Rasti Medicus, konfirmimi pas 15 ditësh
Brenda 15 ditësh do të merret vendimi për konfirmim ose jo të aktakuzës për rastin “Medicus”. Shtatë shtetasit e Kosovës, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe, janë paraqitur të enjten para gjyqtarit të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për konfirmim të aktakuzës.
Asnjë nga të dyshuarit nuk gjendet prapa grilave. Të gjithë ata gjenden të lirë. Ndërsa dy shtetasit e huaj, mjeku turk Jusuf Sonmez dhe izraeliti Moshe Harel, ende po kërkohen nga Interpoli.
Mbrojtja dhe prokurori i çështjes i kanë paraqitur argumentet e tyre në lidhje me rastin. Bajram Tmava, avokati i të dyshuarit kryesor, kirurgut Lutfi Dervishi, tha se nëse dikush mundohet ta lidhë rastin “Medicus” me raportin e Dick Martyt, e ka shumë gabim.
Tmava në fjalën e tij mbrojtëse tha se klienti i tij, në atë kohë për të cilën flitet në raportin e Martyt, ka qenë në Gjermani.
“Kjo aktakuzë është bërë me nguti dhe te unë e klienti im ka lindur dyshimi se në një mënyrë a tjetër dikush po tenton që këtë aktakuzë ta lidhë më raportin e Dick Martyt”, tha Tmava. Avokati i ka propozuar gjykatës që aktakuzën si të tillë ta hedhë poshtë dhe mos ta konfirmojë. I cilësuar si lideri i rrjetit ndërkombëtar për trafikim organesh, kirurgu Lutfi Dervishi ka angazhuar edhe mbrojtës amerikan.
Edhe avokati amerikan kundërshtoi ngritjen e aktakuzës që, sipas tij, është bazuar në spekulime dhe jo në fakte.
“Kërkoj nga gjykata që këtë aktakuzë me 26 vëllime ta kontrollojë në hollësi, sepse do ta shihni se ato janë vëllime të asgjëje”, tha avokati Slaten Gven.
Avokati amerikan kundërshtoi ato që prokurori i çështjes, Jonathan Ratel i pohon në aktakuzë, ku, sipas tij, donatori i veshkës është zënë në Aeroportin e Prishtinës pas katër orësh.
Përveç që nuk ka dëshmi mjekësore, avokati Gven tha se po ashtu prokurori në aktakuzë bie ndesh me veten, sepse diku thotë pas katër orësh e diku pas katër ditësh.
Pala mbrojtëse ka kërkuar sqarime edhe lidhur me ndërhyrjen e policisë në klinikën “Medicus” , aty ku dyshohet se është bërë transplantimi i organeve.
Prokurori i rastit, Jonathan Ratel arsyetoi veprimin e policisë duke thënë se rasti ka qenë me urgjencë, përndryshe po të veprohej ndryshe, tash nuk do të kishte prova se në atë klinikë është bërë transplantimi i veshkave që në Kosovë është e ndaluar me ligj.
“Hetimet kanë filluar në Aeroportin e Prishtinës. Aty policia e Kosovës ra në kontakt me një djalosh të ri turk. Ai ishte duke u larguar nga Prishtina për në Stamboll, gjendja e tij ishte mjaft e vështirë. Ai ka qenë në gjendje të rëndë dhe prokuroria pretendon se vetëm disa orë më herët, atij i ishte hequr veshka në klinikën ‘Medicus”, tha prokurori Ratel.
Sipas tij, pasi i është dhënë ndihma mjekësore, ai person është deklaruar rreth rastit. Ai tha se është hera e parë që policia kishte të dhëna për atë çka po ndodhte në klinikën “Medicus”. Prokurori ka treguar se sipas informacioneve të tij të fundit, marrësi i veshkës, izraeliti3 Bezelel Shafran ka ndërruar jetë.
Aktakuza
Pesë persona të këtij rasti akuzohen për trafikim të njerëzve (organeve të trupit), krim të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare. Dy persona të tjerë janë akuzuar për ushtrim të veprimtarisë mjekësore në mënyrë të paligjshme. Të dyshuar në këtë rast janë dy ndërkombëtarët, mjeku turk, Jusuf Sonmez, dhe shtetasi izraelit, Moshe Harel, të cilët janë vënë në listën e të kërkuarve nga Interpoli, si dhe kirurgu Lutfi Dervishi me të birin e tij, Arban Dervishi, dhe dy mjekët tjerë, Sokol Hajdini dhe Driton Jilta. Po ashtu këtu janë përfshirë edhe ish-sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë Ilir Rrecaj bashkë me Islam Bytyçi e Sylejman Dullajn. Dyshohet se grupi i shtetasve kosovarë, sipas aktakuzës, ka qenë i përfshirë në rekrutimin e një numri të shtetasve të huaj të cilëve pretendohet t’u jenë premtuar deri në 20 mijë dollarë për dhurimin e veshkave, ndërsa marrësve të organeve u është kërkuar të paguajnë deri në 100 mijë dollarë.
Fakte
Në klinikën private ‘Medicus’, një shtetas turk, 23 vjeçar, kishte shitur veshkën e tij dhe më pas një shtetas nga Izraeli e kishte blerë atë. Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë në atë kohë patën thënë se klinika “Medicus” nuk ka poseduar licencë nga MSH-ja. Me këtë rast policia ishte publikuar një licencë e nënshkruar nga Ilir Rrecaj ku lejohej klinika “Medicus” që të kryej transplantimin e organeve në kundërshtim me ligjin për Shëndetësi në bazë të së cilit rreptësisht ndalohet transplantimi i organeve në vend. Dy mjekët dhe menaxheri i klinikës private ishin mbajtur në paraburgim prej 30 ditësh ku më pas janë liruar. Ish ushtruesi i detyrës së sekretarit të përhershëm të MSH-së, Ilir Rrecaj ishte shkarkuar nga ministri i atëhershëm Alush Gashi. Në kohën kur janë arrestuar, të dyshuarit kishin mohuar të gjitha akuzat me të cilat ngarkoheshin.