E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk e kuptoj sesi ligji përjashton aktin e dhurimit të pronës

Unë di, që prona në gjithë botën është e trashëgueshme, ose mund të dhurohet, por unë nuk arrij të kuptoj legjislacionin shqiptar. Po ndalem në problemin tim, që sigurisht duhet ta kenë hasur edhe shumë qytetarë shqiptarë. Edhe pse babai im ishte komunist, edhe pse ishim katër fëmijë gjatë regjimit komunist, jetuam vetëm në një dhomë e një kuzhinë. Pas vdekjes së prindërve, në atë copë shtëpie, pas martesës së tri motrave, vazhdova unë të banoja së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët.

Pasi u konsultova me noterin, ky i fundit më rekomandoi se në mënyrë që pronarë të saj të ishim vetëm unë dhe bashkëshortja, duhet t’u kërkoja motrave të mia që, nëpërmjet një akti noterial, të deklaronin se hiqnin dorë nga pretendimet për pronësi në shtëpinë e prindërve dhe pjesën që ju takonte sipas ligjit t’ia falnin vëllait.

Ato kështu vepruan, por pas paraqitjes së dokumenteve përkatëse në zyrën e regjistrimit të pasurive, juristja e kësaj zyre nuk bëri veprimet përkatëse, me pretekstin se, me ligj nuk njihej më akti i dhurimit, por të trija motrat duhet të përpilonin një akt shitjeje. Më duket e pavend kjo logjikë dhe nuk e kuptoj sesi ligji përjashton aktin e dhurimit, por të detyron të përpilosh një akt shitjeje.

Vërtet që shteti përfiton, sepse sipas ligjit taksohet edhe personi që e shet edhe ai që e blen, por më duket absurditet përjashtimi i aktit të dhurimit. Mendoj se, detyrimi për të përpiluar njeë akt shitjeje, nuk do të përputhet me të vërtetën, ai do të jetë formal, sepse motrat e mia nuk pranojnë që, pjesën e tyre të ma shesin mua, por duan të ma dhurojnë. Mua vërtet më duket paradoks.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›