E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mos bëni si unë

Ish-kapiteni i Atalantës, Cristiano Doni është penduar për përfshirjen në kurdisje të ndeshjeve. U bën thirrje të rinjve të mos marrim shembullin e tij dhe të qëndrojnë larg manipulimeve. 38-vjeçari tregon për përvojën e tij të vështirë në burg dhe pranon se ndeshja e parë që kishte kurdisur ishte 12 vjet më parë, Atalanta-Pistoiese.

Pranoi kurdisjen e ndeshjeve, njollosi emrin e tij, klubin dhe mbarë futbollin italian. Mund të jetë e vonuar, por thotë se është penduar për atë që ka bërë dhe këshillon të tjerët që të mos bëjnë atë që bëri ai. Cristiano Doni deklarohet për keqardhje të thellë për të kaluarën e tij.

“Kam qenë budalla, në burg e kam kuptuar”, tha Doni gjatë një interviste për të përditshmen sportive italiane, Gazzetta dello Sport.

“Mos më merrni si shembull, mos bëni çka bëra unë”, shtoi ai. Doni flet, flet për të gjitha, edhe për të kaluarën. “Gabimet e mia filluan nga ndeshja kundër Pistoieses, 12 vjet më parë. Edhe ajo ndeshje ishte e kurdisur. Kam qenë i marrë, nuk mendoja se çka bëja”, theksoi ish-kapiteni i Atalantës dhe idhulli i tifozëve të këtij klubi.

E pranon se e ka merituar burgosjen, jo vetëm për ndeshjet e kurdisura, e as që dëshpëroi tifozët e Atalantës të cilët e konsideronin ikonë të klubit, por mbi të gjitha që e tradhtoi sportin. Doni këshillon të rinjtë që mos të lejojnë që dikush t’i bindë të bëjnë atë që bëri ai.

“Nuk duhet lejuar ndërhyrjen e askujt. Duhet menjëherë ta raportoni, të mos e bëni një gjë të tillë është rast i rëndë njësoj sikurse të kurdisni një ndeshje. Mos merrni shembull nga unë”. Doni 38 vjeç flet edhe për përvojën e tij të vështirë në burg.

“Isha i vetëm dhe mendoja për atë që bëra. Sa i marrë që isha. Nuk kam fjetur për dy net, në fakt kurrë”, vazhdoi ai. Nga idhulli i tifozëve të Atalantës, Doni është injoruar nga ta nëpërmjet një transparenti në stadium.

“E di, dhe kjo më shkakton dhimbje të madhe sa i gjithë tregimi. Atalanta për mua ishte gjithçka, ishte gjithçka. I kuptoj tifozët, i kam zhgënjyer, i kam tradhtuar. Nuk kërkoj të më falin, por vetëm të mos i anulojnë të gjitha gjërat e mira që kam bërë në fushë”, thotë ai. Pavarësisht asaj që ndodhi, Doni nuk planifikon të braktisë qytetin e Bergamos.

“Është qyteti im. Nuk do të jetë lehtë, por dua të mbetem këtu. Presioni? Jam i gatshëm për të”, përfundoi ai.

Atalanta-Pistoiese, ndeshje e vitit 2000, është ndeshja e parë të cilën Doni e ka përmendur si të kurdisur, por trajneri i Milanit, Massimiliano Allegri, aso kohe futbollist i Pistoieses, ka deklaruar për Milan Channel: “Bëhet fjalë për një ndeshje prej 12 vitesh më parë, një episod tashmë i arkivuar. Nuk kam asgjë për të thënë”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›