E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuha e detyrave të librave, sa fjalë të mëdha për 4-vjeçarët

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Unë jam katrori” (Fq. 6). Parashkollori prezantohet kështu me figurën e parë, katrorin. Por në vend të katrorit, një drejtkëndësh i del para syve. Dhe fëmija nuk e di se një katror i zgjatur, i deformuar, shndërrohet në figurën gjeometrike të drejtkëndëshit. Të vjen keq që një libër parashkollori i mirë, si “Logjika dhe matematika për të vegjël (1)”, “të prish syrin” me figurat e deformuara.
Për të mos folur pastaj për dobësitë e gjithanshme të vjershave, të cilat nuk kanë lidhje me ndonjë art vjershërimi, por nuk përmbajnë as dhuntinë minimale të një improvizuesi popullor: Ato vuajnë edhe këtu , si edhe në librat e tjerë parashkollorë nga situatat e pakuptimta, “budallallëqe” për hir të rimave, mungesë e njohjes apo e zbatimit të rregullave të ndërtimit të vargjeve, mungesë fantazie…duke injoruar krejtësisht gjininë e vjershës. Ja një shembull ilustrues: E gjelbër bretkosa, kuak-kuak/ Lepurushi i kuq trembet sakaq…Dhe nuk është një lepurush lodër, por edhe në lodra, maksimumi lepurushin e bëjnë të kaltër ose rozë. Ndonëse nuk jemi poetë, ja ku gjejmë tani pa u lodhur, një varg më të përshtatshëm, edhe më brenda rimës, edhe me një tog anomatope që i shkon togut të vargut të parë: E gjelbër bretkosa kuak-kuak/ bardhush-lepurushit i bën zemra tak-tak”.
Prapë standardet…
Një libër parashkollori për grupin e parë që i përgjigjet moshës 3-4 vjeç, u drejtohet fëmijëve me fjalë që nuk dallojnë nga ato të një detyre për 6-vjeçarë apo 8-vjeçarë. Komunikimi nuk merr parasysh stadin e zhvillimit të fëmijëve. Ja përshembull: “Verifikoni çastet kohore…përputhjen…(f.24); “…Gjendjet e përparme…(f.23)”; “Numrat që bashkohen, krijojnë figurë (deri në numrin 64)…(f.22); “Kërkoni shkakun e lidhjes së objekteve me njëri-tjetrin (f.26)”. Në këto formulime, fëmija përballet me fjalë që nuk i përkasin grupit të fjalëve që duhet të zotërojë e njohë deri në 4 vjeç, për vetë kuptimin abstrakt të tyre. I kërkohet të verifikojë, i flitet për çast kur nuk ka nocionin e kohës, i serviret “përputhja”, kur këtë fjalë do ta kuptojë vetëm disa vite më vonë; flitet për “gjendje” dhe “të përparme”, të cilat nuk mund të perceptohen, rrjedhimisht, as të deshifrohen nga fëmija. I kërkohet të bashkojë pikat e 64 numrave, kur sapo ka nisur të mësojë numrat e parë, e ata fillimisht mekanikisht…Në librin e parashkollorit gjen fjalën “frymorët” për të treguar bashkësinë e bletëve, fluturave, karkalecave…kur fëmija 3-4 vjeçar ende nuk ka aftësinë e klasifikimit dhe të grupimit dhe për më tepër, kur të gjitha këto gjallesa, para se të futen në një klasë më të madhe, futen së pari në klasën e ngushtë të insekteve. Nëse do të përdorej emërtimi “insekt”, fëmijës do t i vlente më tepër për të grupuar të gjitha ato krijesa të vogla dhe do t i shtonte gradualisht shembujve të librit edhe të tjera nga përvoja e tij si grerëza, miza, mushkonja, etj. Duke vazhduar me të tjera formulime të papërshtatshme kërkesash, po sjellim shembujt e mëposhtëm: “Provoni kujtesën vizive duke ballafaquar…”; Kontrolloni qartësinë e konceptit i vërtetë-i gënjeshtërt…”. Në formulimin e kërkesave duhet të përdorej tjetër regjistër kur u drejtohen edukatoreve dhe tjetër regjistër kur u drejtohen fëmijëve. Në faqen 31 gjendet një detyrë për plotësim vargu, që është relativisht e vështirë edhe për të rriturit, ndërkohë që një nga elementet themelore të lojës janë dritat e ndezura në dritare, që thuajse nuk bien në sy për shkak të ngjyrës dhe hapësirës shumë të vogël. (Shikoni në figurë dhe zgjidheni detyrën).
Sikurse kemi parë edhe në libra të tjerë, edhe librat “Logjika dhe matematika për të vegjël” kanë probleme hera-herës me ngjyrat, dhe në fakt janë vërtet problem, kur ushtrimi është i lidhur me to. Njëri prej tyre thotë: “Qarkoni gjethet e verdha”, por aty veç njërës, nuk ka asnjë gjethe tërësisht të verdhë. Ato janë në raporte me të kuqen ose të gjelbrën. Ushtrimi pretendon se të tjerat që do të mbeten jashtë qarkimit, janë gjethet jeshile, por as jeshilet nuk janë jeshile.
Logjika dhe matematika për të vegjël, 3 e cila u dedikohet fëmijëve të grupit të tretë të kopshtit, që përgatiten për klasën e parë (për këtë arsye, tekstet e kësaj moshe duhet të shënojnë një hop të dukshëm krahasuar me tekstet e dy grupeve më të vogla të kopshtit), me gjithë fantazitë dhe ilustrimet e bukura dhe gërmën shumë të mirë, humbet pikë në cilësinë e keqe të bojërave në disa faqe, gjë që vështirëson zgjidhjen e detyrave. Një dorë e vizatuar keq, e që me zor dallohet në është pamja e parme apo e prapme e saj, kërkohet të gjendet në është e majtë apo e djathtë! (f.47). Ndërsa gabimet gjuhësore të forcojnë dyshimin se në stafin e autorëve nuk ka gjuhëtarë: Përemri “kush” që përdoret vetëm për frymorë, del për të pyetur për cilësi apo rrethana, të tilla si: Kush është e kundërta? I shkurtër, i hollë, jashtë etj. Ndër gabimet gramatikore që kemi vërejtur, po përmendim: Lojrat (për lojërat), elementë (për elemente), në kutia (për në kutira), lapsusin vogoni (për vagoni), spjegoni (për shpjegoni) etj.
Ky lajm është publikuar: 06/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›