E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpëtojnë mrekullisht

Rreth 30 udhëtarë nga Kosova kanë shpëtuar mrekullisht nga aksidenti i rëndë që ka ndodhur në Augsburg të Gjermanisë. Ata ishin nisur nga Prizreni dhe, përveç dy prej tyre që do të operohen, por nuk janë në rrezik për jetën, të tjerët janë mirë Nga Jeton Musliu më 07 janar 2011 në ora 08:03

Aksidenti në Gjermani i autobusit me udhëtarë të Kosovës, i cili mund të sillte tragjedi, mrekullisht ka përfunduar vetëm me disa të lënduar.

Reshjet me ngrica kanë bërë që të enjten në mëngjes, autobusi i kompanisë “Vector” që udhëtonte nga Prizreni drejt Frankfurtit, të përplaset me një kamion në autostradën A8 Mynih-Shtutgart.

Sipas policisë së landit të Bavarisë, të cilët citohen nga mediat gjermane, në këtë aksident janë lënduar rreth 30 persona, katër prej të cilëve më rëndë.

Pavarësisht kësaj, të gjithë kanë shpëtuar dhe asnjëri nuk është në rrezik për jetë, ndonëse disa pritet t’i nënshtrohen edhe operimit.

Pas aksidentit ka reaguar menjëherë edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin dhe ambasadori i shtetit, Vilson Mirdita, ka autorizuar konsullin që të merret direkt me rastin.

Në një deklarim të ambasadorit Mirdita, ka sqaruar se të gjitha familjet kanë kontaktuar me të afërmit e tyre, udhëtarë në këtë autobus.

Vahid Karavidaj, përfaqësues i kompanisë “Vector”nga Prizreni, sqaron për Express se ka kontaktuar vazhdimisht me personelin e autobusit.

“Të gjithë ata kanë kontaktuar me anëtarët e familjeve të tyre dhe dy prej tyre pritet të operohen, por nuk janë në rrezik për jetë, edhe pse nga fotografitë shihet që aksidenti ka qenë shumë i rëndë”, thotë Karavidaj për Express.

Ai sqaron se autobusi i takon linjës së rregullt Prizren-Stuttgart-Frankfurt dhe aksidenti ka ndodhur në Augsburg për shkak të ngricës në rrugë.

Ndërkohë, mediat gjermane, duke u bazuar në të dhënat e policisë së Augsburgut, tregojnë se autobusi me udhëtarë ka rrëshqitur, në përpjekje për të ndaluar pasi para tij ishte shkaktuar një aksident në mes të tre kamionëve dhe një veture.

Autobusi nga Kosova është goditur pastaj nga pjesa anësore nga një kamion tjetër duke bërë që mjeti me udhëtarë të rrotullohet anës autostradës.

Sipas policisë së atjeshme, vozitësi i kamionit dhe i autobusit si dhe dy udhëtarët nga Kosova, kanë pësuar lëndime të rënda kurse të tjerët kanë marrë lëndime të lehta trupore.

Pavarësisht se udhëtarët, shumica kanë pësuar vetëm tronditje, bazuar në ligjin gjerman, pas aksidentit, të gjithë ata duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve mjekësore.

Përfaqësuesi i kompanisë “Vector”, Vahid Karavidaj tregon se udhëtarët që ndodheshin në autobus, janë shtetas të Kosovës, nga rajonet e Prizrenit, Prishtinës dhe Gjilanit.

“Pas të gjitha verifikimeve dhe kontrolleve, ata do të lirohen për në shtëpi”, u shpreh ai. Në të dy drejtimet, autostrada ka qenë e mbyllur për disa orë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›