E mitura rrëmben foshnjën 4-muajshe
Kukës/ Hetuesit dyshojnë se ndodhen përballë një grupi që merret me trafikimin e foshnjave
Policia e zonës dyshon se vajza është mësuar nga anëtarë të ndonjë bande për të vepruar
KUKËS - Një ngjarje e pazakontë ka habitur policinë, por ka tronditur mbarë opinionin e qytetit të Kukësit mëngjesin e djeshëm. E.E, nxënëse e klasës së tretë në shkollën "Bajram Curri" dhe banore në lagjen nr.7, ka rrëmbyer një foshnjë 4-muajshe të seksit mashkull në lagjen nr.3 të këtij qyteti.
Burime të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 07:35 të mëngjesit së të martës, një telefonatë e mbërritur në sallën operative ka dhënë informacionin se në lagjen nr.3 ishte grabitur një foshnjë.
Forcat e grupeve të gatshme kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku fillimisht është bërë rrethimi i pallatit ku kishte ndodhur rrëmbimi. Policia ka marrë në pyetje familjarët, ndërkohë që ka nisur kërkimin nëpër lagje duke pyetur edhe dëshmitarë të ndryshëm.
Njëri prej tyre i ka shpjeguar policisë se kishin venë re një fëmijë me një foshnjë në duar që po largohej në drejtim të lagjes nr.2. Menjëherë policia është vënë në kerkim, ku në afërsi të stacionit të autobusëve për në Tiranë ka vërejtur një fëmijë të vogël që mbante një foshnjë në duar.
Policia bën të ditur se 9-vjeçarja mbante në duar foshnjën dhe një qese plastmasi me mollë. Në momentin që policia ka shkuar pranë saj, mësohet se vajza ka filluar të dridhet dhe ka dorëzuar menjëherë foshnjën.
Menjëherë foshnja 4-muajshe i është dhënë familjes dhe më pas është dërguar në spitalin e Kukësit për kontroll mjekësor ku ka rezultuar në gjendje të mirë. Foshnja e grabitur e seksit mashkull rezulton të jetë i shtetasit Aleksandër Kastrati, i cili banonte me qira në pallatin ku u realizua grabitja.
Ndërsa fëmija rrëmbyes është shoqëruar me praninë e psikologes në komisariat, ku është marrë në pyetje nga sektori i Krimeve të Rënda të Drejtorisë së Policisë së Kukësit. Gjithashtu janë shoqëruar e ëma e vajzës 9-vjeçare dhe vëllai i saj.
Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Kukësit po vazhdon hetimet lidhur me ngjarjen e pazakontë.
Sipas policisë, ende nuk është përcaktuar asnjë pistë për rrëmbimin, por dyshohet se kemi të bëjmë me një grup të organizuar kriminal që tentojnë apo janë marrë me trafikimin e foshnjave, ku kokat e trafikut përdorin elementë të inkriminuar përfshi adoleshentë, madje edhe fëmijë.
Policia është tepër e rezervuar lidhur me këtë ngjarje, por thotë se po vazhdon pyetjet intensive të nënës dhe vëllait të vajzës 9-vjeçare, ndërsa kanë hasur vështirësi me këtë të fundit për shkak të moshës.
Policia ka marrë në pyetje edhe familjarët e foshnjës, si dhe banorët e pallatit ku ka ndodhur ngjarja. Njëri prej banorëve ka pohuar në polici se rrëmbyesja 9-vjeçare bashkë me vëllain e saj 14-vjeçar janë parë prej 1 jave duke u sjellë rreth pallatit ku u realizua rrëmbimi.
Ndërkohë që familjarët e foshnjës së grabitur të tronditur rëndë nga ngjarja kanë pohuar në polici se foshnja 4-muajshe ka qenë në kuzhinë, ndërkohë që në shtëpi ka qenë vetëm e ëma e foshnjës.
Në momentin e rrëmbimit e ëma e foshnjës ka qenë duke larë shkallët e përbashkëta të pallatit, ndërkohë që dera e apartamentit të saj në katin e parë ka qenë e hapur.
