Qeveria përcakton kriteret e vlerësimit për pasuritë e konfiskuara
Laureta Rryçi
Qeveria përcakton kriteret e vlerësimit për pasuritë e konfiskuara. Vendimi që u mor dje në mbledhjen e qeverisë vendosi dhe procedurat se si do të jepen për përdorim këto lloj pasurish.
Procedurave, të parashikuara në këtë vendim, do t’i nënshtrohen të gjitha pasuritë e konfiskuara me vendim gjykate, në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr.10 192, datë 3.12.2009, “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga data e njoftimit të vendimit gjyqësor të konfiskimit, do t’i paraqesë ministrit të Financave raportin e vlerësimit tekniko-financiar, për pasurinë e konfiskuar. Më pas, agjencia ua përcjell vendimin e gjykatës institucioneve përgjegjëse për regjistrimin e pasurive. Këto institucione bëjnë kalimin e pronësisë në emër të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Tarifat e shërbimit përballohen nga fondet e Agjencisë. Taksat dhe detyrimet e tjera, të mbartura në ngarkim të pasurisë, deri në çastin e shitjes, përballohen nga Agjencia.
Përdorimi
Komiteti Këshillimor Ndërinstitucional i Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, në bazë të raportit tekniko-financiar dhe të nevojave të institucioneve të zbatimit të ligjit, në mbledhjen e radhës, bën rekomandimet për mënyrën e përdorimit të pasurive të konfiskuara, të cilat ia paraqet ministrit të Financave. Ky i fundit, në bazë të rekomandimeve të Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar e të raportit të vlerësimit tekniko-financiar të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vendos për dhënien në përdorim ose tjetërsimin e pasurive të konfiskuara, si dhe jep udhëzime konkrete për destinacionin, mënyrën dhe kushtet e përdorimit të pasurive. Institucionet e zbatimit të ligjit, njësitë e qeverisjes vendore, si dhe organizatat jofitimprurëse, për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të krimit të organizuar, janë subjektet që përfitojnë nga dhënia në përdorim. Format e përdorimit janë: Kalimi në përgjegjësi administrimi, për institucionet qendrore; Kalimi në pronësi, për njësitë e qeverisjes vendore; Dhënia në huapërdorje, për subjektet e tjera përfituese. Për procedurën e dhënies në përdorim të pasurive të konfiskuara, përfituesi duhet të paraqesë një kërkesë, ku të përcaktohet shprehja e interesit të motivuar e të argumentuar.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara mbikëqyr veprimtarinë e përfituesit në përdorimin e pasurive të konfiskuara, në përputhje me udhëzimet e dhëna nga ministri i Financave. Përfituesi i raporton Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Agjencia i raporton, një herë në vit, Komitetit Këshillimor Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar për pasuritë e konfiskuara, të dhëna në përdorim, si dhe paraqet raporte me kërkesë të këtij të fundit.
Tjetërsimi
Kryeadministratori i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në rastet e tjetërsimit të pasurisë së konfiskuar, ngre një komision për vlerësimin e çmimit të shitjes së pasurisë, i cili ka në përbërje: një specialist të kësaj Agjencie; një specialist të Ministrisë së Financave; një ekspert vlerësues të licencuar. Për punën e kryer, eksperti vlerësues shpërblehet sipas legjislacionit përkatës, ndërsa anëtarët e tjerë të komisionit shpërblehen me urdhër të ministrit të Financave. Vlerësimi i pasurive bëhet nga komisioni i vlerësimit, në zbatim të legjislacionit në fuqi, duke përdorur metodat e vlerësimit të tregut, si dhe duke pasur parasysh llojin e pasurisë, të dhënat e saj, gjendjen fizike, vendndodhjen, destinacionin ekonomik. Komisioni i vlerësimit mban përgjegjësi ligjore për vlerësimin e kryer dhe për dokumentet e hartuara e të nënshkruara prej tij (genplane, situacione, aktvlerësime.).
Komisioni nxjerr vlerësimin përfundimtar, duke marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me tregun, por që ndikojnë në vlerën reale të shitjes. Raporti i vlerësimit të çmimit të shitjes shoqërohet me raportin e vlerësimit të pasurisë nga eksperti i licencuar dhe, në rastet e shoqërive tregtare, nga raporti i vlerësimit kontabël. Ministri i Financave autorizon kryeadministratorin e AAPSK-së, rast pas rasti, për emërimin e ekspertit kontabël. Dosja me dokumentacionin ligjor dhe vlerësimin i përcillen Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave.
