E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E kaluara takon të ardhmen” dhuratë artistike e “Odës” për 8 Mars



Historitë e shtatë personazheve femra, të cilat kishin vendosur “t’i strehonin”, por edhe t’i ndanin ato tregime mes vete në një strehimore, ishte dhurata që autorja dhe regjisorja e shfaqjes “E kaluara takon të ardhmen” kishin bërë për gratë me rastin e Festës së Gruas - 8 Marsit, një shfaqje në Teatrin “Oda”. Katër shqiptare, një serbe, dhe dy gra rome, ishin ato të cilat nga autorja e dramës “E kaluara takon të ardhmen”, dramaturgia Seadete Beqiri, ishin personazhet të personifikuara nga aktoret kosovare si Arbnesha Grabovci Nixha, Anisa Ismaili, Aurita Agushi, Sheqerie Buçaj,Shengyl Ismaili, Vjosa Shala dhe Vjosa Abazi, të përzgjedhura për të ndërtuar ngjarjet e grave që bashkëjetojnë me problemet e njëra-tjetrës. “E kaluara takon të ardhmen” është një tekst origjinal qe pasqyron jetën e pasluftës se gruas kosovare . Ngjarja zhvillohet në një strehimore grash ku ato shpalosin problemet dhe sfidat e tyre jetësore. Në këtë shfaqje prezantohen shtatë karaktere ku secili nga këto i takon komuniteteve të ndryshme që jetojnë në Kosovë; katër shqiptare, një serbe, dhe dy rome. Secila nga këto gra ka rrëfimin e vet social dhe emocional dhe që të gjitha janë viktima të dhunës psikike dhe fizike. Ato për një periudhë të gjatë jetojnë së bashku në strehimoren e qytetit, mirëpo situata fillon të tensionohet kur Edona , udhëheqësja e qendrës merr lajmin se strehimorja duhet të mbyllet. “Shfaqja mendoj se është pritur shumë mirë nga publiku dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse natyra e kësaj shfaqjeje është më shumë dokumentare sesa që ngërthen në vete një kreacion artistik”, është shprehur Berisha. Ajo ka theksuar se duke shfaqur këto realizime pikërisht në ditën më të shenjtë Festën e Gruas, është dhurata më e mirë që mund tu bëhet atyre. “Festat e grave unë nuk kam dëshirë të jenë festive, por ato të reflektohen me punë. Kam dëshirë që femrat të jenë progresive, prandaj edhe unë personalisht këto festa i karakterizoj me punën të përbashkët artistike”, ka thënë Berisha teksa ka shtuar se së bashku me autoren e tekstit ka një vit që e kishin hedhur si ide realizimin e një shfaqje të kësaj natyre. Një ide të tillë e ka përshëndetur edhe ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka - Pula. “Unë i përkrah të gjithë këto aktivitete. Që nga dita e nesërme do t’i vizitojë të gjithë strehimoret dhe do të ballafaqohem me problemet e grave që jetojnë aty. Ne si institucione dhe organizatat Joqeveritare duhet të punojmë më shumë që t’u ndihmojmë këtyre grave”, ka shtuar Shiroka - Pula. Edhe ministri i Kulturës, Valton Beqiri, ka vlerësuar idenë e shfaqjes, teksa ka theksuar se një temë e tillë i prek jo vetëm femrat, por edhe meshkujt. “Edhe pse në shfaqje ishin të gjitha femra, problemet jetësore u takojnë të gjithëve”, u shpreh Beqiri. Ndërkaq për rolin që iu kishte besuar, ajo e pronares së strehimores, aktorja Shengyl Ismaili u shpreh e lumtur që kishte luajtur në një shfaqje të tillë. “Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij projekti, sepse ne si aktore dhamë një kontribut për një çështje të këtillë, delikate, të femrave”, u shpreh ajo, teksa theksoi se ishte roli i saj i parë që po luante përkrah motrës së saj, Anisa Ismaili.

“Kosova Fashion Week”, pesë ditë në Prishtinë
Në datën 24 mars në Prishtinë do të startojë një prej aktiviteteve më të mëdha të fushës së modës. Krijime të reja dhe garë për të fituar sa më shumë audiencë në ngjarjen më të rëndësishme të vitit në fushën e modës në “Kosova Fashion Week 2010”, që organizohet nga agjencia e modës “Gecjan Group” dhe “RTV 21”. Ky aktivitet ka për qëllim të pasqyrojë vlerat e shtëpive të modës, shkollave të modës, butikëve, salloneve të bukurisë dhe stilistëve për fëmijë. Java e modës në Kosovë që do të nisë në datën 24 mars e do të vazhdojë për 5 ditë me radhë, deri më 28 mars 2010 në “Sheshin 21” në Prishtinë, sipas organizatorëve të agjencisë së modës “Gecjan Group”, për pesë ditët e shfaqjes puna e pjesëmarrësve do të jetë vazhdimisht e reklamuar në “RTV 21”, në mënyrë që teleshikuesit të kenë mundësi që të zgjedhin veshjen e preferuar. Deri tani kanë aplikuar mbi 120 konkurrentë nga mbarë trojet shqiptare, por vetëm 15 prej tyre do të marrin pjesë në këtë ngjarje. Ndërkohë që ka shkuar në 500 numri i vajzave që dëshirojnë të jenë mes 40 modeleve të sfilatave.

9 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›