Aksham pazari

Afati kalimtar i janarit mund të jetë me bereqet për disa futbollistë shqiptarë që aktivizohen në liga të ndryshme evropiane.
Deri tash, mbi 10 lojtarë kanë ndërruar mjedis, por ky numër mund të trefishohet deri në ditën e fundit të janarit, kur edhe do të përfundojë afati kalimtar i dimrit.
Disa prej tyre këto lëvizje do t’i bëjnë për ta bërë hapin e radhës në karrierë, disa për të luajtur më shumë, kurse të tjerë, për shkak se janë të panevojshëm për skuadrat aktuale.
Xherdan Shaqiri
Futbollisti gjilanas është njëri prej më të kërkuarve ndër futbollistët shqiptarë. 20 vjeçari ishte pranë transferimit në Galatasaray, por gjithçka ndryshoi në momentet e fundit. Përfaqësuesi zviceran pëlqehet edhe nga Zenit Bayern Munichu e Hamburgu në Gjermani, Manchester United e Liverpool në Angli, Juventusi, Milani, Napoli e Roma në Itali, si dhe Dinamo Kievi në Ukrainë. Shaqiri ka kontratë me Baselin deri në vitin 2014, por nuk përjashtohet mundësia që të lëvizë në ditët në vijim.
Granit Xhaka
Përpos Shaqirit, edhe shoku i tij i skuadrës, Granit Xhaka është bërë objektiv i disa skuadrave. Juventusi, Milan e Lazio janë tri skuadrat italiane që kanë shfaqur interesim për 19 vjeçarin, kurse ai pëlqehet edhe nga Manchester United në Angli dhe nga Hamburgu në Gjermani. Vlera e përfaqësuesit zviceran është 8 milionë euro.
Emir Bajrami
Emir Bajrami mund të jetë një tjetër futbollist shqiptar, i cili do ta ndërrojë ekipin gjatë janarit. Mesfushori kosovar mund të ndahet me Twenten gjatë këtij dimri. Ai mund ta vazhdojë karrierën në Serie A, pasi që ekipi italian Palermo ka shprehur interesim për 23 vjeçarin. Edhe pse ndihet mirë në Holandë, reprezentuesi suedez dëshiron të sprovohet në ndonjë ligë më të fortë, siç është ajo e Italisë.
Erjon Bogdani
Erjon Bogdani ishte lojtar i parëndësishëm këtë sezon tek Cesena. Futbollisti shqiptar mund ta ndërrojë mjedisin këtë dimër, pasi kaloi një vit e gjysmë në ekipin bardh e zi. Ekipi më i interesuar për përfaqësuesin shqiptar është Siena e Lecce, por ai pëlqehet edhe nga Atalanta e Cagliari. Deri më 31 janar, kur do të përfundojë afati kalimtar dimëror, mund të ndodhë gjithçka.
Valon Behrami
Edhe pse Fiorentina insiston se është i pashitshëm, Valon Behrami mund të largohet nga Firenze këtë muaj. Për mesfushorin kosovar interesim serioz ka shprehur gjiganti italian Juventus, i cili e do me ngulm në Torino ish futbollistin Lazios. 26 vjeçari e riktheu formën më të mirë, që kur u kthye në Itali tash një vit, kështu që paraqitjet e tij të shkëlqyeshme i kanë rënë në sy edhe trajnerit Antonio Conte, i cili e dëshiron gjithsesi në ekipin e tij.
Ardian Nikçi
Adrian Nikçi mund ta ndjekë rrugën e shokut të skuadrës dhe bashkëkombësit të tij, Admir Mehmedi, i cili ditë më parë u largua nga Zurichu. Mesfushori pejan mund ta lë ekipin zviceran për t’u transferuar në Gjermani, ku janë disa skuadra që e pëlqejnë.
