E Shtunë, 31 Tetor 2026

E nis furishëm

Ardin Dallku e ka nisur furishëm eksperiencën në ekipin ukrainas, Vorskla. Futbollisti i ri kosovar e gjeti golin e parë të premten në fanellën e klubit nga Poltava. Ai shpreson të ketë paraqitje pozitive me ekipin U-17, për ta nënshkruar kontratën në fund të vitit, kur t’i mbushë 18 vjet.

Pas Debatik Currit, Ahmed Januzit e Armend Dallkut, edhe vëllai i këtij të fundit, Ardini e ka nisur mjaft mirë eksperiencën në Vorskla Poltava. Ai, të premten e ka shënuar golin e parë në fanellën e klubit ukrainas, në një ndeshje miqësore të zhvilluar ndaj ekipit të ligës së dytë, FC Khimik.

17-vjeçari e zhvilloi me sukses takimin e dytë me ekipin e parë, në fazën e parë përgatitore. Ai ndihet mirë për këtë fakt, ndërsa thotë se do ta japë maksimumin, për t’i bindur trajnerët me cilësitë që i posedon.

“Po ndihem shumë mirë. Përgatitjet këtu janë mjaft të mundimshme dhe për mua është mjaft e vështirë, pasi që është hera e parë që stërvitem këtu. Por, në përgjithësi gjërat po shkojnë për mrekulli, falë Zotit. Sot gjithashtu shënova një gol”, deklaroi Dallku Junior, i cili luajti 45 minuta.

Për shkak të moshës së re, Ardini nuk mund të nënshkruajë kontratë profesioniste me Vorsklën deri në fund të vitit. Ndërkohë, ai do të luajë me ekipin e të rinjve. “Para nëntorit, nuk kam të drejt të nënshkruaj. Por, punë e imja është që t’i tregoj vlerat e mia në akademi, në ekipin U-17, për ta fituar më pas kontratën, nëse e meritoj”, vazhdoi ai.

Dallku i ri, i cili fazën e dytë do ta zhvillojë në Stamboll, me ekipin e të rinjve, tregon se ka marrë fjalë të mira nga trajnerët, të cilët po e mbështesin dhe po e ndihmojnë që të ambientohet. Kur jemi tek ambientimi, atë po e ndihmon shumë edhe ‘Baci’ Armend, i cili luan në Ukrainë qe disa vite.

Deri para pak kohësh, Dallku junior ka luajtur në pozitën e qendërmbrojtësit. Para se t’i bashkohej Vorsklës, ai kishte luajtur në Kosovë. Por, Armendi ishte iniciues i shtytjes së tij që t’i bashkohej në Ukrainë, ku perspektiva është më e madhe.

Ardini kishte debutuar në fanellën e Vorsklës fundjavën që shkoi, ndaj ekipit Zirka, kur luante në pjesën e parë. Kurse, ndeshja e së premtes ishte e dyta për të. Armendi do të mundohet t’ia mësojë edhe gjuhën ruse Ardinit, sepse, duke mos e njohur gjuhën në Ukrainë, mundësitë për të luajtur në Vorskla janë të barabarta me zero.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›