“Ushqimet, s’ka analiza për lëndën e parë”
Mungesë analizash laboratorike për nënproduktet e qumështit dhe ato të mishit. Lëndëve të para nuk u maten parametrat bakteriologjikë, në janë apo jo brenda normave. Në këtë mënyrë konsumatorët shqiptarë mbeten jo pak të rrezikuar për prekjen nga sëmundjet infektive. Në këtë konkluzion kanë arritur specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Gjithçka pas kontrolleve të ushtruara në fabrika të përpunimit të qumështit e të mishit. ”Megjithëse kanë specialistë të punësuar kryesisht në fabrikat në rrethe analizat për lëndën e parë, që përdoret për produkte të ndryshme ushqimore nuk kryhen”, sqarojnë specialistët e ISHP. Sipas tyre, matjet për nivelin e mikrobeve në këto lëndë janë të domosdoshme. Kjo në mënyrë që edhe kushtet apo temperatura e përpunimit të jenë të përshtatshme për të eliminuar këto mikrobe. “Ne mund t’u ofrojmë asistencë falas të gjithë laborantëve në këto fabrika”, thonë specialistët. Nga ana tjetër ata u bëjnë thirrje të gjithë konsumatorëve që të tregojnë kujdes gjatë stinës së verës. “Nuk duhet të blihen ushqime të konservuara që për një kohë të gjatë tregtarët i mbajnë në diell e jo në kushte frigoriferike. Ato mund të shkaktojnë deri në helmime të rënda e me pasoja për qytetarët”, theksojnë ekspertët e ISHP. Ndërkaq, nga drejtoria e higjienës prej disa ditësh kanë nisur një sërë kontrollesh në tregjet kryesore të kryeqytetit. Drejtuesit e këtij institucioni sqarojnë se ndaj bizneseve që nuk zbatojnë kushtet e higjienës sanitare do ketë penalizime. Por me gjithë këtë paralajmërim situata në tregje e dyqanet brenda zonave të banimit mbetet po njësoj. Pak vëmendje u kushtohet kushteve, rëndësi ka të shitet malli.