E Shtunë, 31 Tetor 2026

E paarritshme domethënia e autorit

Është thënë se librat e Boehmisë janë si një piknik ku autori sjell fjalët, ndërsa lexuesi domethëniet. Kjo vërejtje ndoshta është shenjëzuar si një tallje në lidhje me veprën e Boehmisë, por thuajse është një përshkrim ekzakt që i përfshin të gjitha veprat e artit letrar pa përjashtim. Një vështrim mbi autorin në raport me veprën, tekstin dhe kritikët.

Vijon nga numri i djeshëm

“Nuk është me rëndësi se çfarë mendon autori - ajo që e thotë teksti i tij”. Siç e theksova në pjesën A, ky parim qendror në doktrinën e autonomisë semantike është thelbësor sa i përket problemit të vlefshmërisë. Nëse ky parim do të ishte i vërtetë, atëherë çdo lexim i tekstit do të ishte “i vlefshëm”, sepse çdo lexim do të korrespondonte me atë që e “thotë” – për atë lexues. Është e padobishme që këtu të futen konceptet normative, si p.sh.: “sensitiv”, “bindës”, “i çmuar” dhe “interesant”, kur dihet se ajo që mund “ta thotë” teksti mund të mos jetë njëra prej këtyre gjërave. Vlefshmëria e interpretimit nuk është i njëjtë sikur shpikshmëria e interpretimit.

Vlefshmëria përfshin korrespondimin e një interpretimi me domethënien, e cila përfaqësohet nga teksti, dhe asnjë nga kriteret e lartpërmendura për dallim midis interpretimeve nuk do të zbatoheshin në një tekst që është bajat, i thjeshtë, josensitiv, jobindës dhe jointeresant. Një tekst të tillë nuk do t’ia vlente ta interpretosh, por kriteri i vlefshmërisë, i cili nuk mund të bashkëngjitet me një tekst të tillë nuk do të ishte e dobishme që të përkrahej.

Ithtarët e autonomisë semantike në Angli dhe Amerikë gjithmonë mund të mbështeten (mbahen) duke përmendur shembullin e T. S. Eliotit, i cili shumë herë kishte refuzuar t’i komentonte domethëniet e teksteve të veta. Refuzimet e Eliotit ishin të bazuara në pikëpamjen e tij se autori nuk ka kontroll mbi fjalët që i ka shprehur mbi botën dhe nuk posedon privilegj special si një interpretues i tyre. Prandaj, do të ishte krejtësisht e parregullt në raport me këtë pikëpamje nëse Elioti do të ishte ankuar kur dikush mund t’i kishte keqinterpretuar shkrimet e tij, dhe, me aq sa di unë, Elioti, me një pajtueshmëri stoike, kurrë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Mirëpo, Elioti megjithatë nuk ka shkuar aq larg sa të pohojë se nuk ka menduar asgjë në veçanti me anë të shkrimeve të tij. Me sa duket ai ka menduar diçka kur i ka shkruar ato, dhe është një detyrë e lejueshme (e pranueshme) që të përpiqesh të zbulosh se çka ka dashur të thotë me anë të tyre.

