E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toro: “Shifra e qeverisë për 2009-ën, qesharake, duhet të marrim të 2008-ës përpara”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
“Vendimin dhe propozimin e kryeministrit Berisha për t u shpërndarë ky fond në ditët e para të muajit janar të 2009-ës, ne e mirëpresim dhe po presim të gjejmë rrugët se si ky fond, ai i 2008-ës, të transferohet në 2009-ën”

Kryetari i shoqatës së ish-pronarëve “Pronësi me Drejtësi”, Agim Toro, ka sulmuar hapur dje Partinë Republikane në prag të zgjedhjeve kombëtare duke thënë: “Në kushtet që PR-ja do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim, me të gjitha kontaktet që kemi me anëtarë të shoqatës sonë, rezultatet janë kundër PR-së”. Në një intervistë ekskluzive për “Ballkan”, Toro ka komentuar gjithashtu edhe vendimin e qeverisë “Berisha” për kompensimin e ish-pronarëve për vitin 2009 si dhe idenë e hedhur nga Kryeministri për shpërndarjen e fondit të 2008-ës, edhe pse është djegur tashmë, në ditët e para të muajit janar.
Qeveria shqiptare, në mbledhjen e fundit të saj, ka akorduar vetëm 1 miliard lekë më tepër, pra gjithsej 6 milionë euro, për shpronësimin e ish-pronarëve, cili është reagimi i shoqatës suaj dhe si e shikoni këtë vendim?
Me këtë shifër dhe me këto shifra që janë përdorur deri tani, duke përfshirë edhe shifrën 500-milionëshe, që nuk u përdor deri në vitin 2008, si dhe shifra prej 600 milionë lekësh që është parashikuar për 2009-ën, janë shifra jashtëzakonisht të ulëta krahasuar kjo me detyrimin që ka shteti me subjektet e shpronësuara. Duhet të kemi parasysh që 2009-a është viti i pestë i veprimit të ligjit që është në fuqi, ligj i cili ka detyrimin për t u zbatuar maksimumi brenda 10 vjetësh. Pra ngelen edhe 5 vite të tjera që shteti duhet të kompensojë, të realizojë kompensimin praktik në të holla për subjektet e shpronësuara. Është për të ardhur keq, që deri tani, akoma qeveria shqiptare nuk ka bërë publike pronat e paluajtshme, të cilat duhet të vihen në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të realizuar ato objektiva që i ka vendosur ligji. Dhe vetëm shifra prej 500 apo 600 milionë lekësh, të bëra publike, janë shifra të cilat është e dyshimtë se do të përdoren për këtë qëllim apo jo. Duhet të kemi parasysh se dështimi i shpërndarjes së fondit për vitin 2008, ishte thjesht faji i administratës publike, të ngarkuar për këtë qëllim. Pra fillon që nga Këshilli i Ministrave, i cili me vonesë të jashtëzakonshme miratoi vendimin për mënyrën e shpërndarjes së këtij fondi, vendim i cili u miratua në mes të tetorit 2008 dhe hyri në fuqi në nëntor të po këtij viti, dhe më pas AKKP-ja, duke zbatuar këtë vendim, nuk kishte asnjë mundësi praktike të shpenzonte fondin prej 500 milionë lekësh. Vendimin dhe propozimin e kryeministrit Berisha për t u shpërndarë ky fond në ditët e para të muajit janar të 2009-ës ne e mirëpresim dhe po presim të gjejmë rrugët se si ky fond, ai i 2008-ës, të transferohet në 2009-ën. Unë do t i propozoj zëvendësministrit të Financave të bëjë publike rrugën dhe mënyrën e kompensimit të këtij fondi. Këtë e them se në të gjitha bisedimet që kemi bërë me specialistë finance, na kanë thënë se fondi i vitit 2008 nuk mund të shpenzohet në 2009-ën, pasi ligji për buxhetin e shtetit 2008 e mbyll së qëndruari në fuqi më 31 dhjetor të 2008-ës, dhe më 1 janar hyn në fuqi ligji i buxhetit të shtetit për vitin 2009. Megjithatë, Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri ka pasur si qëllim një mënyrë dhe praktikë tjetër, dhe për këtë them që të bëhet publike mënyra se si do të shpërndahet ky fond. Detyrimi i qeverisë është shumë më i madh sesa këto fonde prej 500 apo 600 milionë lekësh. Në llogaritë që ka bërë shoqata jonë, fondi kalon mbi 30 miliardë euro dhe të thuash që Shqipëria duhet të kompensojë ish-pronarët brenda 5 viteve me mbi 5 miliardë euro në vit dhe ta krahasosh me shumën e dhënë prej 6 milionë euro është jashtëzakonisht e ulët. Ne nuk kemi besim se do t ia arrijë qëllimit zbatimi i ligjit, moskthimi i pronave është korrupsioni më i madh dhe e ushqen drejtpërdrejt atë.
