E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përditshmja e qytetarit të mirë

Kryetari i Parlamentit italian, Xhanfranko Fini, zhvilloi këtë javë një vizitë në vendin tonë. Përtej retorikës diplomatike dhe mbështetjes që normalisht një përfaqësues i qeverisë italiane do të japë për aspiratat integruese të Shqipërisë, ajo që ra në sy ishte përmendja dhe paralelisht mbështetja që ai i dha projektit të ndërtimit të centralit bërthamor në Shqipëri. Duke pasur parasysh faktin që është folur në median shqiptare, mbi mundësinë që një projekt i tillë të mos realizohet, mbështetja e mësipërme e dhënë nga Fini, që politikisht është edhe përfaqësues i industrialistëve italianë, e bën më të prekshëm këtë projekt?

Problemi i energjisë është i ndërlikuar dhe kërkon politika afatgjata dhe të menduara mirë, të cilat e kapërcejnë kontekstin e një vizite diplomatike apo të ushtrimit të qeverisjes nga një parti ose koalicion partish. Sot, kur studion politikat evropiane apo më gjerë lidhur me energjinë, bindesh se kemi hyrë në një fazë të re. Problemi energjetik nuk shtrohet si ta zëmë pesëdhjetë vite më parë. Nuk është thjesht çështje sasiore. Mbi të gjitha shikohet për t’u mbrojtur mjedisi, pra të evitohen energjitë që krijojnë ngrohjen planetare. Evropa ka projekte për t’i shkurtuar rreth 20 % këto lëndë energjetike. Po kështu, në këtë masë synohet të shkurtohen brenda disa viteve energjitë që prodhojnë gaz karbonik në atmosferë sikurse janë karburantet e automobilave. Ka projekte të rëndësishme për të prodhuar karburante nga bimët bujqësore që duhet të arrijnë deri 10 % të energjive në tërësi. Në këtë plan ka rëndësi të madhe edhe riciklimi i burimeve energjetike apo edhe kursimi i energjive. Çdo vend ka politikën e vet energjetike, tjetër e ka Franca që përdor edhe centralet bërthamore, tjetër e ka Gjermania, e cila veç të tjerave ka edhe problemin e shfrytëzimit të minierave të saj, tjetër e ka Belgjika, e cila ka pak burime ujore, e kështu me radhë. Përsa i përket vendit tonë, unë nuk jam kundër përfitimit nga burime të energjisë bërthamore, por veçse me ritmin, në kohën dhe vendin e duhur. Së pari, më duket se nuk kemi aq problem sasinë e burimeve energjetike dhe prurjet e tyre. Shqipëria ka ujë, ka pjerrtësi terreni, ka një ekonomi që nuk është e mbielektrizuar. Ne kemi probleme me rrjetin e shpërndarjes së energjisë, me administrimin financiar të saj, me marrëdhëniet midis përdoruesve që nuk paguajnë dhe ofruesve të shërbimeve. Ne nuk e kursejmë energjinë.

Bëni një provë. Shëtisni në një lagje të mirë të Tiranës dhe bëni një shëtitje kur të jeni me shërbim a për qejf në ndonjë lagje të mirë të ndonjë qyteti perëndimor. Lidhur me këto të fundit nuk e kam fjalën për qendrat e ndritshme tregtare të këtyre qyteteve. E kam fjalën për Perëndimin e thellë, atë të vërtetin. Dhomat e shtëpive në Tiranë janë ndriçuar fort, nga të katër anët, me llamba të fuqishme, ngjitur në tavan, një ndriçim hetuesie. Kurse në Perëndim ndriçimi është nga poshtë lart, i mekur, si në kishë, me kënde të pjerrëta, i butë. Edhe mjedisi është më i butë, edhe kursehet pa fund energjia. Kursejnë energjinë shtëpiake ata, kombet e pasur. Kurse ne lahemi me ujë të ngrohur me dush me korrent, ngrohemi me korrent, vendosim llambën neon sipër sobës, gatuajmë vetëm me korrent. Del fuoristrada gjigante nëpër lagjet tona dhe harxhon karburant sa një makinë ushtarake duke ndotur gjithë mjedisin. Ne kemi një sistem hidroenergjetik totalitar, kaskadues, energji që vjen kryesisht nga një rrjet hierarkik hidrocentralesh. Ndërkohë që hidrocentralet lokale mund ta zgjidhnin shumë mirë problemin.

Energjia bërthamore? Dale, shpejt është. Duhen bërë shumë hapa deri atje. Ne nuk kemi përse e lemë hapësirën shqiptare që të bëhet terreni ku të kryhen operacione ekonomike dhe industriale që nuk lejohen të kryhen në vendet e tyre nga opinionet publike perëndimore.