Një detyrë e tillë e ka një objekt të përcaktuar dhe sipas kësaj mund të përmbushet në mënyrë korrekte ose jokorrekte. Mirëpo, detyra e të hetuarit se çka thotë teksti nuk ka objekt të përcaktuar, kur dihet se teksti mund të tregojë gjëra të ndryshme për lexues të ndryshëm. Një lexim është i vlefshëm apo i pavlefshëm sa leximi tjetër. Prandaj, mohimi i prerë i teorisë së autonomisë semantike nuk bëhet si pasojë e papërshtatshmërisë së saj, pra dështimit që të sigurojë një kriter adekuat të vlefshmërisë. Mohimi i prerë duhet të shihet si një mohim brenda vetë kësaj teorie dhe në të metat e argumenteve që janë përdorur për ta përkrahur atë. Tash për tash argumenti më i njohur është i bazuar në distinksionin midis qëllimit thjesht për të bërë diçka dhe arritjes konkrete të këtij qëllimi. Dëshira e autorit ta komunikojë një domethënie partikulare nuk është domosdoshmërish e njëjtë me suksesin për ta bërë këtë gjë. Që kur performanca aktuale e tij është e prezantuar në tekstin e tij, çdo tentim special që të zbulojë qëllimin e tij në mënyrë false do ta barazojë dëshirën e tij private me arritjen e tij publike. Domethënia e tekstit është çështje publike. Përhapja e gjerë e këtij argumenti dhe pranimi i tij si një aksiomë e kritikës së tanishme letrare, mund të kërkohet në influencën e esesë së fuqishme “Gabimi i qëllimshëm” i shkruar nga W. K. Wimsatt dhe Monroe Beardsley, botuar për të parën herë më 1946. Kritiku i argumenteve që gjenden në atë ese do të përballet me problemin e dallimit të vetë esesë dhe shfrytëzimit popullor të saj, i cili ka rrjedhur po nga ajo, pra për atë që është marrë si një e vërtetë e garantuar e thënë në atë ese dhe për atë që nuk është argumentuar suksesshëm në të. Megjithëse Wimsatt dhe Beardsley me kujdes kishin bërë dallimin midis tri tipave të evidencës së qëllimshme, duke e ditur se dy prej tyre janë të duhura dhe të lejuara, distinksionet dhe kualifikimet e tyre të kujdesshme tashmë janë shuar dhe kanë hyrë në versionin popullor, i cili konsiston në një dogmë të cekët dhe false, ku thuhet se ajo që ka menduar një autor i mundshëm është jorelevante për domethënien e tekstit të tij. Rruga më e mirë për të hetuar se çka ka të gabuar në këtë version popullor është që të fillohet me diskutimin e dimensionit në të cilin ai në mënyrë perfekte është i vlefshëm - pra vlerësimi. Mirëpo, do të ishte absurde të fillohej me vlerësimin e shprehësisë stilistike të një teksti pa e bërë dallimin midis qëllimit të autorit për ta bartur një domethënie dhe, në anën tjetër, aftësisë së tij gjatë po kësaj bartjeje të kësaj domethënieje. Do të ishte njësoj absurde të gjykosh për thellësinë e një traktati lidhur me moralin pa dallimin midis qëllimit të autorit për të qenë i thellë dhe suksesit të tij për të qenë i tillë. Vlerësimi është dallim konstant midis qëllimit dhe arritjes.

Ta marrim një shembull: Poeti në një strofë katërshe dëshiron të përçojë sensin e vetmisë, por ajo që arrin ai ta përçojë te disa lexues është edhe sensi se deti është i lagësht, ndërsa për të tjerët edhe afrimin e mugëtirës. Qartë, qëllimi i tij që të përçojë vetminë nuk është identik me aftësinë dhe efikasitetin e tij stilistik për ta arritur këtë përçim, gjë që e hedhin poshtë me ngulm kritikët antiqëllimor. Por, dështimi intencional (i qëllimshëm) është ndoshta i aplikueshëm vetëm në kuadër të suksesit artistik si dhe te disa kritere të tjera normative, siç janë thellësia, konsistenca, e kështu me radhë. Anti-intencionalistët me të drejtë mbrojnë të drejtën dhe detyrën që kritiku të gjykojë lirshëm duke i përdorur kriteret e veta dhe duke ekspozuar diskrepancat ndërmjet dëshirës dhe faktit. Megjithatë, dështimi intencional nuk mund të thuhet se posedon aplikim të rregullt në çfarëdo domethënie verbale. Në shembullin e lartpërmendur e vetmja domethënie e vlefshme universale e poemës është vetëm sensi i saj i vetmisë. Nëse kritiku i mundshëm nuk ka arritur të kuptojë këtë pikë, ai nuk do të mund të arrijë te një gjykim i saktë - kryesisht sepse domethënia nuk është dhënë përshtatshëm dhe ndoshta nuk ia ka vlejtur që të thuhet në vendin e parë. Nën të ashtuquajturin gabim intencional dhe, në përgjithësi, në doktrinën e autonomisë semantike, shtrihet një supozim, i cili nëse do të ishte i saktë, së paku do të ndihmonte bindshëm pikëpamjen se domethënia e një teksti është e pavarur nga qëllimi i autorit. Këtu i referohem konceptit të konsensusit publik. Nëse një poet ka menduar që poezia e tij ta shprehë vetminë, si dhe për çdo lexues kompetent e njëjta poezi të bartë apo shprehë vetëm sensin se muzgu është duke u afruar, atëherë ky unanimitet publik do të krijonte një rast apo një shkas shumë të fortë (në këtë rast të veçantë) për irelevancën praktike të qëllimit të autorit. Por, kur mund të thuhet se ka ndodhur një unanimitet i tillë? Nëse në përgjithësi do të ketë ndodhur, atëherë nuk do të kishte probleme as me interpretimin.