Bajram Fetai
Bajram Fetai po e shqyrton të ardhmen e tij. Sulmuesi shqiptar me prejardhje nga Tetova është i pakënaqur me tretmanin që po i bëhet te skuadra daneze Lyngby, ku është aktivizuar shumë pak gjatë sezonit vjeshtor. Andaj, ai nuk e përjashton mundësinë që ta gjejë një klub tjetër gjatë afatit kalimtar të janarit, edhe pse ka kontratë me ekipin aktual deri në verë.
Lum Rexhepi
Lum Rexhepi ka mundësin ta bëjë një hap të madh në karrierë gjatë afatit kalimtar të janarit. Mbrojtësi kosovar i ekipit finlandez Honka, gjatë këtij muaji do të provohet te skuadra nga Premierliga angleze Everton. Rexhepi, i cili në Finlandë krahasohet me yllin Sami Hyppia, ishte transferuar në Honka vitin që shkoi nga Helsinki, ku ishte pjesë e ekipit të të rinjve. Ai me këtë klub debutoi në elitën e futbollit finlandez sezonin që shkoi, derisa zhvilloi 14 ndeshje.
Bashkim Kadri
Bashkim Kadri është bërë objektiv i shumë skuadrave evropiane. Ekipi i fundit që ia ka vënë syrin futbollistit të ri shqiptar është ai italian Torino. Kjo e fundit po mundohet me të gjitha forcat që të rikthehet në Serie A dhe futbollisti i Odenses shihet si një armë më shumë për ta arritur objektivin. 20 vjeçari ka kontratë me klubin danez edhe dy vjet e gjysmë, por ai mund ta ndërrojë mjedisin qysh këtë muaj.
Pajtim Kasami
Juventusi ka shfaqur interesim të madh për Pajtim Kasamin. ‘Zonja e Vjetër’ po planifikon ta rikthejë në Itali mesfushorin shqiptar pa përfunduar afati kalimtar i janarit.
Bianconerët po mendojnë ta huazojnë menjëherë 19 vjeçarin për gjashtë muaj në Cesena, Novara apo në Lecce, në mënyrë që futbollisti shqiptar nga Maqedonia ta ketë mundësinë të luajë në vazhdimësi dhe të bëjë përvojë. Ueb faqja 4-4-2.com shkruan se Juventusi pritet ta arrijë shumë shpejt marrëveshjen me Fulhamin, i cili me këtë rast do t’i përfitonte 4 milionë euro. Kanë mbetur vetëm disa detaje të vogla, të cilat nuk pritet ta pengojnë realizimin e këtij transferimi.
Enis Alushi
Enis Alushi mund ta mbyll qysh tash aventurën në Paderborn. Mesfushori kosovar po shkëlqen në fazën përgatitore të klubit nga Bundesliga 2 gjermane, por mund ta ndërrojë mjedisin, në fund të këtij afati kalimtar. Sipas mediave gjermane, 26 vjeçari është bërë objektiv i ekipit tjetër nga liga e dytë gjermane, FC St. Pauli. Për shërbimet e futbollistit mitrovicas, interesim ka shfaqur edhe Hannoveri, nga Bundesliga 1 gjermane. Futbollisti kosovar ka kontratë me Paderbornin vetëm deri në fund të sezonit, por nuk përjashtohet mundësia që ta ndërrojë mjedisin qysh tash.
Arbnor Fejzullahu
Arbnor Fejzullahu mund ta bëjë një hap të madh në karrierën gjatë afatit kalimtar të janarit. Mbrojtësi shtatlartë i Besës së Kavajës, karrierën mund ta vazhdojë në Serie A. 18-vjeçari shumë shpejt pritet t’i bashkohet Cesenës, kur fillimisht do të testohet, e më pas anëtarët e shtabit teknik të këtij klubi do të vendosin për ta mbajtur apo jo në skuadrën e tyre.
Ilir Berisha
Kampioni vjeshtor i Superligës, FC Prishtina mund të mbetet pa njërin nga futbollistët më të mirë të saj. Bëhet fjalë për mbrojtësin Ilir Berisha, i cili tash e disa ditë po testohet te skuadra nga Bundesliga 2, Munchen 1860. Ai ka mundësi të mira që nga janari të bëhet pjesë e skuadrës gjermane.