E Shtunë, 31 Tetor 2026

E marrin peng për borxhin 10 mijë lekë

• PUKE - Merret peng 17-vjeçari pse i mbeti një pike lotosh sportive 10 mijë lekë.Nëna e adoleshentit V.Doda, banor i Fushë-Arrësit, ka pritur të dielën pasdite që i biri të kthehej në shtëpi, por vonesa e tij e ka shqetësuar. Pas njoftimit të policisë u vunë në pranga dy të rinj, Nikolin Gjoni, 21 vjeç dhe Arjan Lleshi, 22 vjeç, nga fshati Gjegjan i Pukës, duke i akuzuar ata për "heqje të paligjshme të lirisë". Ngjarja, sipas burimeve zyrtare, ka ndodhur rreth orës 18:00 në qendër të qytetit të Fushë-Arrësit, kur dy të akuzuarit futën në makinë me forcë 17-vjeçarin. Nikolin Gjoni punonte në një lokal lotosh sportive, ku Doda, pasi kishte vënë disa shuma parash u ka mbetur borxh 10 mijë lekë. Borxhi i pashlyer i ka shtyrë të rinjtë ta kërcënonin adoleshentin. Dy pengmarrësit i kanë telefonuar kushëririt të pengut, duke i kërkuar atij shlyerjen e borxhit kundrejt lirimit të V.Dodës. Informacioni i përcjellë në polici ka çuar uniformat blu në zbulimin e vendit ku ndodhej makina me pengun. Dy autorët janë arrestuar në kushtet e flagrancës, ndërsa në cilësinë e provës materiale u bllokua dhe makina "Benz" 250 me targë TR 2681 M.                                    r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›