E Shtunë, 31 Tetor 2026

E mban fjalën

Prej këtij muaji, shërbyesit civilë, policët, mësimdhënësit, invalidët e luftës, ata të dëshmorëve dhe kategori tjera do t’i marrin rrogat me 50 për qind rritje. Këtë vendim, Kryeministri në largim Hashim Thaçi e vulosi të enjten, në mbledhjen e Qeverisë. Paratë do të sigurohen nga luftimi i ekonomisë së zezë dhe kontrabandës. Policia dhe shoqata tjera falënderojnë Qeverinë, ndërsa disa parti politike, vendimin e quajnë antikushtetues Nga Agon Sinanaj më 07 janar 2011 në ora 08:10

Shërbyesit civilë, policët, mësimdhënësit, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës prej këtij muaji do t’i marrin pagat me rritje. Këtë vendim, kryeministri Hashim Thaçi, e vulosi me dorën e tij të enjten në mbledhjen e Qeverisë. Kështu, mësimdhënësit do ta marrin pagën për 50 për qind më të madhe, policët për 40 për qind, dhe 30 për qind shërbyesit civil.

Këto para, sipas drejtuesve të Qeverisë, do të sigurohen nga luftimi i ekonomisë së zezë dhe kontrabandës. Megjithatë, nuk dihet ende nëse për ketë punë do të pajtohet Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe se kah do të merren saktë parat. Duhen mbi 100 milionë euro që të mbulohet kjo rritje.

Në anën tjetër, kryeministri Thaçi, ka thënë se gjithçka është planifikuar dhe se rritja e pagave është në suazat e ligjeve të Kosovës.

“Ne jemi vend i pavarur dhe sovran, vendimet janë tonat. I gëzofshim vitin e parë, për këtë vit të ri të gjithë punëtorët e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka sqaruar se paratë për këtë punë do të sigurohen nga luftimi i ekonomisë së zezë dhe kontrabandës. Këtë punë, sipas Shalës, do ta kryejnë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Dogana.

“Kam kërkuar nga ATK dhe Dogana t’i rishikojnë planet për të hyrat që të mbledhin sa më shumë taksa”, ka thënë Shala.

Bazuar në këtë, këtyre dy institucioneve do t’u duhet të “djersiten” gjatë vitit 2011, sepse për t’i rritur të hyrat u kërkohet ta luftojnë ekonominë e zezë dhe kontrabandën.

Sipas Shalës, kjo është diçka e mundshme. “Na duhen mbi 100 milionë euro për zbatimin e vendimit të Qeverisë”, ka thënë ai.

Megjithatë, mbetet e paqartë se a do të pajtohet për këtë punë Fondi Monetar Ndërkombëtar. Kosova ka hyrë në program me ketë institucion, ku i kërkohet Qeverisë të jetë shumë e kujdesshme nga shpenzimet e tepërta. Pikërisht lidhur me këto rritje, Fondi i çoi një selam Qeverisë, ku i kërkon kujdes.

Edhe Ahmet Shala e pranon se mbetet sfidë që të bindet FMN-ja. Megjithatë, në fund të fundit ai thotë se Kosova është tashmë shtet dhe se e di çka bën.
“Jam mjaft i sigurt që do të qëndrojmë në program me FMN-në”, ka thënë ai.
Ndërkaq, lidhur me atë se vendimi është marrë pa u miratuar buxheti, Shala ka shpjeguar se do të ridizajnohet projektbuxheti i vitit 2011 dhe do të përshtatet sipas ndryshimeve të fundit. Pas kësaj, i njëjti i dërgohet Kuvendit që do të zgjidhet për miratim. Gjithashtu ka sqaruar se këto ndryshime në projektbuxhet vijnë pas zgjedhjeve të parakohshme dhe rrethanave të reja të krijuara.

Duke filluar nga 1 janari, mësimdhënësit parauniversitarë do të marrin pagë 50 për qind më të lartë. Familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës do të kenë ngritje prej 50 për qind, policia e Kosovës 40 për qind, shërbyesit civilë 30 për qind, pasuar nga zyrtarët doganorë , punëtorët shëndetësorë dhe zjarrfikësit. Vendimet për rritjen e pagave kanë ardhur pas premtimeve dhe memorandumeve që kryeministri në dorëheqje pati nënshkruar gjatë fushatës zgjedhore në dhjetor të vitit të kaluar.

Rritja sipas kategorive

Familjet e dëshmorëve dhe invalidët – 50 për qind
Mësimdhënësit – 50 për qind
Policia – 40 për qind
Shërbyesit civil – 30 për qind
Zyrtarët doganorë – 30 për qind
Punëtoret shëndetësore – 30 për qind
Zjarrfikësit – 30 për qind

Policia falënderon Qeverinë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka falënderuar Qeverinë e Kosovës për përkushtimin që po bën përkitazi me përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pagave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës për 40 % për vitin 2011 e që vlen nga janari i këtij viti është një motivim i lartë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës për realizimin dhe zbatimin e detyrave që parashtrohen para tyre”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Pagat janë fushatë
Vendimi i kryeministrit Hashim Thaçi, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, për rritje të rrogave një pjese të punëtorëve të shërbimeve publike dhe një pjese të kategorive sociale është vendim antikushtetues në njërën anë dhe shpërdorim i parasë publike pa asnjë planifikim nga ana tjetër. “Hashim Thaçi nuk ka të drejtë si kryeministër në dorëheqje që të marrë vendime të këtij lloji në emër të qeverisë, sepse kjo qeveri nuk ka fuqi ekzekutive në situatën në të cilën gjenden institucionet e Kosovës e aq më pak për çështje buxhetore, kur dihet se buxheti nuk mund të miratohet pa u konstituuar Kuvendi i ri Kosovës”, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizje. Rrjedhimisht ky vendim i Hashim Thaçit, sipas Vetëvendosjes, nuk ka bazë kushtetuese, por është shkelje e radhës që po përdoret si karrem për të fituar votat e qytetarëve të varfër të Kosovës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›