E Shtunë, 31 Tetor 2026

E majta dhe e djathta…

Kastriot Islami 

E majta kuvendore përfaqësohet nga “Bashkimi për Ndryshim” i drejtuar nga PS-ja në zgjedhjet e vitit 2009 dhe “Aleanca Socialiste për Ndryshim” e drejtuar nga LSI-ja. Kurse e djathta kuvendore përfaqësohet nga “Aleanca për Ndryshim” e drejtuar nga PD-ja.  Aleatët e PS dhe LSI në të majtën kuvendore përfaqësojnë vetëm 10 për qind të përmasës së saj, PS zotëron rreth 80 për qind të votave dhe LSI rreth 9.5 për qind të votave. E majta ka dy pole, PS dhe LSI, që janë në raport madhësie 1:9. Aleatët e PD në të djathtën kuvendore përfaqësojnë rreth 14 për qind. E djathta është pothuajse unipolare me PD në qendër, që zotëron rreth 86 për qind të votave dhe rreth 15 parti të vogla, që të gjitha së bashku zotërojnë rreth 14 për qind  të votave. E majta zotëron rreth 60 mijë vota më shumë se e djathta, por kjo diferencë vazhdon të ngushtohet, në periudhën 2005-2009 është zvogëluar me rreth 4 mijë ose me rreth 6.3 për qind.
Në tre zgjedhjet e fundit, të përgjithshme në vitin 2005, vendore në vitin 2007 dhe të përgjithshme 2009, sjelljet politike e elektorale të së djathtës dhe së majtës kanë qenë shumë të ndryshme.

1. Dinamika e së djathtës...

Në të tri ngjarjet elektorale, e djathta është paraqitur e bashkuar. Sasia e votave është rritur në mënyrë proporcionale në periudhën 2007/2005 me rreth 35 mijë vota dhe në periudhën 2009/2007 me rreth 50 mijë vota, duke shënuar kështu midis dy mandateve 2005 e 2009 një rritje me rreth 85 mijë vota. Kjo rritje e votave ka ardhur krejtësisht nga rritja e pjesëmarrjes. E djathta rezulton maxhorancë qeverisëse në vitet 2005 dhe 2009.

2. Dinamika e së majtës…

Nga tri ngjarjet elektorale të periudhës 2005-2009, e majta është paraqitur e bashkuar vetëm në zgjedhjet vendore të vitit 2007. Në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005 e majta e përçarë mori më pak mandate kuvendore se e majta. Kurse në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 përsëri e majta e përçarë arriti të merrte po aq mandate sa edhe e djathta (kjo edhe për shkak të sistemit zgjedhor që ishte proporcional). Ndërkohë e majta zotëronte (matematikisht) në vitin 2005 rreth 64 mijë vota më shumë se djathta dhe në vitin 2009 rreth 60 mijë vota më shumë. Duke qenë e përçarë dhe dalë në zgjedhje veças, e majta nuk arriti të maksimalizonte suksesin, ndonëse zotëronte potencialisht rreth 60-64 mijë vota më shumë. Natyrisht në këtë analizë duket se shkaku kryesor lidhet me daljen veças në zgjedhje. Por situata në të majtën është më komplekse.

Në vitin 2007 e majta e bashkuar ka marrë rreth 621 mijë vota, duke u zvogëluar me rreth 67 mijë vota në krahasim me vitin 2005. Ndërkohë që midis dy mandateve 2009 dhe 2005 e majta ka pothuajse të njëjtën rritje sa edhe e djathta, ndonëse pak më të vogël, me rreth 81 mijë vota përkundrejt 85 mijë votave që është rritur e djathta. Pra, kur PS dhe LSI u paraqitën së bashku në zgjedhjet e vitit 2007, koherenca elektorale u shfaq destruktive, që çoi jo në maksimalizimin e potencialit elektoral, por në uljen e tij. Konkretisht po të analizohet më thellësisht kjo dukuri, vihet re se LSI në vitin 2007 është rritur vetëm në kurriz të PS-së, por të dyja së bashku kanë pësuar ulje të votave.

Në vitin 2005 e majta rezulton në opozitë, ndërkohë që në vitin 2009 të dy pjesët e së majtës, Bashkimi për Ndryshim dhe Aleanca Socialiste për Integrim zotërojnë 70 mandate, aq sa edhe e djathta kuvendore. Në këtë moment ndodh ndarja më e madhe e kësaj periudhe për të majtën, njëra nga pjesët e së majtës qëndron në opozitë dhe pjesa tjetër ndërton koalicionin qeverisës me të djathtën.

3. Paradokset e sjelljeve politike dhe elektorale
të së majtës…

Duke i hedhur një sy kurbës së ecurisë së votave të grumbulluara nga e majta në periudhën 2005-2009, vihet re një "gropë elektorale" në vitin 2007, pikërisht kur ajo paraqitet në zgjedhje e bashkuar, ndërkohë që do të duhej të pritej e kundërta. Pra, e bashkuar e majta grumbullon më pak vota se në vitet 2005 dhe 2009. Kurse e përçarë e majta natyrshëm merr më pak mandate dhe kjo ndodh në zgjedhjet e viteve 2005 dhe 2009, ndonëse potenciali elektoral duhet ta përcaktonte si forcë qeverisëse.

Duket shumë pesimiste situata, sepse e bashkuar e majta nuk maksimalizon potencialin e saj elektoral dhe e përçarë ajo nuk maksimalizon suksesin e saj elektoral me mandate. Përse është kështu dhe ç'duhet bërë?

4. Mungesë identiteti dhe fragmentim…

E majta europiane vuan nga dëmtimi i identitetit dhe fragmentimi i thellë në spektrin e majtë, por edhe vetë brenda çdo force të majtë. Arsyet janë të shumta dhe nuk është vendi për t'i zhvilluar të gjitha. Kryesoret janë I) orientimi i sjelljeve dhe politikave drejt biznesit dhe harresa e problemeve dhe shqetësimeve të elektoratit të saj themelor, II) mungesa e zgjidhjeve për papunësinë, çështjet sociale dhe arsimimin, III) sjellje individualiste e ekzistencë e personaliteteve të forta, që në krye të partive të spektrit të majtë apo të fraksioneve brenda partive të mëdha nuk arrijnë të bashkëpunojnë midis tyre dhe IV) dëmtimi i solidaritetit dhe soliditetit të brendshëm për shkak të dëmtimit të hierarkive të vlerave, kontributeve dhe vlerësimeve. Mesa duket kjo lloj "sëmundje" në formën e saj ndoshta primitive rezulton të shfaqet edhe në vendin tonë. Ai që mbetet i zhgënjyer nga gjithë kjo sjellje është elektorati i majtë, i cili ndjehet potencialisht mazhoritar, qoftë edhe relativisht, por i pamundur për të pasur qeverisjen që do të realizonte synimet e tij. Kjo është sfida e së majtës… edhe shqiptare…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›