Përmirësohet gjendja me barna esenciale

Me qëllim të ngritjes së transparencës ndaj publikut, Ministria e Shëndetësisë, njofton se po bën përditësimin në web faqen e saj të gjendjes së stokut farmaceutik të Listës Esenciale.
“Ditët e para pas festave është publikuar gjendja e re e stokut të MSh-së sa i përket furnizimit me citostatikë, ndërsa gjatë ditës së sotme në web faqe është plasuar edhe gjendja momentale sa i përket furnizimit nga Lista Esenciale me barna dhe material shpenzues”, njofton MSH, nëpërmes një komunikate shtypi.
Të dhënat e Departamentit Farmaceutik të MSH-së, flasin se ka një përmirësim të ndjeshëm të furnizimit me barna të LE-së në rreth 90 për qind, me material shpenzues rreth 80 për qind e Listës, derisa furnizimi me citostatikë në këtë fazë sillet rreth 55 për qind.
Në këtë nivel të furnizimit me citostatikë ka ndikuar edhe mungesa e tri ofertave në tenderin për disa lloje të citostatikëve, që sipas Ligjit të Prokurimit, ka pamundësuar blerjen e disa llojeve të citostatikëve, për shkak të mosplotësimit të kushteve të tenderimit, ndërkohë që ekziston edhe një kategori tjetër e barnave dhe materialit shpenzues të cilat MSH-ja i ka siguruar përmes bashkëpunimit me organizatën amerikane “Project Hope”.
Gjendja e stokut farmaceutik nga LE mund të shkarkohet nga web faqja e MSH-së: www. msh-ks.org, Departamenti i Farmacisë.