PS: Qeveria solli pesë projektligje anti-reformë
Opozita i mëshon idesë se qeveria ka hartuar një numër projektligjesh anti-shtet dhe anti-reformë. Kreu i komisionit për çështjet ligjore në Partinë Socialiste Ylli Manjani tja se tashmë për çdo shqiptar është e qartë se Sali Berisha ka vetëm një hall: Si të mbrohet nga akuzat që i vijnë nga Drejtësia. Sipas tij kryeministri ka zgjedhur të marrë peng shtetin ligjor, edhe këto pak muaj që kanë ngelur, dhe me këtë shtet të marrë peng të sulmojë drejtësinë. "Sali Berisha pengon sistematikisht prokurorinë dhe gjykatat të bëjnë punën e tyre. Po e ndaloj te prokuroria e të gjykatat sepse avokatinë dhe shërbimet e tjera ligjore kjo qeveri i urren gjenetikisht", theksoi Manjani. PS thotë se Qeveria ka zhytur në borxhe financiare prokurorinë dhe gjykatat duke i penguar të bëjnë punën e tyre. "Qeveria e Sali Berishës ka hartuar një numër projektligjesh anti-shtet, anti reformë e anti demokraci ndaj drejtësisë në këtë vend", vijoi ai. Teksa u ndal tek projektligji për administratën gjyqësore, noterinë, avokatinë, përmbarimin dhe ai për prokurorinë. Në këndvështrimin e PS, të gjitha këto projektligje synojnë të legjitimojnë inatin, mllefin e hakmarrjen e Kryeministrit ndaj drejtësisë që me gjithë problemet që ka po guxon të hetojë ndaj klanit të tij. "Të kërcënojnë çdo gjykatës, prokuror, noter e avokat që nuk pranon t‘i bindet Kryeministrit", shtoi ai. Manjani u shpreh se po kërkohet të gjendet një fajtor për dështimet spektakolare të Sali Berishës në luftën kundër korrupsionit. "Sali Berisha abuzon me sensibilitetin e lartë të opinionit publik ndaj drejtësisë kur nxiton të fajësojë pushtetin juridik të shtetit për të gjitha dështimet e tij në politikë. Këto qëllime të Sali Berishës tashmë janë të qarta dhe krejt të lexueshme", nënvizoi Manjani.