E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshtë më vonë sesa pandeh ti!

Edmond Tupja 

Po fashiten pak e nga pak komentet e kundërkomentet, analizat e kundëranalizat që paraprinë e shoqëruan, stisën e stolisën fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit, si edhe vetë këto të fundit. Mbetet – dhe do të mbetet ende për njëfarë kohe – shija që kanë lënë ato, një shije e çuditshme, midis së hidhurës dhe së ëmblës, midis së thartës dhe djegëses, por shije gjithsesi, një shije shqiptare, ballkanase, bizantine, me një fjalë, mesdhetare, pra, euro-afro-aziatike. Në këtë kuadër, parulla e LSI-së “Koha për veprim”, konvergjente deri diku, nga pikëpamja semantike, me parullën e PD-së “Koha për ndryshim”, rigjen njëfarë aktualiteti, por jo në kuptimin e saj të ngushtë fillestar. Pra, kësaj radhe në nivel qeverisjeje, duhet kaluar nga fjalët  te veprat. Fjalët, midis të cilave edhe premtimet e fushatës elektorale, kësaj shtatzënie të zgjedhjeve, rrezik t’i marrë era, kurse veprat, fryti i tyre do të mbeten, për mirë a për keq, këtë do ta ketë në dorë qeveria e ardhshme.
Pikërisht kësaj qeverie të ardhshme, ende virtuale, ndoshta në ngjizje e sipër, apo më saktë partive nga do të dalë ajo, dua t’u kujtoj diçka. Diçka nga jeta e poetit francez Charles Baudelaire (1821-1867). Në dhomën e tij, ky mbante varur një orë muri, së cilës ia kishte hequr akrepat, por që punonte rregullisht. Poshtë saj, ai kishte shkruar dukshëm: “Eshtë më vonë sesa pandeh ti!”. Po, e dashur qeveri e ardhshme, është më vonë sesa pandeh ti për ta kapërcyer vonesën 5550-vjeçare që kemi si vend, si shtet, si popull. Për këtë duhet bashkëpunuar seriozisht, ashtu siç thoshte para zgjedhjeve Edi Rama, “përtej së majtës dhe së djathtës”, veç jo në kuptimin e tij përjashtues, por në një kuptim gjithëpërfshirës, d.m.th. që e majta dhe e djathta duhet të bashkëpunojnë për të mirën e këtij vendi, e këtij shteti, e këtij populli, që me gjasë njohu 5000 vjet përçarje të të parëve të tij, veçanërisht me ilirët, 500 vjet zgjedhë otomane me përçarje sociale e fetare (ndonëse – ç’ironi! – feja e shqiptarit ishte shqiptaria) dhe 50 vjet zgjedhë e përçarje hoxhiste me luftën e klasave. Për ta kapërcyer sindromën e përçarjes, pra edhe atë të sundimit (përça e sundo!), bashkëpunimi e djathtë – e majtë më duket një zgjidhje e lavdërueshme, edhe pse jo fort e lehtë për t’u realizuar. Megjithatë, ka shembuj në botë që e provojnë këtë. Shihni rastin e Francës, ku një president republike i majtë (socialisti François Mitterrand) dhe një i djathtë (konservatori Jacques Chirac) kanë bashkëjetuar disa vite rresht përkatësisht me një qeveri të djathtë dhe një të majtë; shihni edhe rastin e Zvicrës, ku para disa vitesh u vu re e njëjta dukuri në nivel kantonal). Madje, sot, në Francën e Nicolas Sarkozy-së, në qeverinë e djathtë të François Fillon-it, ministër i Punëve të Jashtme nuk është veçse Bernard Kouchner-i, dikur figurë në zë e Partisë Socialiste.
Në këtë pikëpamje, gatishmëria e Ilir Metës për të bashkëqeverisur me Sali Berishën, më duket një ogur i mirë për politikën shqiptare, pavarësisht rezervave që kam e do të kem si ndaj të parit ashtu edhe ndaj të dytit; sidoqoftë, më mbetet t’i gjykoj të dy këta zotërinj nga veprat e jo nga fjalët; fjalët që thanë m’u dukën bindëse, me gjithë lustrën pak si tepër fisnike e atdhedashëse pas përplasjeve të tyre para e gjatë fushatës zgjedhore, por, në fund të fundit, duke u afruar e duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin, ata dëshmuan që kanë një vullnet të përbashkët për ta shpënë Shqipërinë drejt Europës e për t’i realizuar reformat e thella që kjo kërkon pashmangësisht. Sigurisht, të rrallë, në mos tejet të rrallë janë ata analistë, opinionistë e politologë që e kishin paralajmëruar me bindje, në formë teze, e jo me hamendje, në formë hipoteze, këtë afrim. Tani e tutje, duhet të mësohemi me idenë e ndryshueshmërisë së politikës shqiptare. Sapo shkrova fjalën “ndryshueshmëri”. Uroj që kjo “ndryshueshmëri” të mos përkthehet me fjalën “paqëndrueshmëri”. Një politikë e ndryshueshme, në parim, i kundërvihet çdo politike të sklerozuar apo, edhe më keq, të fosilizuar. Këtë e ilustron edhe thënia që i vishet filozofit frëng Voltaire, sipas të cilit të merresh me politikë do të thotë “të sillesh me kundërshtarin duke menduar se një ditë mund të ulesh e të merresh vesh me të, kurse me aleatin të sillesh duke menduar se një ditë ai mund të të kundërvihet e ti të ndahesh prej tij”. Këtë, me sa duket, edhe Berisha, edhe Meta e kanë kuptuar më në fund. Le të shpresojmë në të ardhmen e shpejtë e afatgjatë të një bashkëpunimi të frytshëm midis tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›