Organizimi në rrethe, lumë autobusësh drejt Tiranës
Socialistët e Sarandës, Delvinës, Kukësit, Tropojës dhe Hasit e kanë nisur qysh dje udhëtimin e tyre drejt Tiranës. Autokolonat e prira nga veturat e drejtuesve lokalë të partisë më të madhe të opozitës dhe të ndjekura nga autobusë e furgonë të paguar prej partisë janë nisur në orët e drekës nga rrethet e largëta, ndërsa autobusë të tjerë kanë udhëtuar natën për të zbarkuar sot në mëngjes në kryeqytet, ku opozita ka paralajmëruar protestën më të madhe të zhvilluar ndonjëherë në këtë vend.
Në rrethet e tjera, gjithçka është gati për protestën e sotme. Me të njëjtën skemë që vepruan për protestën e 20 nëntorit 2009, degët e PS-së kanë organizuar udhëtimin që për shumë socialistë pritet të shkaktojë rrëzimin e qeverisë.
Por shifrat që deklarohen për pjesëmarrjen nuk japin përshtypjen se turma do të jetë aq e madhe sa të tundë kolltukun e Berishës. Rrethet e mëdha si Fieri, Vlora, Shkodra, Korça e Elbasani planifikojnë të sjellin në Tiranë sot nga tre mijë protestues. Po kaq njerëz pritet të mbërrijnë në Tiranë nga tri rrethet e Qarkut të Lezhës, ndërsa krerët e PS-së së Durrësit thonë vetëm se do të ketë “shumë” protestues nga ky qytet.
Qarku i Fierit që ka brenda Ruzhdien e famshme dhe Shkodra me kutitë ku nuk kishte asnjë votë për PS-në pritet t’i japin tonet protestës së sotme, suksesi i së cilës, gjithsesi, do të varet nga mbështetja që do t’i japin qytetarët e Tiranës.
Degët e PS-së në Fier, Lushnjë e Mallakastër janë gati për mitingun. Gjatë vizitës së tri ditëve më parë, kreu i PSSH-së, Edi Rama, ka kërkuar që drejt Tiranës minimumi të mbërrijnë në shkallë qarku mbi 40 autobusë, por degët lokale të tri rretheve kanë premtuar për 50 të tillë, që llogaritet të transportojnë rreth 2500 veta. Autobusët janë gjetur dhe është siguruar edhe karburanti i tyre, ndërkohë që qindra protestues pritet të udhëtojnë për në Tiranë me veturat private. Ndërkohë, drejtues të PS-së së Fierit thonë se kanë marrë masat edhe për zëvendësimin e protestuesve, pasi protesta do të zgjasë disa ditë. Xhavit Bushi, kreu i PS-së së rrethit Fier, tha dje se “protesta e 30 prillit është vlerësuar maksimalisht dhe e gjithë popullata është siguruar se me këtë protestë do të rrëzohet qeveria”.
Burime nga Partia Socialiste e Shkodrës bëjnë të ditur se ai i sotmi do jetë marshimi më i madh qytetar që është bërë ndonjëherë nga ndonjë parti me drejtim lëvizjeje nga Shkodra drejt Tiranës. Sipas të njëjtave burime, janë vënë në dispozicion mbi 30 autobusë (1500 persona) dhe shumë mjete të ndryshme që do kryejnë transportin e qytetarëve në drejtim të kryeqytetit. Sipas organizatorëve, qytetarët e Shkodrës kanë shprehur masivisht dëshirën për të qenë pjesë e mitingut më të madh të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, si dhe kanë shprehur dëshirën të qëndrojnë në kryeqytet aq ditë sa do të jetë e nevojshme.
Nga Berati me kuti të mbyllura do të udhëtojnë sot 14 autobusë me protestues socialistë. Kreu i PS-së lokale, Selman Hodo, tha dje se është siguruar udhëtimi falas për anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, por pritet që protestës t’i bashkohen vullnetarisht edhe shumë qytetarë të paangazhuar në politikë.
Rreth 1000 protestues mendohet të vijnë sot në Tiranë nga tri rrethet e Qarkut të Dibrës: Dibra, Mati dhe Bulqiza. Një numër i përafërt me këtë pritet të jetë edhe ai i protestuesve të Qarkut të Kukësit.
Duke bërë një llogari të përafërt, sipas të dhënave që japin degët e PS-së në rrethe, në Tiranë do të jenë sot mesatarisht 3000 protestues nga çdo qark i Shqipërisë. Kështu, pritet që nga rrethet të mbërrijnë në shesh rreth 33 mijë veta. Nëse kjo protestë do të jetë vërtet më e madhe se ajo e 20 nëntorit, do të duhet që po kaq qytetarë të Tiranës të zbresin në shesh për të kërkuar rrëzimin e qeverisë.