E Diel, 1 Nëntor 2026

Lojërat e fatit, si do tu llogariten detyrimet tatimore Basteve Sportive dhe bingove



Laureta Rryçi
Ministria e Financave përcakton formulën që do të merret për bazë për llogaritjen e detyrimeve tatimore për subjektet private që kanë si aktivitet privat baste sportive dhe bingo. Gazeta “Albania” ka mundur ta sigurojë të plotë këtë udhëzim dhe po e boton atë në numrin e sotëm. Specialistët e financave kanë përcaktuar të dhënat bazë që do të merren për t’iu llogaritur këtyre subjekteve detyrimin tatimor. Sipas udhëzimit, për të gjitha subjektet, të cilat janë licencuar para hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, i ndryshuar, në kategoritë e lojërave “baste sportive” apo “bingo”,
afati i vlefshmërisë së licencës së tyre, do të jetë afati i përcaktuar në çastin e lëshimit të licencës. Këto subjekte duhet të paguajnë në organin tatimor “kuotën vjetore të ushtrimit të
aktivitetit”. Kuota vjetore do të paguhet një herë në vit, sipas afateve të parashikuara në ligj, dhe sipas mënyrës së mëposhtme.
Pagesa
Në udhëzim thuhet se kuota vjetore e taksës për ushtrimin e aktivitetit, llogaritet si diferencë ndërmjet detyrimit
vjetor për t’u paguar për ushtrimin e aktivitetit, sipas masës së parashikuar në ligj, me kuotat proporcionale respektive vjetore, të parapaguara dhe të paamortizuara. Kuota proporcionale respektive vjetore, e parapaguar dhe e paamortizuar llogaritet si
raport i shumës totale të parapaguar nga subjekti, në momentin e marrjes së licencës, me periudhën e vlefshmërisë së licencës, të përcaktuar në momentin e pajisjes me licencë.
Shembulli
Në udhëzim hartuesit kanë dhënë një shembull i cili do të merret për bazë për të gjitha subjektet. Sipas këtij shembulli, subjekti “X” që operon në kategorinë “baste sportive” apo “bingo” është pajisur me licencë në vitin 2005, duke parapaguar detyrimin për pajisje me licencë, në shumën 10 000 000 lekë, për një afat 10-vjeçar. Afati i vlefshmërisë së kësaj licence do të skadojë në vitin 2015. “Masa proporcionale respektive vjetore, e parapaguar, por e paamortizuar” llogaritet si më poshtë: 10 000 000:10=1 000 000 lekë çdo vit, pra kjo licencë amortizohet çdo vit, në masën 1 000 000 lekë. Në rast se sipas ligjit, detyrimi vjetor për ushtrimin e aktivitetit, për kategoritë e lojërave “baste sportive” apo “bingo” është 2 000 000 lekë në vit, për të llogaritur detyrimin për taksën e ushtrimit të aktivitetit të këtij subjekti, shumës 2 000 000 lekë do t’i zbritet kuota vjetore prej 1 000 000 lekë, e cila është parapaguar në momentin e marrjes së licencës. Pra subjekti do të paguajë, për pjesën e mbetur të periudhës deri në përfundimin e afatit të licencës, diferencën prej 1 000 000 lekë. Ky udhëzim është i zbatueshëm vetëm për ato subjekte, të cilat operojnë për lojërat “baste
sportive” ose “bingo” dhe që janë pajisur me licencë përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, i ndryshuar.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›