E kapi nëna në chat, vret veten e mitura
Biseda në internet me një djalë i ka kushtuar jetën një 15-vjeçareje nga një fshat i rrethit të Beratit. Vajza është pikasur nga e ëma, e cila e ka qortuar dhe pas një grindjeje, adoleshentja është vetëvrarë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur gjatë pasdites së të mërkurës në fshatin Hingë, ndërkohë që adoleshentja ka ndërruar jetë gjatë mbrëmjes së të njëjtës ditë në spitalin e qytetit të Lushnjës. Vajza me inicialet S.M. mësohet se është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore në dhomën e saj rreth orës 17.00 të së mërkurës dhe është dërguar nga familjarët drejt spitalit të Lushnjës.
Sipas burimeve të policisë së qytetit të Beratit, në të njëjtën orë informacioni ka mbërritur dhe në komisariat, por për t’i dhënë ndihmën më të shpejtë mjekësore familjarët kanë preferuar që ta dërgojnë vajzën drejt qytetit të Lushnjës. Nga shenjat klinike që shfaqte vajza, mjekët e këtij spitali kanë nxjerrë konkluzionin se ajo kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme fostoksine (bar miu). Me gjithë ndihmën mjekësore të marrë, sasia e helmit ka qenë e madhe dhe adoleshentja ka ndërruar jetë pas dy orësh.
Trupi i pajetë është dërguar më pas në morgun e këtij spitali, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ekspertët e policisë kriminale të Beratit kanë shkuar më pas në banesën e adoleshentes, në fshatin Hingë të Komunës Poshnjë, ku nisën hetimet për të mësuar shkaqet që e kanë shtyrë atë drejt aktit të vetëflijimit. Nga hetimet e para dhe marrja në pyetje e familjarëve është mësuar se vajza, nxënëse në klasën e nëntë, i ka dhënë fund jetës në një moment dobësie pas grindjes me të ëmën, e cila e kishte gjetur duke komunikuar në internet me një djalë. Pasditen e së mërkurës, vajza kishte shkuar me disa shoqe të saj në qendrën e internetit të fshatit të saj, për të marrë disa informacione për mësimet. Vajza është vonuar dhe e ëma e shqetësuar ka shkuar ta marrë dhe atje mësohet se e ka gjetur vajzën duke komunikuar me një djalë. Veprimi i vajzës është bërë shkak i një grindje mes tyre, pas së cilës 15-vjeçarja i ka dhënë fund jetës.
Ndërkohë, burimet e Drejtorisë së Policisë së Beratit njoftuan dje se një tjetër adoleshent 17 vjeç, ka rrezikuar seriozisht jetën nga helmimi. Por rasti i dytë ka qenë një helmim aksidental. Spërkatja e hardhive pa mjete mbrojtëse i ka vënë jetën në rrezik një 17-vjeçari nga fshati Tapi i Rrethit të Kuçovës. Denis Sh., ka mbërritur mbrëmjen vonë të së mërkurës në urgjencën e qendrës spitalore të qytetit të Beratit në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas mjekëve, adoleshenti mbërriti pa ndenja në spital, ndërkohë që familjarët kanë deklaruar se ai ishte ndier në gjendje jo të mirë shëndetësore ndërsa ishte duke spërkatur hardhitë në vreshtin pranë banesës. Mjekët deklaruan se çlirimi i substancës kimike në natyrë dhe mungesa e mbrojtësve ka bërë që helmi të depërtojë në organet e frymëmarrjes dhe adoleshenti ka pësuar helmim. Pasi ka marrë ndihmën e parë shëndetësore, ai është transportuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për ndihmë më të specializuar. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e policisë, të cilët nga hetimet dhe marrja në pyetje e familjarëve deklaruan se bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale.
#