E lumtur pse nuk e harruan
Prej disa ditësh është ndarë nga jeta një nga figurat më të dashura të estradës dhe teatrit të Durrësit, Lumturi Dashi. E larguar nga kjo botë pas një sëmundjeje të pashërueshme, figura e saj ngeli e pavlerësuar, ndonëse rolet e saj, buzëqeshja e saj kanë mbetur të pashlyeshme në historinë e teatrit durrsak. Ajo ka dhënë një kontribut të sajin edhe në filmin artistik shqiptar. Ndonëse në role joprotagoniste, figura e saj rrezaton talent dhe profesionalizëm në krijimin e personazheve në skenë dhe kinematografi. Lumturi Dashi, e njohur nga të gjithë si Lumja, u nda nga jeta në moshën 68-vjeçare, duke lënë pas dhimbje për fatin e trishtë të jetës së një aktoreje që la gjurmë në jetën artistike të qytetit, po që nuk mundi të lejë pas trashëgimtarë. Vitet e fundit, pas daljes në pension, të gjithë e mbajnë mend teksa shëtiste me qenin e saj në qytet, qenin që u bë qenia më e dashur, shoku i ditëve të saj larg skenës. Karriera e saj në teatër nisi në vitin 1957, fillimisht si amatore dhe më pas si aktore profesioniste, pjesë e trupës teatrore dhe asaj të estradës. Kolegët dhe Artisti i Popullit, regjisori Gjergj Vlashi, kujtojnë se debutimi i parë i Lumes ishte në varietenë "Dhoma nr.13" e regjisorit Vlashi. Në majin e vitit 1960, me themelimin e estradës profesioniste që do të bëhej një nga më të njohurat në shkallë vendi, Lume Dashi shndërrohet në aktore profesioniste të kësaj trupe dhe bëhet protagoniste e mjaft premierave. Pavarësisht natyrës së saj të prirur drejt estradës, ajo interpretoi dhe në trupën e teatrit "Aleksandër Moisiu". Në të gjitha rastet, Lumja u dallua për përkushtimin në punë dhe realizimin e rolit, pa lënë mënjanë shpirtin e humorit. Ndër vite u shqua për interpretimet dinjitoze në premierat e shfaqjet e trupës së teatrit dhe estradës së Durrësit, ku kolegë dhe artdashës veçojnë rolet në komeditë "Lindja e një burri", "Lojtari nr.10", "Mirëserdhe Elona", "Kartela e verdhë" etj. dhe në dramat "Gërsheti i luftërave", "Rrënjët e thella", "Dimër i shkurtër" etj. Të shumtë janë ata që, pas shuarjes së buzëqeshjes së saj magjepsëse, kanë sugjeruar nderimin e figurës artistike dhe humane të saj nga qyteti ku lindi dhe kaloi muajt e rëndë të sëmundjes. Ajo gjithmonë e priti një vlerësim në të gjallë, por atë që nuk e mori asnjëherë prej autoriteteve, atëherë kur do të kishte mundësi t‘i gëzohej, padyshim që e ka marrë nga bashkëqytetarët e saj dhe artdashësit në çdo rreth të vendit ku trupa artistike e Durrësit shtegtonte me shfaqjet e saj. "Ndjehem mirë që nuk më kanë harruar", shprehej pak kohë para se sëmundja ta mbyllte në shtëpi. Ishte e gëzuar që la gjurmë në jetën artistike të qytetit dhe të vendit, që i dedikoi të gjithë jetën e saj të plotë. Skena qe dhe mbeti dashuria e saj e vetme.