Miti i konsensusit publik ka qenë thuajse vendimtar në arritjen e pranimit të gjerë dhe të hapur të doktrinës, sipas së cilës thuhet se qëllimi i autorit është irelevant në raport me atë që e thotë teksti. Ky mit lejon një besim të fshehtë se “ajo që thuhet” në tekst është një fakt publik, fakt që zotërohet krejtësisht me anë të normave publike. Por, nëse ekziston domethënia publike, atëherë pse ne, që në njëfarë mënyre jemi vetë publiku, nuk pajtohemi? A thua është një grup në mesin tonë që e konstituan publikun e vërtetë, ndërsa të tjerët janë heretikë apo të jashtëm? Me anë të së cilit standard është gjykuar se mungon qasja korrekte normave publike për të gjithë këta lexues, të cilët janë (përveç tekstit në duar) lexues kompetentë të teksteve? Ideja e domethënies publike nuk është sponsoruar nga qëllimet e autorit, por nga një konsensues publik, i cili është bazuar në një gabim fundamental të logjikës dhe vëzhgimit. Është një fakt empirik se nuk ekziston konsensues e gjithashtu është edhe gabim logjik që të tentosh të ngresh një koncept të qendrueshëm normativ (si p.sh. domethënien publike) jashtë një koncepti deskriptiv jo të qëndrueshëm. Domethënia publike e një teksti nuk është as më pak e as më shumë sesa ato domethënie që publiku arrin t’i konstruktojë nga teksti. Çdo domethënie që konstruktohet nga dy apo më shumë anëtarë të publikut është një fakt ipso përbrenda normave publike që e zotërojë gjuhën dhe interpretimet e saj.

Vox populi: vox populi

Nëse teksti e nënkupton vetëm atë që e thotë, atëherë thuajse ai nuk thotë asgjë. Atëherë thënia e tij nuk ka vetëekzistencë, por do të jetë një e thënë e autorit apo e lexuesit. Prandaj, teksti nuk ekziston as si një sekuencë e fjalëve, përderisa ai të mos konstruktohet; deri në këtë gjendje ai më shumë është një sekuencë e shenjave. Nganjëherë fjalët mund të kenë edhe homonime (sikur që me anë të analogjisë mund të kenë homonime edhe tekstet ndërmjet tyre), por nganjëherë e njëjta fjalë mund të marrë kuptime të tjera dhe të bëhet thuajse një fjalë tjetër. Për shembull, kur ne e lexojmë “Oden” … e Wordsworth-it në frazën “most Weorthy to be blessed” nuk dimë se a duhet ta nënkuptojmë “most” si një superlativ, apo ta marrim si një intensifikues, pra si një “very”. Prandaj, edhe në këtë rrafsh të thjeshtë, hetojmë se shenjat mund të organizohen dhe konstruktohen në mënyra të ndryshme, dhe përderisa ato nuk konstruktojnë një tekst të caktuar nuk “thonë” asgjë.