Pas përfundimit të afatit ligjor të ligjit të miratuar më 2004, do të kërkohet një ligj tjetër nga ju apo shteti mund ta konsiderojë këtë gjë nga ana e tij të mbyllur çështjen e kompensimit të pronës?
Kur u miratua ky ligj më 2004, shoqata “Pronësi me Drejtësi” e denoncoi atë ligj, si një ligj që nuk ia arrin qëllimit për të cilin po miratohet, por nga të dyja krahët e politikës shqiptare u trumbetua me të madhe si një arritje, e cila do të zgjidhte problemet e pronarëve. Fakti që nuk e zgjidhi dhe që nuk kemi besim se do ta zgjidhë deri më 2014, do të thotë që ky ishte një ligj i keq, që politika miratoi një ligj në mosrespektim të të drejtave kushtetuese. Të kemi parasysh që prona nuk është vullneti i shumicës apo pakicës, ta marrin apo të mos e marrin pronarët. Pra në rastin e pronave nuk ka të bëjë forca e kartonit, ka të bëjë me një detyrim që ne duhet të plotësojmë standardet e BE-së. Kthimi dhe kompensimi i pronës është detyrim që nuk varet nga vullneti i politikës. Ne nuk kërkojmë asgjë më tepër se respektimin e të drejtave tona, për zbatimin e ligjeve dhe afateve për shpërndarjen e fondeve të kompensimit. Si shoqatë themi që duhet urgjentisht të ulemi për të hartuar një ligj të ri, i cili të respektojë Kushtetutën dhe të mbështetet mbi kthimin fizik të pronës dhe jo mbi kompensimin, pasi ligji i 2004-ës mbështetet mbi kompensimin. Kompensimi është i pamundur të realizohet prandaj dhe duhet ndryshuar forma e zgjidhjes së problemit.
Për sa i përket kthimit fizik, qeveria ka ngritur një komision të posaçëm që do të bëjë verifikimin e titujve të pronësisë, por ky komision nuk po funksionon ende. Sa e ndihmon kthimin e pronës ky process, sipas gjykimit tuaj?
Politika shqiptare po sillet në një vorbull të cilën ne si shoqatë e kemi përcaktuar me kohë. Abuzimi me pronën, sidomos me ligjin 7501, ka qënë i përmasave gjigante. Vetëm në fermat bujqësore - ne i kemi denoncuar me studime - madje, edhe të botuara në gazeta, ka një abuzim prej 120 mijë hektarë tokë. Ligji 7501 është zbatuar vetëm në 20% të sipërfaqes së tokës bujqësore, kurse pjesa tjetër nuk e ka respektuar këtë ligj. E kanë ndarë tokën fshatçe, kanë ndarë tokën sipas interesave korruptive të drejtuesve të pushtetit lokal, sipas interesave korruptive të komisioneve të ndarjes së tokës, kanë ndarë toka që nuk i përkisnin ligjit 7501. Ky është korrupsioni më galopant dhe më i vërtetë në Shqipëri. Parlamenti shqiptar më në fund e pranoi në një farë forme këtë fakt, dhe për këtë hartoi një ligj, për verifikimin e titujve të pronësisë, ligj që hyri në fuqi në muajin korrik apo gusht të 2008-ës dhe, megjithatë, praktikisht nuk po aplikohet. Ne mendojmë se mosaplikimi i ligjit nuk është pasojë e defekteve administrative të vogla apo të mëdha, por pasojë e mospasjes vullnet për t i hyrë e për të parë në sy korrupsionin në vend. Ata morën përsipër se do të anulonin të gjithë këta tituj pronësie, të fituar në mënyrë të paligjshme, të shikojmë se çfarë do të na bëjnë. Ne jemi në pritje, mendimin tonë e kemi bërë publik.
