandehurit
Vladimir Sinani
Nestor Sinani
Eduart Çipa
Alqi Paguni
Edmond Sejko
Mikel (Flamur) Këndezi
Arben Këndezi
Agron Qurku
Aleksandër (Ale) Bala
Ristan Lapa
"Masakra ndodhi pas plagosjes së qytetarit nga forcat e policisë"
TIRANE - Ferdinand Ndoja, mbrojtësi i ligjor i të pandehurit Edmond Sejko, cilësoi forcat e policisë si shkaktarë të ngjarjes së 4 marsit 1997 në Qafë Gjashtë. Sipas avokatit Ndoja kërkesa për gjykim e prokurorisë ishte e përciptë dhe në të nuk përshkruhej ngjarja ashtu siç kishte ndodhur në të vërtetë. "Prokuroria nuk përmend të tjerë të plagosur rëndë nga ngjarja, por vetëm të vdekurin. Fshehja e të plagosurit Fatos Mahmutaj, i cili do të jetë dëshmitar në këtë proces, është bërë për ta klasifikuar ngjarjen ashtu si do prokuroria" u shpreh avokati Ndoja. Në vijim avokati pretendoi se ngjarja ka filluar me plagosjen e Mahmutajt nga forcat e policisë. "Në rast se do të bëhej procedim penal për plagosjen e Mahmutajt, para jush do të ishte edhe autori i vërtetë i ngjarjes", pohoi mbrojtësi i të pandehurit Sejko. Ndoja përmendi edhe emrin e një prej efektivëve të policisë, makina e të cilëve u qëllua me breshëri automatike në 4 mars 1997 në Qafën e Gjashtës si promotor të ngjarjes. "Unë mbi të e hedh dyshimin", tha ai. Në përfundim avokati Ndoja kërkoi nga gjykata sigurimin nga ana e saj të kartelave mjekësore të kurimit të Fatos Mahmutajt në spitalin e qytetit të Sarandës dhe në spitalin e Korfuzit në Greqi. ar.ba