Duke parë “Benz”-at e pafund të stilit të vjetër në Shqipëri kisha krijuar idenë se në Gjermani ata do të ishin shumë të pranishëm. Kurse kur kam kaluar nëpër autostradat e Gjermanisë, të mirëmbajtura për mrekulli, ku goma nuk rrëshqet për kiamet, vura re se nuk kishte më nga këta “Benz”-at tanë. Kishin ikur në Lindje. “Vidhini, vetëm merrini! Ne bëjmë sikur ankohemi, ju kujtoni sikur gëzoheni”.

Ne nuk mund të mbledhim të gjitha risqet e Perëndimit, gjithë mbetjet fqinjësore, gjithë ato projekte që nuk bëhen dot atje, sepse nuk i lejon ligja ose nuk i pranon opinioni publik. Çfarë të bëjmë, vend i vogël! Edhe në tregtinë e mallrave me pakicë ndodh i njëjti fenomen. Ka ardhur koha që të jemi më të kujdesshëm në këto drejtime.

Që nga dita e fundit e bashkëbisedimit tonë, kronikat e lajmeve dhe debati politik është fokusuar tek vdekja e një prej personazheve kryesorë të lidhur me tragjedinë e Gërdecit, Kosta Trebicka. Opozita, duke përdorur këtë rast, ka shpallur se do të organizojë një protestë. Sa të mbështetur dhe të argumentuar e gjeni përdorimin politik nga ana e opozitës çështjen e vdekjes së Trebickës dhe të vetë Gërdecit?

Unë e mirëkuptoj çdo veprimtari demokratike të opozitës. Edhe protestat sa kohë që ato e gjallërojnë qytetarin dhe e bëjnë të marrë pjesë në politikë. Aq më shumë respektoj njeriun që del në miting, në mbledhje, apo në parakalim. Është një qytetar që e kupton se jemi në një shoqëri ku projektet ballafaqohen demokratikisht në sheshet publike dhe në hapësirat e diskutimit mediatik. Qytetari shqiptar ka nevojë të zgjohet nga gjumi sepse për shkak të veprimtarisë së vakët dhe jo fort profesioniste të partive, ka rënë në gjumë, nuk interesohet sa duhet për politikën. Ndjek rrugën e vet dhe nuk përzihet me politikën duke e parë si një profesion njerëzish që nuk duan të bëjnë gjë tjetër apo kërkojnë të përfitojnë prej saj në mënyrë të padrejtë.

Ka kaq shumë gjëra për të trajtuar, për të shkuar në mbledhje, apo në mitingje sa nuk di nga ta kapësh fillin. Sa për tragjedinë e Gërdecit, për të kam folur në atë kohë ndofta më shumë se 98 % e qytetarëve të tjerë shqiptarë, ndruaj se ajo nuk është më në agjendën e opinionit publik të vendit. Mbase nuk është mirë, por e tillë paraqitet, ka dalë nga bisedat e njerëzve. As atëherë nuk ishte sa duhet. E shihja te mobilizimi për ndihmat ndaj të dëmtuarve. Mbetet tek opinioni si kujtesë kolektive disi, por nuk shoh se përbën ndonjë ndjeshmëri kolektive megjithëse është një çështje e ditës nê planin juridik. Ndërsa humbja e të ndjerit Kosta Trebicka, më ka ardhur jashtëzakonisht keq për të, sepse edhe kam njohur nga afër të afërm të tij, është ende e pazbardhur.

Kurse problemi i sigurisë në vend është shumë i gjerë e duhet ta kuptojmë si të tillë nëse dëshirojmë që qytetari masiv të sensibilizohet realisht, çka është detyra e vërtetë e politikës. Kjo realizohet vetëm nëse politika vjen tek e përditshmja e qytetarit. Hallexhiu që sheh punën e vet në një cep të shoqërisë, është ndjerë edhe ai i frustruar nga elemente të pasigurisë në vend në këto dy dekada, probleme që nuk kanë lindur as dje, as para një jave, as sot dhe nuk mund të zgjidhen as brenda një dite. Edhe ai njeriu i heshtur në punë të tij është edhe ai një qytetar i mirë, megjithëse nuk flet. Hesht. Sheh edhe hesht. Ai nuk di asnjë sekret, sikurse i qëlloi të dinte i ndjeri Kosta Trebicka, vdekja e të cilit nuk është zbardhur ende përfundimisht në rrugë ligjore. Por, e ka detyrë politika të interesohet edhe për atë qytetarin e heshtur politika. Për sigurinë e përditshme të miliona individëve dhe qindra mijë familjeve. Kryesisht për të. Përndryshe, nëse nuk shihet kështu gjerë, politika do të bëjë të ndjeshëm vetëm militantët që e përdorin politikën po aq sa përdoren prej saj. Nuk do të kemi asnjë përmirësim politik apo shoqëror të vërtetë.