Në politikë ka një opinion, i bërë publik, ku për sa i përket procesit të legalizimeve ai është përdorur nga qeveritë si një lloj ngjitësi elektoral për të garantuar votën. Ndërkohë s mund të thuhet një gjë e tillë për ish-pronarët, çfarë qëndrimi do të mbajnë në këto zgjedhje kombëtare ish-pronarët, duke parë se në shumicë janë paraqitur si një shtresë e cila mbështeste djathtas?
Ligji i legalizimeve është ligji i katërt që miratohet, i pari daton më 1998, ligj i cili u miratua me bujë po ashtu mbeti edhe në sirtar. Më pas kemi ligjin e socialistëve në 2004-ën, ligj që s ka nevojë për komente, pasi nuk gjeti zbatim. Në 2006-ën u miratua një tjetër ligj, i cili u trumbetua si sukses, duke pasur parasysh se në fushatën elektorale të 2005-ës PD-ja kartën e legalizimit e kishte një nga kartat më të forta të veta dhe të gjithë, po t i bëjmë një analizë botës shqiptare, PD-ja nga një parti qytetare arriti që të marrë votat më të shumta në zonat rurale, sepse përdori kartën e legalizimit. Dhe megjithatë, ne si shoqatë thamë se legalizimi nuk do të bëhet, dhe prapë e themi një gjë të tillë. Ne themi që legalizim nuk ka ndodhur, thjesht ka dalë një parashikim i pronës. Ndryshimet që iu bënë në 2008-ën këtij ligji, që thuhet se e ndryshuan të gjithë fizionominë e ligjit, treguan që ai ligj i 2006-ës nuk gjeti zbatim në praktikë, nuk është faji i shoqatës së ish-pronarëve. Ne vërejmë një fenomen të tillë, dalin në shumë media lista legalizimesh, ish-pronarësh, por realisht nuk po shikojmë të botuar në aktet zyrtare të Këshillit të Ministrave, pra në fletoren zyrtare, aktet normative se si pronarëve do t u hiqet prona? Cilët pronarë do të humbasin pronën? Në çfarë mase do ta humbasin? Si do të urdhërohet Zyra e Regjistrimit të Pasurisë për t i çregjistruar këta pronarë? Çfarë të drejte kanë këta pronarë për t iu drejtuar institucioneve mbrojtëse të tyre? Kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në rrugë administrative, gjyqësore apo ta çojnë deri në Strasburg? Të gjitha këto janë veprime të detyruara të pushtetit të Shqipëri. Kanë qenë pikërisht këto pengesat kryesore që ligji i legalizimeve nuk është zbatuar deri më sot. Jemi në prag të një viti elektoral dhe zgjedhjet po afrojnë dhe ndërtimet pa leje po lulëzojnë, ku në bazë të shifrave të ALUIZNI-it janë rreth 350 mijë, kjo do të thotë që janë gati një milion shqiptarë që jetojnë në zonë informale, të pasigurt, që kërkojnë medoemos të legalizohen, që kërkojnë që forca politike, për të cilën do të votojnë ata, t i legalizojë një orë e më parë. Dhe detyrimisht, kjo kategori ka një peshë të madhe në votën elektorale, çdo parti politike do ta vlerësonte këtë numër, me qëllim që të fitojë zgjedhjet. Nuk është vullneti i shoqatës për ta penguar apo për ta lejuar legalizimin, është vullneti i gjithë individëve që preken nga to. Legalizimi në këtë formë është i dështuar.
