“Të rinisë reforma zgjedhore”
• “Reforma zgjedhore kërkon qëndrim larg interesave partiake”.aristir lumeziKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje rifillimin e menjëhershëm nga puna të Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, si dhe ftoi partitë parlamentare që “të qëndrojnë larg interesave partiake për të realizuar një reformë të mirëfilltë të sistemit dhe infrastrukturës elektorale”. Gjatë një konference për shtyp, Rama u shpreh se, “debati për reformën zgjedhore duhet të zhvillohet në tryezën e përfaqësuesve të mandatuar të partive në Parlament, dhe jo thjesht e vetëm në televizione e gazeta”.“Kjo është një reformë e vështirë, një reformë që ngjall debat të zjarrtë kudo në botën demokratike, dhe që si çdo reformë tjetër prek pashmangshmërisht status quo-në, por që duke pasur në mes interesat e drejtpërdrejta të partive, e rrit natyrshëm në një nivel krejt të pazakonshëm ndjeshmërinë e çdo force politike”, deklaroi Rama. Duke iu drejtuar aleatëve të tij, të cilët kanë shprehur vazhdimisht dyshime për reformën zgjedhore, Rama i ftoi ata që “ta orkestrojnë këtë proces delikat me maturi dhe të debatojnë me pasion dhe pa mllef”. “Duhet të ushqejmë njëri-tjetrin me pikëpamje e argumente, të bëjmë më të mirën për të forcuar demokracinë e parlamentarizmin dhe për ta nxjerrë njëherë e mirë Shqipërinë nga lista e zezë e vendeve që nuk bëjnë zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve evropiane”, tha Rama. Kreu i PS-së vuri në dukje se, “nuk duhet të prodhohen më parlamente Dushku, të cilët lindin nga trafikimi i votës të deputetëve, jetojnë me trafik votash e deputetësh dhe marrin peng zgjedhjet e Parlamentit të ardhshëm përmes trafikut të votave e të deputetëve”. Duke parashtruar sërish qëndrimin e PS-së për reformën zgjedhore, kreu socialist tha se, “PS-ja nuk do të pranojë më zgjedhje pa karta identiteti, pa lista që burojnë prej Regjistrit Kombëtar të Zgjedhësve dhe pa një sistem e kod zgjedhor që të mos lejojnë as trafikimin e votës e të deputetëve dhe as renditjen e këtyre të fundit pas zgjedhjeve, përmes të ashtuquajturave lista të hapura, të cilat bien ndesh me parimin e barazisë së zgjedhësve”. Rama u shpreh për një sistem funksional. “PS-ja nuk paragjykon asnjë sistem zgjedhor dhe nuk vendos kusht për asnjë të tillë, por mbron bindjen e plotë se, cilido qoftë sistemi që do të zgjedhim, ai duhet të jetë një sistem elektoral funksional në një demokraci evropiane, një sistem që garanton përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në Kuvend, një sistem që garanton krijimin e qeverisë mbi bazën e një programi e të një shumice të shprehur nga vetë populli”, tha Rama.