Ministria përcakton dëmshpërblimi për shoqëritë që u është revokuar licenca
Ministria e Financave ka vendosur që të dëmshpërblejë shoqëritë e lojërave të fatit që u është revokuar licenca. Me anë të një udhëzimi, ministri i Financave Ridvan Bode, ka përcaktuar kriteret, mënyrën, masën dhe formën e dëmshpërblimit për shoqëritë që janë përfituese të dëmshpërblimit. Sipas këtij udhëzimi, të gjitha subjektet juridike apo fizike, të cilat janë pajisur me licencë nga autoriteti kompetent për të ushtruar aktivitete specifike për lojëra fati, të tilla si “lotari çasti”, “lotari me shorte”, keno etj., licenca e të cilave është revokuar me ligj të posaçëm, do të dëmshpërblehen nga organi tatimor, nën juridiksionin e të cilit ato janë të regjistruar. Nuk përfitojnë nga ky udhëzim, ato subjekte të cilave u është revokuar licenca për arsye të shkeljes së dispozitave të ligjit apo të kushteve të përcaktuara në leje. Periudhë e përdorimit të licencës konsiderohet periudha nga momenti i marrjes së saj e deri në momentin kur ka hyrë në fuqi ligji që ka revokuar licencën.
Kriteret
Dëmshpërblimi kryhet vetëm për ato subjekte, të cilat përmbushin kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim. Për të përfituar dëmshpërblimin, subjektit të cilave u është revokuar licenca, duhet të depozitojnë pranë drejtorisë rajonale tatimore, dokumentacionin e mëposhtëm: Kërkesë me shkrim, nënshkruar nga pronari i subjektit juridik/fizik apo administratorit të
tij të deleguar, për kryerjen e rimbursimit. Kërkesa i drejtohet degës tatimore nën juridiksionin e së cilës subjekti është i regjistruar. Dokumentin origjinal të licencë, lëshuar nga autoriteti përkatës. Kopje e noterizuar e pasqyrave financiare, për periudhën e ushtrimit të aktivitetit të lojës së fatit, duke filluar nga viti kur subjekti është pajisur me licencë dhe deri në vitin kur është depozituar bilanci i fundit, që përfshin aktivitetin e lojës së fatit për të cilën është revokuar licenca.
Forma e dëmshpërblimit
Me përmbushjen e kritereve të përcaktuara në këtë udhëzim, organi tatimor, pas verifikimit të situatës tatimore të tatimpaguesit, përgatit dokumentacionin e nevojshëm për të kryer rimbursimin.
Nëse subjekti tatimpagues rezulton me detyrime të papaguara (përfshirë gjoba dhe kamatëvonesa) për aktivitetin për të cilin është revokuar licenca, vlera e detyrimeve i zbritet shumës
për rimbursim. Me kërkesën e subjektit, shuma për rimbursim mund të kalohet: Në llogarinë e subjektit, të cilit i është revokuar licenca; Për pagesën e detyrimeve për llogari të një subjekti tjetër, por me të njëjtin pronar/bashkëpronar. Në këtë rast, përfituesi detajon tek organi tatimor, me kërkesë, të gjitha të
dhënat për destinimin e shumës për dëmshpërblim; Për kryerjen e pagesave të ardhshme, nëse subjekti ka paraqitur/paraqet kërkesë pranë NJMLF-së për pajisje me licencë të re për lojëra fati. Në këtë rast, administrata tatimore dhe Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, kryejnë procedurat e nevojshme për të realizuar transaksionin.
Masa e dëmshpërblimit
Përllogaritja e dëmshpërblimit bëhet, sipas formulës së mëposhtme:
Dëmshpërblimi = SH – (SH/N*n), ku:
SH-shuma e paguar në momentin e marrjes së licencës;
N-afati në muaj, i vlefshmërisë së përcaktuar në licencë;
n-periudha në muaj e përdorimit të licencës.
Shembull: Subjekti “X” është pajisur me licencë për ushtrim lojëra fati “Lotari me shorte” dhe ka paguar në momentin e marrjes së licencës, shumën 10 000 000 lekë, me afat vlefshmërie të licencës, 10 vjet. Licenca është lëshuar në datën 10 korrik 2006. Në datën 15 janar 2009, ligji përkatëse ka
shfuqizuar këtë licencë. Masa e dëmshpërblimit që do të përfitojë subjekti, do të llogaritet si më poshtë:
Dëmshpërblimi lekë = 10 000 000 – (10 000 000/120 muaj*19 muaj).
24 Korrik 2010