Fenomeni social i sigurisë në vend për qytetarin është shumë më i gjerë. Ka pasur e ka prej kohe vjedhje, grabitje me thyerje, aksidente, vrasje, vetëvrasje, drogë, agresivitet, injorim të rregullave të sigurisë në ndërtime a prodhim, dobësi në rregullat e qarkullimit rrugor, dobësi në sistemin hospitalor dhe të urgjencës, që e bëjnë qytetarin shqiptar të rrezikuar në jetën e tij të përditshme.

Banka Botërore publikoi këtë javë një raport në të cilin Shqipëria renditej e dyta në botë në fushën e reformës fiskale. A mund të na komentoni pikat pozitive të raportit, por edhe vërejtjet e shënuara mbi çështjet e tregut të ndërtimit dhe lejeve të ndërtimit?

I kam lexuar me kujdes vlerësimet e raportit të Bankës Botërore për reformat administrative në Shqipëri në kuadrin e projektit “Të bësh biznes”. Sigurisht, aq sa munda t’i gjej si informacione dhe pata kohë t’i shoh ato. Nuk ka sesi të mos të vijë mirë që vendi radhitet në një pozicion më të përshtatshëm në rrafsh botëror dhe nga vendet reformatore renditet nga të parët për krijimin e lehtësirave për sipërmarrjen e lirë. Në fakt, gjykoj se iniciativa të tilla si unifikimi i taksave dhe ulja e numrit të tyre, vendosja e taksës së sheshtë, shkurtimi i kohës për regjistrimin e një biznesi etj., informatizimi i sistemit të vjeljes së taksave dhe i operacioneve të tjera bankare kontribuojnë në këtë drejtim. Edhe një qytetar si unë që nuk merret me biznes e ndjen këtë gjë. Ka modernizim, lehtësim. Por, të them të drejtën nuk e di ndjesinë e atyre që merren me biznes. Janë ata që e masin më saktë.

Përgjithësisht, mendoj që në këtë pikë roli i shtetit në një shoqëri tregu është shumë i ndërlikuar. Shteti duhet të luajë rolin e një rregullatori normativ të veprimtarisë së lirë ekonomike. I tillë duhet të jetë edhe nëpunësi i administratës së tij. Por, nëse nuk ekziston një model i duhur, atëherë nëpunësi dhe vetë administrata shtetërore, burokracia, pra, kthehet në të kundërt të rolit të vet. Nga një lloj rregulluesi normativ i veprimtarisë ekonomike, administrata mund të kthehet në të kundërt të rolit të vet, dhe të bëhet shkaku kryesor i pengesave që iu krijohen biznesmenëve, i ngadalësimit të procesit ekonomik dhe shoqëror, si edhe i krijimit të pabarazive dhe padrejtësive në trajtim, apo edhe në krijimin e një kaosi në marrëdhëniet midis kontraktorëve.

Nëpunësi ka prirjen për t’u kthyer nga shërbëtor i shoqërisë në zot të saj. Gjithkush në shoqërinë shqiptare e di se pozitat më të privilegjuara ekonomike i kanë ata që punojnë në hallka vendimmarrëse në administratë apo që kanë lidhje me politikën. Nuk e keni idenë se çfarë na dëgjojnë veshët nga sipërmarrës të vegjël dhe të mesëm që të tregojnë sesi kanë paguar administratorë të niveleve të ndryshme, pushtetarë lokalë apo dikasterialë për të marrë një leje biznesi, apo tjetër gjë që iu është dashur. Disa nëpunës e kanë përdorur pushtetin që duhet ta vinin në shërbim të së mirës së përgjithshme për të ushqyer interesat e tyre private.

