Merr peng të birin e mitur me pistoletë tek koka
Gjon Përvathi është mbyllur në banesën e tij duke qëlluar mbi këdo që afrohet. Kërcënon se do vrasë të birin
LEZHË- Konflikti i nisur për një dhi ka degjeneruar në një incident me armë e më pas pengmarrjen e një djali të vogël nga babai i tij. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Lezhës, ku Gjon Përvathi ka qëlluar me armë fqinjin e tij dhe policinë e më pas është mbyllur në shtëpi duke kërcënuar se do vrasë djalin e vogël, në rast se ndokush do të tentojë të hyjë brenda. Shtëpia e tij është rrethuar ngapolicia e Lezhës, e cila ka shkuar aty për të zgjidhur situatën. Gjendja tepër e rëndë ka vazhduar deri pas mesnatës, kur në shtëpinë e familjes Përvathi kanë shkuar edhe forcat speciale të RENEA-s.
Konflikti
Pasditen e djeshme Gjon Përvathi është zënë me fqinjin e tij në fshatin Manati për shkak se dhia e këtij të fundit ka hyrë në bahçen e tij e i ka ngrënë barin. Ai ka nisur të debatojë ashpër me fqinjin e tij dhe më pas ka hyrë me nxitim brenda shtëpisë. Pak çaste më pas, Përvathi është shfaqur në derën e shtëpisë së tij me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar në drejtim të fqinjit. Për fat të mirë plumbat nuk e kanë prekur fqinjin, i cili ka rendur me sa ka mundur për t'u fshehur në një vend të sigurt. Banorët e tjerë të fshatit kanë parë ngjarjen dhe të frikësuar kanë marrë në telefon për t'i treguar policisë atë që ka ndodhur. Një furgon i grupit të gatshëm është nisur nga Lezha dhe pak minuta më pas ka shkuar në vendin e ngjarjes. Por kur ka parë policinë, Gjon Përvathi është acaruar edhe më shumë. Ai ka nisur që të gjuajë me pistoletë drejt tyre duke bërë që policia të mos i afrohej banesës. Më pas ai është mbyllur në shtëpi dhe ka pohuar se do të vriste këdo që do të tentonte të hynte brenda.
Pengu
Rreth orës 21.00 të mbrëmjes së djeshme ai ka nxjerrë nga shtëpia bashkëshorten dhe të gjithë personat e tjerë që ndodheshin aty, por ka mbajtur brenda djalin e vogël. Ai ka kërcënuar se nëse policia do të hynte në shtëpi do të vriste djalin e vogël e më pas veten. Më pas ka zënë pozicion në katin e dytë dhe ka vazhduar që të qëllojë me armë në drejtim të policisë. Përkeqësimi i situatës ka bërë që të gjithë krerët e policisë së Lezhës të shkojnë në shtëpinë e Përvathit, duke tentuar që ta bindin të dorëzohet. Krerët e policisë lokale kanë larguar efektivët nga shtëpia duke mbajtur vetëm rrethimin e jashtëm të saj në mënyrë që Përvathi të mos tensionohej dhe të qëllonte mbi të birin ose veten. Edhe bashkëshortja e tij është bashkuar me policinë duke iu lutur që të dorëzohet vetë së bashku me djalin e vogël, por ai nuk ka pranuar. Pothuajse e gjithë familja i është lutur Gjonit që të dorëzohet por ai nuk ka pranuar. Ai ka vazhduar të qëllojë me armë nga kati i dytë duke mos pranuar edhe negociatorët e policisë që t'i afrohen banesës së tij. Situata e tensionuar ka vazhduar ka bërë që policia e Lezhës të kërkojë ndihmën e forcave RENEA nga kryeqyteti. Mësohet se rreth orës 22.00 janë nisur me urgjencë në drejtim të Tiranës disa makina të forcave RENEA.
INCIDENTI
Konflikti mes Gjon Përvathit dhe fqinjit të tij ka nisur për shkakun banal se dhia e këtij të fundit i ka hyrë në bahçe. Në grindje e sipër ai nxjerr armën e qëllon
POLICIA
Policia e Lezhës ka shkuar pak minuta më pas në vendin e ngjarjes por sapo i është afruar shtëpisë së familjes Përvathi, është përballur me plumbat e pistoletës
KËRCËNIMI
Gjon Përvathi ka nxjerrë të gjithë nga shtëpia duke mbajtur brenda vetëm djalin e tij të vogël. Ai ka kërcënuar se do vrasë të birin nëse policia i afrohet banesës
NEGOCIATAT
Krerët e policisë së Lezhës janë përpjekur që ta bindin për të dalë nga shtëpia por Përvathi nuk i ka dëgjuar. Edhe bashkëshortja e tij i ka kërkuar që të dalë
SPECIALËT
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar edhe efektivët e RENEA-s për të ndërhyrë në rast se situata përkeqësohet. Ngjarja vazhdon deri në orët e para të ditës së sotme