Vret veten polici i burgut, nuk dihen shkaqet
KRUJË/ Arjan Merlika ka ndërruar jetë mëngjesin e së martës
KRUJË - Kanë qenë orët e para të mëngjesit kur në brendësi të shtëpisë ku banonte familja Merlika në lagjen nr. 3 në qytetin e Krujës është dëgjuar një krismë arme, e cila është pasuar me kujën e pjesëtarëve të familjes. Arma ishte shkrepur në një prej dhomave të kësaj shtëpie, ku flinte djali 30-vjeçar i shtëpisë, i cili në atë orë bëhej gati për t'u nisur për në punë.
Pas krismës aty kanë hyrë pjesëtarët e familjes dhe kanë gjetur Arjan Merlikën të përgjakur dhe të shtrirë në dyshemenë e dhomës pa ndjenja. Pranë tij ndodhej edhe pistoleta që kishte shkaktuar zhurmën e asaj ore të pazakontë të mëngjesit në shtëpinë e Qamil Merlikës. Menjëherë është kërkuar ndihmë meqë 30-vjeçari ishte ende i gjallë. I riu është marrë dhe është nisur menjëherë drejt Spitalit Ushtarak, por pa mundur të shpëtojë.
Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 06:55 të së martës. Në këtë orë Arjan Merlika, banor i lagjes nr.3 Krujë, i cili punonte si punonjës policie në burgun e Zaharisë është vetëplagosur me armën e shërbimit.
Plaga është marrë në kokë dhe si rrjedhojë Merlika ka ndërruar jetë rreth orës 07:45 në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në pyetje janë marrë familjarë të viktimës, ndërsa mësohet se po hetohet në dy pista: atë të vetëvrasjes nga depresioni, si dhe në zbrazjen e pavullnetshme të armës gjatë pastrimit.
Të pyetur kolegë të Merlikës thonë se kanë pasur marrëdhënie të mira me të, duke u shprehur se ka shumë mundësi që gjithçka të ketë ndodhur nga pakujdesia, pasi nuk kanë parë ndonjë shenjë depresioni tek ai. Të afërmit kanë treguar se Merlika kishte rreth një muaj që ishte fejuar. Vetëm tri ditë më parë një gardian i burgut të sigurisë së lartë të Peqinit vrau veten. Ai ishte baba i një vajze 8-muajshe.