Partia Republikane, nëpërmjet kryetarit të Grupit Parlamentar të PR-së, Arjan Madhi, ka deklaruar se është ajo përfaqësuesja e vërtetë e shtresës së ish-pronarëve dhe jo shoqata “Pronësi me Drejtësi”, cili është opinioni juaj për këtë?
Nuk na vjen mirë që ka përplasje të tilla midis PR-së dhe shoqatës. Ç është e vërteta, PR-ja, deri në zgjedhjet e 2005-ës, ka qenë aleatja jonë, përkrahësja jonë dhe e kemi pasur përkrah jo thjesht në Parlament, por edhe në takimet që kemi bërë ne me faktorin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar. Pra, politikisht, ne kishim një mbështetje që lidhej me emrin e Partisë Republikane. Pas zgjedhjeve të 2005-ës, kur PR-ja u radhit ashtu siç e meritonte, në kuptimin më të mirë të fjalës, në aleancë me PD-në dhe bashkëqeverisën, ndodhi një fenomen që ne nuk na erdhi mirë. Partia Republikane nuk ishte më ajo përkrahësja e interesave të pronarëve, po ishte një parti që, në disa raste, i dha frymëmarrje negative miratimit të ligjeve, siç është ligji i legalizimeve, siç janë ndryshimet e ligjit për pronën. Ishte kjo parti, e cila, në vend të mbronte interesat e pronarëve, përkundrazi solli regres në interesat e pronarëve. Megjithatë, ne nuk kemi marrë dhe s kemi për të marrë përsipër të gjykojmë PR-në, është një parti e cila ka për objektiv të saj të fitojë votat dhe në 2005 ajo u shpall partia fituese e zgjedhjeve, pavarësisht mekanizmit të Kodit Zgjedhor, ku një parti që merrte më shumë vota mund të mos ishte me më shumë deputetë në Parlament, por fakti që ajo mori mbi 20% të votuesve shqiptarë do të thotë që mori dhe votat e pronarëve, dhe kjo ishte një fitore e saj pikërisht për atë pozicion që mbajti. Sot ky pozicion ka ndryshuar, shoqata jonë jo vetëm që nuk e ka më përkrah PR-në, pasi kjo parti nuk është në pozitat e veta. Zoti Madhi bëri një aludim në një media, dhe tha që “mos dëgjoni krerët e shoqatës por na dëgjoni ne”, duke thënë se pronarët janë me mijëra dha kanë besimin e PR-së. Mendoj se zotin Madhi të mos e gënjejë mendja, sepse shoqata jonë është ajo që është, dhe ka mbi 15 vjet që lufton për pronat, nuk ka qenë asnjëherë e lëkundur në mendimin e saj, dhe nuk do të bëjë kompromis me asnjë parti politike. Në kushtet që PR-ja do të vazhdojë të mbajë këtë qëndrim, me të gjitha kontaktet që kemi ne me anëtarë të shoqatës sonë, rezultatet janë kundër PR-së. Na vjen keq që po e themi, por nuk e kemi atakuar zotin Madhi për qëndrimet e veta, është quajtur si një qëndrim që diti ai të zgjedhë, partia e vet e ngarkon atë me këtë punë, përgjegjësinë e mban ai dhe PR-ja. Por po ia themi shumë thjesht Madhit, ashtu siç nuk e kemi sulmuar, rezultatet e zgjedhjeve të 2009-ës po afrojnë, të shikojmë do të jetë shoqata në pozitat që ka qenë apo PR-ja?!

Bisedoi Plarent Shehu
Ky lajm është publikuar: 07/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›