E Shtunë, 31 Tetor 2026

QKUK nxehet me naftë

QKUK gjeti zgjidhje si të ngrohet. Zyrtarët e saj morën përsipër ta blejnë vetë naftën, e punët teknike t’i kryejë Termokosi. Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK’së, Lulëzim Emini, nuk tregoi sa do t’i kushtojë nafta, kur për një orë harxhohen 1 mijë e 120 litra ose 26 mijë e 880 litra në njëzet e katër orë. Nga Nebih Maxhuni më 07 janar 2011 në ora 08:33

Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe ndërmarrja Termokos kanë nënshkruar marrëveshje që spitali më i madh në vend, të furnizohet me ngrohje.

Por, ngrohja nuk do të bëhet më mazut. Pacientët e qendrës më të madhe mjekësore do të ngrohen këtij dimri me naftë, të cilën do ta blejë QKUK-ja.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së, Lulëzim Emini, nuk tregoi se sa para do t’i kushtojë nafta buxhetit të kësaj qendre.

Për një orë ngrohje me naftë të QKUK’së shpenzohen 1 mijë e 120 litra naftë. Në temperatura të ulëta duhet të ndizen të dy flakëruesit, kurse në temperatura pak më të larta, vetëm njëri që shpenzon gjysmën e kësaj sasie.
Këto shifra janë publikuar vetëm disa ditë më parë në një komunikatë për media nga vetë kompania publike Termokos.

“Ende është herët të dihet se sa do t`i kushtojë kjo QKUK`së. Kjo varet se sa do të kërkohet që të nxehje. Diku pas 10 ditësh ose më shumë, mund të dihet saktë”, tha Emini.

Nënshkrimin e marrëveshjes, të enjten, e kanë bërë u.d i Drejtorit i QKUK`së, Emini, drejtoresha e Termkosit, Fllanza Pula dhe sekretari i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

“Kjo marrëveshje do të jetë e vlefshme deri në momentin e stabilizimit të furnizimit me ngrohje nga Termokos”, ka thënë Emini.

Sipas tij, duke pasur parasysh faktin se QKUK po ballafaqohet me mungesë të ngrohjes për klinikat dhe shërbimet e saj dhe duke marrë për bazë faktin se Termokos po ballafaqohet me krizë financiare, atëherë është menduar për zgjidhje alternative.

“Sigurimi i ngrohjes do të bëhet nga nënstacioni, i cili gjendet në afërsi të QKUK-së”, theksoi Emini.

Tri ditë para Vitit të Ri, kur QKUK kishte ndezur alarmin se pacientët po mërdhijnë nga të ftohtit për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore, kishte reaguar Termokos.

“Termokos do të sigurojë ngrohje veçmas për pacientët e QKUK’së, përmes nënstacionit të veçantë me naftë, i cili gjendet aty. Sigurimi i naftës bëhet përmes një kontraktori tjetër, në masë 12 mijë litra, duke u futur sërish në borxhe për të siguruar një furnizim vetëm për QKUK”, patën thënë zyrtar të lartë të kësaj ndërmarrje.

Sipas tyre, një flakërues i nxehtësisë shpenzon 560 litra naftë në orë, kurse të dy flakëruesit në nënstacionin e QKUK, harxhojnë bashkërisht në orë 1120 litra naftë.

“Ky furnizim me naftë shumëfish i kushtueshëm materialisht, do të thotë sigurim edhe për pak ditë ngrohje për këtë institucion shëndetësor, meqë teknikisht nuk mund të bëhet furnizimi vetëm me naftë për qytetin nga kaldajat e Termokos”, patën thënë ata.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›