E Shtunë, 31 Tetor 2026

E kishte veshur shtëpinë me postera të PS-së, dhunohet

Një banor i fshatit Vreshtas të Rrethit të Korçës është dhunuar në banesën e tij, pasi kishte ngjitur postera të Partisë Socialiste në muret dhe dritaret e shtëpisë së tij. Dëfrim Rrema është rrahur barbarisht nga persona ende të paidentifikuar. Në momentin e ngjarjes ai ka qenë në shtëpinë e tij i vetëm. Sipas deklarimit të Dëfrim Rremës, ai ka qenë brenda shtëpisë kur dy persona, të cilët nuk ka mundur t‘i njohë, e kanë dhunuar fizikisht. Me një plagë të madhe në sy dhe me dëmtime të tjera në trup, Rrema është dërguar me urgjencë në qendrën shëndetësore të fshatit për të marrë ndihmë mjekësore. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe punonjës të policisë, sipas të cilëve viktima e dhunës është i sëmurë mendor dhe person problematik në fshat për shkak se kryen veprime të papërgjegjshme. Por, ndërsa policia dhe banorët thonë se shkak për dhunën ndaj tij mund të jenë bërë sjelljet e tij, në fakt në banesën e të dëmtuarit posterat kanë qenë me gjak dhe të grisura, ndërsa në oborr është hedhur një poster i Partisë Demokratike. Vetë i dëmtuari thotë se është simpatizant i të majtëve dhe kjo nuk është pranuar nga të tjerët. Punonjësit e policisë që ndodheshin në vendngjarje thanë se për këtë rast nuk do të kishte hetime, me pretekstin se i dëmtuari është i sëmurë mendor. Vetëm në mbrëmje, drejtori i Policisë së Qarkut të Korçës njoftoi se hetimet ishin hapur, por saktësoi se motivet politike janë përjashtuar nga pistat e hetimit. Nga ana tjetër, vetë i dëmtuari, shtëpia e të cilit kishte pamjen e një zyre elektorale të PS-së, ngul këmbë se e kanë rrahur pikërisht për bindjet e tij, duke e argumentuar këtë edhe me faktin se dhunuesit kanë grisur posterat e fushatës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›