Ky ka qenë momenti që 9-vjeçarja ka përfituar dhe ka hyrë pa u ndier në kuzhinë duke marrë fëmijën në djep. Familjarët e foshnjës kanë dëshmuar në polici se nuk kishin konflikt me asnjë person, përfshi edhe familjen e rrëmbyeses.
Nëna e vajzës kërcënoi komshinë për 10 mijë euro
Si nëna, ashtu edhe vëllai i 9-vjeçares rezulton të jenë persona me precedentë penalë. Nëna e saj akuzohet për vjedhje të mbetur në tentativë me anë të kanosjes, ku muaj më parë ajo kishte kanosur përmes një letre kërcënuese një komshinë e saj për dhënien e një shume prej 10 mijë eurosh.
Ndërkohë që vëllai i saj 14-vjeçar është autor i dhjetëra vjedhjeve në qytetin e Kukësit. Vëllai i vajzës dyshohet se është pjesëtar i grupit të armatosur që më 7 korrik tentuan të grabisnin disa shtetas nga Kosova, ku dhe mbeti e plagosur Makfire Berisha.
Grabitësit tentuan t'i merrnin gruas nga Prishtina djalin e saj 8-vjeçar. Policia ka arrestuar si autor të kësaj ngjarjeje djalin e tezes së 9-vjeçares, kurse vëllai i saj dyshohet të ketë qenë në vendin e ngjarjes.
Të miturit, kërcënim për rendin
Bandat e adoleshentëve janë bërë një kërcënim për rendin e sigurinë në rrethet e Kukësit dhe Hasit. Në këto dy rrethe janë regjistruar dhjetëra vjedhje banesash dhe njësish tregtare që kanë pasur si autorë personat nën moshë. Policia bën të ditur se ata përfitojnë nga lehtësirat që u jep legjislacioni në fuqi.
Sipas bluve, këta persona që kanë realizuar dhjetëra vjedhje, madje edhe me armë, janë dënuar me 1 javë deri në një muaj burgim nga Gjykata për të Mitur e Shkodrës. Një gjë e tillë ka bërë që ata të jenë lehtësisht të përdorshëm për të kryer vepra të ndryshme, duke ditur mosdënimin e tyre.
---------------------------------------------------------------
ELBASAN
Braktis foshnjën, procedohet nga policia
ELBASAN - E lë tek dera e jetimores fëmijën, murgeshat njoftojnë policinë. Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë kur një 25-vjeçare e identifikuar si F.Ç. me banim në Shkodër ka braktisur dje foshnjën e saj 2-muajshe duke e lënë në shtëpinë e fëmijës "Nënë Tereza" në lagjen "Syrja Dylgjeri" të qytetit të Elbasanit.
Gruaja është paraqitur bashkë me beben tek shtëpia e fëmijës dhe ka kërkuar ndihmën e murgeshave për ta sistemuar. Ajo ka dorëzuar një kopje certificate dhe sapo e ka lënë foshnjën në duart e murgeshave është larguar fshehurazi nga shtëpia duke ikur në drejtim të paditur.
Ikja fshehurazi e nënës ka tërhequr vëmendjen e murgeshave, të cilat kanë njoftuar policinë. Kjo e fundit është vënë në kërkim të gruas dhe nëpërmjet certifikatës ka arritur në identifikimin dhe procedimin më pas të saj për veprën penale të braktisjes së fëmijës. Sipas dëshmisë së murgeshave, 25-vjeçarja ka trokitur në portën e tyre, u ka lënë fëmijën në krahë dhe është larguar pa dhënë asnjë shpjegim tjetër.
Murgeshat kanë gjetur certifikatën tek teshat e fëmijës me të cilën është bërë i mundur edhe identifikimi i nënës së fëmijës. Ende nuk është vendosur se ç'do të bëhet me foshnjën, por mësohet se nëna nuk ka pasur mundësi ekonomike për ta mbajtur dhe ajo mund t'i besohet një jetimoreje.