Gërdeci, Gjykata rrëzon kërkesën e Delijorgjit dhe Pinarit për lirim
Gjykata e Shkallës së Parë ka hedhur poshtë kërkesën për lirim nga burgu të dy të pandehurve të çështjes “Gërdeci”, Mihal Delijorgji e Ylli Pinari. Në datën 19 Korrik, avokatët e dy prej tre të pandehurve të çështjes “Gërdeci” kërkuan lirimin nga burgu. Maks Haxhia, avokati i Mihal Delijorgjit, administrator i fabrikës së çmontimit të armëve, “Alba-Demil” që shpërtheu më 15 Mars kërkoi lirimin e klientit të tij nën pretendimin se kanë skaduar afatet e paraburgimit. “Ka kaluar 1 vit e 4 muaj dhe nuk ka një vendim gjykate. Paraburgimi ka humbur fuqinë ligjore”, tha Haxhia në seancën gjyqësore mbi këtë çështje. Por, pas kësaj kërkese të Haxhisë, ka vijuar ajo e Bashkim Asllanit, avokat i Ylli Pinarit, që së bashku me Delijorgjin ndodhen në pranga për tragjedinë e Gërdecit. “Ka skaduar afati dhe për Pinarin”, tha ai. Në datën 19 Korrik trupi gjykues kërkoi kohë të llogariste afatet e paraburgimit të të pandehurve. Ndërsa dje, gjykatësi Ritvan Hado lexoi vendimin e gjykatës, ku vlerësoi të paligjshme kërkesën e avokatëve. Sipas trupit gjykues, kërkesa është e paligjshme pasi ndaj të pandehurve nuk kanë përfunduar afatet e paraburgimin, sepse gjatë kohës së gjykimit, ka pasur ndërprerje të mëdha. Sipas gjykatës, prej 6 muajsh pati një ndërprerje të seancave gjyqësore, dhe kjo për shkak të konfliktit, prokurori-politikë për heqjen e imunitetit të ish-Ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu. "Ka edhe rreth 5 muaj afat paraburgimi", shpjegoi gjyqtari Hado. Më pas në Gjykatën e Tiranës vijoi seanca e radhës për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, të ndodhur më 15 Mars të vitit 2008 ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë. Çështja “Gërdeci” me rreth 29 të pandehur, (3 në pranga) dhe mbi 300 dëshmitarë, të cilët aktualisht janë duke dhënë dëshmitë e tyre para Gjykatës, konsiderohet më e madhja në historinë e gjyqësorit. Prokuroria e ka vlerësuar “Gërdecin” si një gabim njerëzor, ndërsa pala e pandehur pretendon për një sabotazh të mundshëm. Si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm të ndodhur më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në fshatin Gërdec të Tiranës, humbën jetën 26 persona, ndërsa shumë të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë pati dëme të mëdha në banesa e biznese.
24 Korrik 2010