Prokuroria: Kontrata fakton implikimin e Mediut
Prokuroria e Përgjithshme i deklaroi Parlamentit se gjashtë ditë para se të firmosej urdhri për demontimin e municioneve në Gërdec, ndërmarrja “MEICO” kishte lidhur kontratë me shoqërinë “SAC-Albademil” në datën 19 prill 2007, kontratë e cila ka qenë pjesë e praktikës së projekt-urdhrit të dërguar për t‘u nënshkruar te ish-ministri Mediu. Kontrata i paraprin në kohë urdhrit, i cili ka përligjur kontratën, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta, sepse shitja e municioneve është një e drejtë vetëm e ministrit të Mbrojtjes, që materializohet me urdhrin e tij. Prokuroria argumenton se ka qenë kërkesa e “SAC-Albademil” e materializuar në kontratë ajo që është marrë parasysh nga ish-ministri i Mbrojtjes për caktimin e Gërdecit si vend për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve. Në urdhrin e Mediut nuk është parashikuar qartë dhe shprehimisht se kush do t‘i mbulonte shpenzimet e ngarkimit dhe transportit të municioneve nga depot e komandave të FA-së për në Gërdec-Vorë, ndërkohë që transporti i këtij municioni i është ngarkuar Forcave të Armatosura.
10 Shtator 2008