Sherri për femra, plagoset me armë 36-vjeçari
Një 36-vjeçar ka mbetur i plagosur, pasi është qëlluar me pistoletë pas një konflikti për motive të dobëta. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në zonën e ish-bllokut. Sipas burimeve nga policia, Asim Ahmeti është qëlluar dy herë në trup me pistoletë nga një 30-vjeçar, duke mbetur i plagosur. Mendohet se gjithçka ka lindur pas një sherri të nisur për një femër. I dyshuari si autor i ngjarjes, sipas burimeve nga uniformat blu, ka qenë i shoqëruar me një vajzë dhe mendohet se ka qenë pikërisht ky motivi që ka çuar në përplasjen midis të dyve. Pas plagosjes, 36-vjeçari është çuar menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ka marrë edhe ndihmën e parë mjekësore, duke kaluar nga gjendja e rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka nisur menjëherë hetimet në lidhje me këtë ngjarje. Janë marrë dëshmitë e para dhe është arritur që të identifikohet autori i ngjarjes.
Sipas policisë, mendohet se autori i plagosjes, shtetasi me inicialet H.E., ka qenë duke kaluar mbrëmjen në një nga lokalet e zonës së ish-bllokut. Në shoqërinë e tij ka qenë edhe një femër. Në të njëjtin lokal, ka qenë edhe Asim Ahmeti. Duket se ngacmimet ndaj shoqërueses së autorit të ngjarjes kanë qenë edhe shkaku i përplasjes midis të dyve. Ata fillimisht kanë shkëmbyer fjalë me njëri-tjetrin. Më pas, kanë dalë jashtë dhe sërish kanë vazhduar sherrin. Në gjaknxehtësi e sipër, H.E. ka nxjerrë armën, të cilën e mbante me vete. Ai ka qëlluar dy herë në trup ndaj 36-vjeçarit, duke e lënë atë të plagosur. Plagosja ndodhi të dielën rreth orës 02:00, në rrugën “Dëshmorët e 4 shkurtit” në zonën ish–bllokut, përpara pallatit që njihet si “Sky Tower”. Më pas, autori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Menjëherë, 36-vjeçari është transportuar për në Spitalin Ushtarak, për të marrë ndihmën e parë mjekësore. Ai aty i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale nga ana e mjekëve. Në vendngjarje kanë shkuar edhe forcat e policisë. Ata ngritën një grup pune, për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes. U krye këqyrja e vendit të ngjarjes, si dhe u morën dëshmitë e para. Hetuesit sekuestruar dy gëzhoja pistolete. Nga hetimet paraprake, rezulton se shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt për motive të dobëta. Policia ka arritur që të identifikojë autorin dhe po punon për kapjen e tij.