Si mund ta luajë këtë rol të kundërt me misionin teorik të saj administrata, burokracia apo ndonjë nëpunës i veçantë? Po kjo mund të ndodhë, sepse dikush do të nxjerrë privilegje nga kompetencat e vogla administrative që ka në dorë. Do të ushtrojë presion mbi biznesin apo mbi operatorët ekonomikë me qëllim që t’iu zhvatë parà atyre. Diku gjetkë është rivaliteti i interesave, hakmarrjet e ndryshme, deri edhe në pengesat për presion politik apo edhe për korrupsion. Kam parë nëpunës që kanë bërë komedianin nëpër mbledhje për t’iu shkaktuar presione e dëme bizneseve, sepse vetë ata kanë pasur konflikte interesi në ushtrimin e detyrës. Kanë vonuar një biznes sepse kanë dashur të privilegjojnë të tjerë. Këto raste janë të shëmtuara. Ndodh ashtu sikurse thoshte Hayek që nëpunësi burokrat nis dhe e mban veten si peshorja e florinjtë që mund të zëvendësojë racionalitetin e tregut dhe të operatorëve ekonomikë në të. Kur nëpunësi hyn në detaje që nuk mund t’i njohë, nga kjo ai kthehet në një pengesë burokratike dhe shndërrohet edhe në një burim padije që bllokon aftësitë dhe energjitë e sipërmarrësve që e njohin njëqind herë më mirë se ai gjendjen. Kam parë nëpunës administrate, me një qasje krejtësisht burokratike dhe të sipërfaqshme të punës së tyre, reduktuar në një mbledhje e zbritje të thjeshtë numrash, që kanë dashur t’iu tregojnë profesorëve të universiteteve shqiptare me nga tridhjetë vjet përvojë shkencore sesi ndërtohet një shkollë e thjeshtë masteri. Pastaj normat e shumta burokratike kanë prirjen të homogjenizojnë shumë tregun në shumëllojshmërinë e vet. Çdo sipërmarrje, çdo degë, ka specifikat e saj, nuk mund të përmblidhen në një sërë normash të vdekura, të imponuara uniformisht gjithandej.

Parë kështu, jam në përkrahje të politikës qeveritare për t’i zvogëluar në kufirin e mundshëm më të vogël pengesat normative administrative që iu imponohen hyrjes së aktorëve në treg. Jam që këto kërkesa të jenë fleksibël, të mos ndikohen dot nga nëpunës të padenjë që kërkojnë të nxjerrin përfitime nga kompetencat e tyre, si edhe midis administratës dhe biznesit apo të gjithë operatorëve të ketë një dialog, një mirëkuptim reciprok dhe një përpjekje për të mos bllokuar, por për t’i zgjidhur çështjet përgjatë rrugës. Tjetër është roli i shtetit në treg dhe tjetër është inercia e padurueshme e burokracisë.

Nga ana tjetër, duhet pasur kujdes se megjithatë disa norma shteti duhet t’ia u kërkojë operatorëve në treg që t’i zbatojnë. Unë nuk jam partizan i derregullarizimit ultraliberal që është pamja tjetër e korrupsionit dhe e fatkeqësive. Sikurse thotë një fjalë e urtë franceze “Parja kallpe, e përzë paren safi”. Ndërmarrja e parregullt në pagesa, rroga, sigurime, shërbime, financa, ndodh që ta mundi ndërmarrjen e rregullt. Një lajm i pasaktë është më interesant se një lajm i saktë. Një shpifje shitet më shumë se një e vërtetë. Një universitet privat me probleme ka shanse për një kohë të gjatë të ecë më mirë se një shkollë e lartë serioze. Një servil mund të ngjitet në karrierë më shpejt ndofta se një njeri i ndershëm, jo lajkatar. Ndofta jo gjithmonë, por në shumë raste ndodh kështu.

Nuk mund të ketë biznes pa rregulla. Kur shikon sesi punohet në disa kantiere ndërtimi, pa asnjë rregull sigurie për të qenë, thua me vete: çfarë e do këtë liri? Kur sheh sesi është gjendja e pastërtisë në disa kafene dhe restorante, thua me vete se: A ka apo nuk ka inspektorë tregtie? Kur sheh se si tregtohen frutat apo zarzavatet nga tregtia ambulante buzë rrugës, mendon: si është e mundur i gjithë ky kaos? Kur sheh se blerësit e rregullt ende nuk kanë në dorë hipotekat e apartamenteve të tyre, thua: çfarë është kjo liri për këta ndërtues që bëjnë çfarë të duan me klientin? Për të mos folur pastaj për kualifikimin e punonjësve, për respektin e parimeve të ekologjisë e kështu me radhë.

Pra, gjykoj se ashtu sikurse ka thënë Banka Botërore, është shumë mirë që ecet dhe është ecur për ta ndalur hovin korruptiv të burokracisë me masa liberalizuese për biznesin. Por, nga ana tjetër duhet forcuar puna që për ato rregulla që gjykohen si të domosdoshme të mos bëhen lëshime. Sidoqoftë nuk kam asnjë hezitim për të thënë se biznesi i vogël dhe i mesëm i sotëm është shumë më i emancipuar dhe korrekt sesa ai i dhjetë viteve më parë. Ka një përparim.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›