Boc
Dokumentacioni që duhet të përmbajë dosja
Vendimin e gjykatës, i cili ka marrë formë të prerë, referuar dispozitave të ligjit nr.10 192, datë 3.12.2009
Procesverbalin për gjendjen fizike të pasurisë, në çastin e shitjes, të mbajtur sipas formatit të caktuar nga AAPSK-ja
Dokumentacionin ligjor, që vërteton pronësinë (vërtetim hipotekor+kartelë dhe certifikatë pronësie, nëse ka)
Aktin e vlerësimit të çmimit të shitjes së pasurisë, të mbajtur nga komisioni përkatës
Kopje të raportit tekniko-financiar, për pasurinë e konfiskuar.
boc
Procedurat që do të ndiqen kur pasuritë dalin në ankand
Shitja e pasurive të konfiskuara do të bëhet me ankand publik. Procedura e ankandit kryhet nga Drejtoria së Administrimit dhe Shitjes së Pronës Publike, në Ministrinë e Financave. Në komisionin e ankandit merr pjesë edhe një përfaqësues i AAPSK-së, si anëtar. Pasuria nxirret në ankand dy herë radhazi, në interval kohor jo më pak se 1 (një) muaj. Në ankandin e dytë do të zbatohet i njëjti çmim si në ankandin e parë. Në rast se ankandi dështon dhe herën e dytë, ministri i Financave, me rekomandim të Komitetit Ndërinstitucional të Ekspertëve, mund të urdhërojë për masën e uljes së çmimit të shitjes. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pasi ka pranuar dokumentet e vlerësimit të objektit, ndërmerr hapat përkatëse për botimin e njoftimit për shitje të objektit, si më poshtë vijon: Periudha e botimit zgjat 21 (njëzet e një) ditë nga data e botimit të parë dhe bëhet në çdo botim të Buletinit të Njoftimeve Publike, brenda këtij afati. Dita e parë e botimit është data e përcaktuar në njoftimin e dërguar nga kjo Drejtori për botim. Brenda këtij afati, ky njoftim botohet edhe në një gazetë, me qarkullim kombëtar. Botimin e listës së objekteve, që do të shiten, dhe shpalljen e kësaj liste në faqen e internetit të Ministrisë së Financave, me të dhënat për çdo objekt. Vendosjen, nga kjo Drejtori, të njoftimit me afishe, fillimisht, në mjediset e saj, për zhvillimin e ankandit të tyre.
Boc
Pjesëmarrësit në ankand duhet të paraqesin në vendin, datën dhe orën e njoftuar, në komisionin e ankandit, këto dokumente:
Kërkesën me shkrim për blerjen e objektit
Garancinë bankare (apo mandatpagesën), që vërteton ngurtësimin e 20 për qind të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë, për llogari të AAPSK-së
Deklarimin personal të secilit pjesëmarrës, që vërteton se ky i fundit nuk është në konflikt interesi, sipas dispozitave të ligjit Nr.10 192, datë 3.12.2009
boc
Pas ankandit objekti i kalon pronarit të ri
Pjesëmarrësve të tjerë në ankand, përveç fituesit, u kthehet 20% e vlerës fillestare, e ngurtësuar paraprakisht. Pjesëmarrësit në ankand, i cili tërhiqet nga ankandi pa dhënë asnjë ofertë për vlerën e objektit të shpallur për shitje, i konfiskohet 20 % e garancisë bankare, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand. Personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nëpërmjet ankandit, pajiset nga Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, me autorizim, për kalim pronësie, ku përcaktohen qartë detyrimet e blerësit.
Blerësi, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e zhvillimit të ankandit, është i detyruar të bëjë pagesën në lekë të pjesës së mbetur të çmimit të arritur në ankand për objektin. Nëse personi, që ka fituar të drejtën e blerjes së objektit, nuk paguan, brenda 30 (tridhjetë) ditëve pjesën e mbetur të çmimit të arritur në ankand, ai, si fitues ankandi, humbet të drejtën e blerjes, si dhe të marrjes pjesë në ankandin, që do të zhvillohet për rishitjen e këtij objekti. Pagesa 20%, e ngurtësuar për pjesëmarrje në ankand, nuk i kthehet. Objekti rishpallet për shitje, duke zbatuar procedurat e botimit nga e para, sipas këtij vendimi. Drejtoria e Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, pas pagesës së vlerës së plotë të objektit, është e detyruar të lidhë kontratën e shitjes ndërmjet palës shitëse (përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, përfaqësuesi i AAPSK-së) dhe blerësit privat. Përfaqësuesi i Drejtorisë së Administrimit dhe Shitjes së Pronave Publike, në Ministrinë e Financave, dhe përfaqësuesi i AAPSK-së janë të detyruar të përfundojnë dorëzimin, me procesverbal, të objektit që shitet, brenda 35 (tridhjetë e pesë) ditëve nga data e dhënies së autorizimit, nga Ministria e Financave, blerësit. Dorëzimi i objektit bëhet, në mënyrë të detyrueshme, nga përfaqësuesi i Ministrisë së Financave dhe përfaqësuesi i institucionit administrues (sipas komisionit të vlerësimit të ngritur), në prani të blerësit.
24 Korrik 2010