E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e Shkodrës: Mitropoliti erdhi si turist

Dy ditë pas vizitës në disa fshatra të Shkodrës të mitropolitit serb të Malit të Zi, Amfillohije Radoviç, shoqata e pakicës serbe në Shqipëri, me qendër në Shkodër, "Moraça-Rozafa", ka reaguar ndaj komenteve që i janë bërë kësaj vizite. Kryetari i minoritetit serb në Shqipëri, Pavlo Janko, në një komunikim me mediat, është shprehur: "Vizita e mitropolitit Radoviç ka qenë turistike dhe ka pasur si qëllim njohjen me objektet e kultit dhe të vizitojë për herë të parë në këta 100 vjet varret e ushtarëve serbë të rënë në Shkodër. Kjo vizitë nuk duhet parë si incident dhe as me shqetësim. Në Shkodër ka objekte të hershme të kulturave të ndryshme, përfshirë edhe ato serbe dhe vizita e mitropolitit ka qenë thjesht për të parë nga afër këto objekte dhe jo për të krijuar incidente dhe urrejtje".

Më tej, duke sqaruar pozicionin e ushtrisë serbe në zonën e Shkodrës në vitet 1912-1914, kryetari i pakicës serbe në Shqipëri është i paqartë, duke e konsideruar atë herë si ushtri pushtuese dhe herë sikur ushtria serbe ka luftuar kundër regjimit otoman që kishte pushtuar rajonin. Dhe këtë, sipas Pavlo Jankos, ushtria serbe e bëri pasi shqiptarët qëndruan indiferentë ndaj pushtimit që po i bënin turqit rajonit.

Pavlo Janko ka thënë se nuk ka vend për krahasime mes deklaratës së mitropolitit serb të Malit të Zi dhe kërkesës së Greqisë për varret e ushtarëve grekë. Ndërkohë, ai ka pohuar se memoriali për ushtarët serbë është i pranueshëm dhe pse vetë Janko pranon se ata kanë qenë ushtarë pushtues. Duke vazhduar sqarimet për vizitën e mitropolitit Radoviç, kryetari i pakicës serbe në Shqipëri është shprehur se ardhja e tij është bërë me ftesë të shoqatës "Moraça-Rozafa", e cila është bërë që para tre muajsh dhe është finalizuar dy ditë më parë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›