Përplaset fuoristrada nga shpejtësia e madhe, humbin jetën katër të rinj
Katër të rinj kanë humbur jetën në një aksident, si pasojë e shpejtësisë së madhe dhe lagështisë në rrugë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të ditës së diel, ku viktimat po udhëtonin me një makinë fuoristradë tip BMW X5, me targa italiane AN 289 CX. Përplasja ka qenë tepër e fortë, duke mos u lënë asnjë mundësi shpëtimi Juljan Vakas, 26 vjeç, Vladimir Shpatës, 27 vjeç, Armando Myrdykllarit, 28 vjeç dhe Altin Rrytas po 28 vjeç. Viktimat kishin dalë nga makina si pasojë e goditjes, ndërsa mjeti me të cilin po udhëtonin u përfshi nga flakët, duke u shkatërruar plotësisht. Janë lajmëruar menjëherë efektivat e policisë dhe zjarrfikësja, që kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, duke bërë dhe kontroll të imtësishëm brenda mjetit. U ngrit një grup pune, i cili hetoi edhe shkaqet e kësaj ngjarjeje. Sipas hetuesve, shkaku i këtij aksidenti ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe lagështia në rrugë, si pasojë e motit shumë të keq, ku drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga. Ngjarja ndodhi në orën 00:25 të ditës së diel. Viktimat po udhëtonin me makinën e tyre BMW X5, në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë. Përplasja ndodhi në afërsi të fshatit Humelicë, rreth 100 metra nga Ura e Kardhiqit. Drejtuesi i mjetit ishte 26-vjeçari Julian Vaka. Makina ka dalë jashtë kontrollit, duke përfunduar jashtë rrugës. U rindërtua sërish skema e aksidentit, nga ku rezultoi se makina luksoze, fillimisht ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një ishull trafiku që ndan rrugën kryesore me xhepin e rrugës (sheshpushimin). Shpejtësia me të cilën lëvizte fuoristrada ka qenë e madhe, duke bërë që ajo më pas të përplasej me një bordurë të kanalit dhe mjeti të shpërbëhej, duke fluturuar rreth 100 metra dhe ka përfunduar në fushë. Më pas, mjeti është rrokullisur sërish, ku pasi ka mbaruar lëvizjen e pakontrolluar për disa metra, automjeti ka marrë flakë.
Sipas policisë, të katër viktimat kanë dalë nga makina në momentin e përplasjes me bordurën e kanalit dhe gjatë rënies në fushë, kur ka marrë flakë makina, nuk kishte asnjë njeri brenda.
Në automjet udhëtonin katër djem: Juljan Vaka, 26 vjeç, Vladimir Shpata, 27 vjeç, Armando Myrdykllari, 28 vjeç, që të tre, lindur dhe banues në Përmet dhe 28-vjeçari tjetër Altin Rryta, lindur dhe banues në Tiranë.
Si pasojë e përplasjes së fortë, kanë humbur jetën menjëherë Julian Vaka, Armando Myrdykllari dhe Altin Rryta.
Ndërsa Vladimir Shpata është transportuar për në spitalin e Gjirokastrës, pasi kishte shenja jete, por sa ka mbërritur atje, edhe ai ka humbur jetën.