Mungojnë avokatët, shtyhet sërish procesi për masakrën e Cërrikut
Mungesa e avokatëve sërish ka qenë shkaku i shtyrjes së seancës për procesin mbi dosjen “Masakra e Cërrikut”. Burime pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda pohuan dje për gazetën “Albania” se në sallën e gjyqit nuk ishin dy avokatë. Prokurori i çështjes ka kërkuar që kolegji penal të marrë masa ndëshkimore ndaj mbrojtësve. Ndërkohë që pjesa tjetër e avokatëve që kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit u shprehën se ndëshkimet nuk duhet të ishin kolektive, por individuale. Kjo është e hera e dytë radhazi që shtyhet procesi gjyqësor për këtë dosje. Nga momenti që u hap dosja “Masakra e Cërrikut”, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka prerë dhjetë fletë-arreste. Midis tyre dhe zyrtarë të lartë e deri te ish-punonjës Policie. Policia e Shtetit dhe Prokuroria për Krime të Rënda arriti të ulë në një farë mënyre dhimbjen e familjarëve të efektivëve të Gardës, Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi, që para një viti morën medaljen “Dëshmor i Atdheut”. Të arrestuar janë ndaluar Llazar Bici, 45 vjeç, Roland Xhepaxhiu, 39 vjeç dhe Met Bozi, 49 vjeç, të tre banues në Cërrik. Ndaj shtetasve të ndaluar rëndojnë akuzat për “vrasje me dashje, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, e kryer në bashkëpunim më shumë se një herë, “vrasjes me dashje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës”, kryer në bashkëpunim ngelur në tentativë më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 79/c/dh-25: 79/c/dh-25-22 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Materialet hetimore në ngarkim të të tre të ndaluarve i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Më tej kësaj liste iu shtuan vëllezërit Alban dhe Arjan Toska, vëllezërit Bujar dhe Tomor Buzani, së fundi Skënder Cano, ish-oficer i Xhenios, dhe Entel Gashi.
10 Shtator 2008