Ne të gjithë e dimë se jemi të ndryshëm nga autori, dhe kur e dimë këtë fakt ne nuk mund t’i reprodukojmë mendimet e tij në veten tonë, por edhe nëse kjo gjë do të ndodhte me anë të ndonjë aksidenti, prapë se prapë nuk do të ishim të sigurt të konstatonim se e kemi arritur një gjë të tillë. Por, fundi i fundit, pse të merremi ne me këtë punë, thuajse të pamundur, kur dihet se energjinë tonë mund ta derdhim për ta realizuar një detyrë më të dobishme, siç mund të jetë për shembull bërja e një teksti relevant për brengat dhe gjykimet tona prezente. Qëllimi për të reprodukuar një të kaluar private dhe të paarritshme duhet të përjashtohet duke u cilësuar si një ndërmarrje e pavlerë. Natyrisht, është esenciale të dihen disa fakte publike për gjuhën dhe historinë me qëllim që të mos i humbim aluzionet ose ta bëjmë ndonjë gabim në raport me kuptimin modern të fjalëve, por këto detyra të parakohshme mund të themi se mbesin kryesisht në domenin publik dhe nuk kanë të bëjnë shumë me botën private, e cila thuajse e tejkalon atë që mund ta arrijë gjuha e shkruar.

Para se të fillojmë e të prekim në çështjen kryesore të këtij argumenti - pra kryesisht për atë që po themi se domethënia apo qëllimi i autorit është diçka që nuk mund të dihet - do të dëshiroja që ta filloja një vëzhgim lidhur me argumentin ndihmës për të respektuar dimensionet publike dhe private të domethënies së tekstit. Sipas këtij argumenti, do të ishte gabim që ta përziesh këtë fakt publik - kryesisht gjuhën, - me një fakt privat - kryesisht mendjen e autorit. Por, unë kurrë nuk kam ndeshur në një interpretim që ka nxjerre domethënie të pastra private nga një tekst. Natyrisht se një interpretues mund të nxjerrë domethënie të cilat sipas gjykimit tonë mund të mos nënkuptohen domosdoshmërish nga fjalët që i vendos autori, por në këtë rast ne do ta hidhnim poshtë këtë interpretim jo për faktin se është privat, por për faktin se do të mund ta cilësonim si të gabuar. Kjo domethënie, do të thoshim ne, nuk mund të nënkuptohet me anë të këtyre fjalëve. Nëse skepticizmit tonë do t’i bashkëngjiteshin të gjithë lexuesit e interpretimit, atëherë do të ishte e arsyeshme të thuhej se interpretimi është privat. Megjithatë, janë të rralla interpretimet, të cilat nuk kanë së paku disa përkrahës, dhe nëse do të kishte vetëm disa sish, atëherë edhe domethënia nuk mund të cilësohet si private; do të ishte e pamundshme.

Pa marrë parasysh se a arrin një interpretim ta bindë një person tjetër, ai në vetvete dëshmon përtej dyshimit se fjalët e autorit publikisht mund të nënkuptojnë një domethënie të tillë. Që kur domethënia e interpretuar i është bartur një personi tjetër, në fakt te dy a më shumë persona, pyetja më sinjifikative që do të bëhej me këtë rast do të ishte: “A thua a autori më të vërtetë e ka pasur për qëllim ta arrijë këtë domethënie publike me anë të fjalëve të tij?”. Të kundërshtosh dhe ta cilësosh këtë domethënie si shumë personale dhe mosarritje e asaj që është synuar është gjykim legjitim estetik dhe moral, por kjo është jorelevante sa i përket çështjes së domethënies. Kjo domethënie - nëse autori ka dashur ta nënkuptojë atë - e ka dëshmuar vetveten duke u bërë publike, dhe nëse interpretuesi arrin që këtë punë ta bëjë bindshëm, domethënia mund të bëhet e pranuar dhe e hapur për një publik shumë më të gjerë. Thjesht do të ishte vetëmohuese nëse ndonjë anëtar i po këtij publiku të thoshte se “po, po e hetoj se autori e ka menduar këtë, por ky është një mendim privat e nuk është mendim publik”…

*Ky kapitull është marrë nga libri i E. D. Hirsch, Jr. Validity in Interpretation, Yale University Press, 1967, ku pastaj kanë vazhduar ribotime të shumta të tij

Përktheu: N. Krasniqi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›