E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzohet ultimatumi, Berisha shpall “luftë”: Dhëmbë për dhëmbë me Ramën

Kryeministri ashpërson gjuhën ndaj kreut të opozitës. Berisha, një mal akuzash ndaj Ramës në Parlament

Kryeministri Berisha ka hedhur poshtë ultimatumin e dhënë nga kreu i opozitës për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërimin e votave, ndërsa ka derdhur një lumë akuzash ndaj Ramës gjatë fjalës së mbajtur dje në seancë parlamentare. Kreu i qeverisë ka ashpërsuar më shumë se kurrë gjuhën e përdorur ndaj kreut të opozitës, ndërsa e ka ftuar atë që të provojë të dhunojë ligjin dhe Kushtetutën sepse do të marrë përgjigjen e merituar. Berisha e ka cilësuar lëvizjen e opozitës të drejtuar nga Rama një lëvizje mafiozësh, që synon vetëm mbrojtjen e interesave të ngushta klanore. Berisha e ka akuzuar Ramën për lidhjet e tij me grupe mafioze duke përfshirë të sapoekstraduarin Aldo Bare. Në përfundim të fjalës së tij Berisha e garantoi opozitën për sigurinë e protestave të tyre, por gjithashtu ai shtoi se edhe sikur çdo ditë të protestojnë para zyrave të tij, ata nuk do ta arrijnë të rrëzojnë qeverinë.
Akuzat
Berisha, i nxitur nga akuzat e Ramës, por edhe të drejtuesve të tjerë të PS-së për familjen e tij, i është kundërpërgjigjur kreut të PS-së me të njëjtin ton akuzash duke u nisur nga familja. “Sot jam këtu për t’u përgjigjur. I nderuar zotëri, është shumë normale të krahasojmë familjen. Meqenëse ti lakon familjen time, të përgjigjem se ti vuan nga një kompleks i tmerrshëm patologjik. Unë shtroj pyetjen: Çfarë burri është ai që bashkëshorten e vet e akuzon se ka fëmijë me të atin e tij?! Cili është ai baba që i mohon djalit të tij kafshatën e bukës?! Je ti, dhe kjo ndodhi me bashkëshorten e parë, artiste e merituar për të cilën kam respekt.
Cili është ai shqiptar që e nxjerr gruan e tij lakuriq në plazhet e botës?! Nuk i bëhet kjo një vajze kurrë. Ti ke nxjerrë gruan lakuriq në plazhet e botës. Cili është ai burrë që ngrihet nga shtrati i së shoqes dhe shkon në shtratin e Dashit në kullën e Pezës?! Cili është ai burrë që i mbush fytyrën me gjak bashkëshortes? Je ti, askush tjetër. Ke një nënë të nderuar, për të cilën kam respekt. Por kjo zonjë duhet të flasë hapur dhe të tregojë se i biri i saj, Edi Rama, është kuruar 10 vjet për skizofreni. E kanë kuruar kolegët e mi. Duhet të tregosh, zonjë, për një djalë që të ka nxjerrë me rroba gjumi në pazar. Ky është koncepti yt për familjen, urrejtja jote për familjen. Ti je një përbindësh i familjes. Ku ke fytyrë ti të përmendesh familjen?!” - është shprehur Berisha gjatë fjalës së mbajtur dje në Kuvend.
Ai ka hedhur akuza për lidhjen e Ramës me Aldo Baren. “Këto ditë në Shqipëri u riatdhesua Aldo Bare. Ti je kapur në mënyrë të tmerrshme me krimin dhe ke frikë. E nise me Denis Ginën, me afera shumë të këqija. Cilat janë lidhjet tuaja me Aldo Baren? Transkriptimet flasin se në bisedën midis tij dhe Dondollakut figuron ti”, - është shprehur Berisha, ndërsa shtoi se pikërisht lidhjet e Ramës me krimin e detyrojnë atë të mbajë opozitën peng dhe të bojkotojë Kuvendin.
Sfida
Kreu i qeverisë e sfidoi dje Ramën duke e ftuar atë të dhunojë ligjin, duke shtuar se ai do të marrë përgjigjen e merituar. “Ky kërkon të dëmtojë vendin. Lëshon ultimatume. Kush je ti, more, që lëshon ultimatume? Provoje po ta mbajti. Unë nuk dua këtë gjuhë, por të jesh i bindur se nëse dhunohet ligji, do të ketë vetëm një përgjegjës dhe ky do të jesh ti dhe vetëm ti. Provoje ti që fryhesh si kaposh. Provoje ultimatumin”, - është shprehur Berisha, ndërsa ashpërsoi gjuhën e akuzave. “Unë do t’i shkul dhëmbët aleancës puniste-mafioze. Bare ishte dhëmbi i parë. Pas dhëmbëve vjen nofulla. Ndaj mafies, zero tolerancë”, - është shprehur kreu i qeverisë. Ai u shpreh se do të garantojë qetësinë e protestave të opozitës. “Garantoj protestën e qytetarëve dhe të partive politike. E ftoj Ramën të organizojë çdo ditë protesta para zyrave të mia. Por ata që mendojnë se rrethuan kështjellën dhe se do ta rrëzojnë, ta provojnë dhe t’u tregoj se sa u vlen lëkura. Unë jam Sali Berisha, unë mbaj fjalën time. Ligji dhe Kushtetuta e një vendi anëtar i NATO-s nuk do të mund të dhunohet as nga Edi Rama, as nga klanet e tij mafioze”, - ka përfunduar kreu i qeverisë.

27 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›