Sindikata e policisë falënderon Qeverinë
Sindikata e Policisë së Kosovës e ka falënderuar publikisht Qeverinë e Kosovës, sikur thuhet, për përkushtimin e saj për përmirësimin e mirëqenies së pjesëtarëve të Policisë.
“Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për ngritjen e pagave për pjesëtarët e Policisë së Kosovës për 40 % për vitin 2011 e që vlen nga janari i këtij viti është një motivim i lartë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës për realizimin dhe zbatimin e detyrave që parashtrohen para tyre”, thuhet në një komunikatë shtypi të kësaj sindikate, ditën që Qeveria miratoi vendimin për rritjen e pagave, sikur ishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore nga kryeministrit Thaçi.
“Bashkëpunimi i ngushtë, aktivitetet e përbashkëta e të koordinuara mirë, të Sindikatës së Policisë së Kosovës me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, në drejtim të përmirësimit të mirëqenies të pjesëtarëve të PK-së në dialogun e zhvilluar për këto çështje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Kosovës u kurorëzua me rezultate të mira për pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, theksohet në komunikatë.
Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se do të vazhdojë me përkushtim të ndjekë rrugën e dialogut social me menaxhmentin e lartë të Policisë së Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Qeverinë e Kosovës, për të gjitha çështjet me interes për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.