E Diel, 1 Nëntor 2026

Në nëntor; Shtyhet furnizimi me barna i spitaleve

Spitalet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” do t’u duhet të përballojnë situatën në të cilën gjenden vetëm me anë të medikamenteve stok, pasi furnizimi me medikamente shtesë rrezikon të mos kryhen si shkak i vonesave në procedurën e prokurimeve. Drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli, ka pohuar se furnizimi me medikamente i spitaleve mund të mos kryhet brenda muajit tetor, ndërkohë që drejtoria po vazhdon të bëjë procedura të lënë pa përfunduar nga ish-drejtues të spitalit.

QSUT

Aktualisht, drejtoria e spitaleve të qendrës spitalore më të madhe në vend po merren me kryerjen e procedurave të prokurimit të periudhës mars-prill të këtij viti, kjo, pasi nuk ishte kryer në kohën e duhur.

Janë 8 procedura tenderimi për blerjen e medikamenteve, preparateve citostatike, aparatura të kardiologjisë e ndërhyrje të urgjencës, të cilat vazhdojnë të krijojnë pengesa. Sipas drejtoreshës Kuli, këto vonesa rrezikojnë seriozisht djegien e fondeve për blerjen e medikamenteve si dhe mos furnizim të QSUT-së.

“Po bëjmë një pjesë të prokurimeve që duhet të ishin kryer që në muajin mars. Kemi frikë se mos nuk do të arrijmë të realizojmë dot deri në fund të tetorit”, - u shpreh drejtoresha e QSUT-së, Gjeorgjina Kuli.

Auditi, vetëm nga MSH-ja

Kontrollet e deritanishme në QSUT janë bërë vetëm nga ana e auditit të Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që pritet të ketë këqyrje edhe nga institucione të tjera.

Auditi i Kryeministrisë si dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit do të jenë gjithashtu organe të tjera të rëndësishme që do të kontrollojnë si tenderat, ashtu edhe emërimet në administratë.

Megjithëse ishte deklaruar nga drejtorja e spitalit, Gjeorgjina Kuli, se auditi do të fillonte punën që të hënën e kaluar, nuk ka ndodhur kështu. Sipas saj, për auditin është kërkuar ndihmë përveçse nga Ministrja e Shëndetësisë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Megjithatë, ajo deklaroi se vonesa në audit nuk do të pengojë zhvillimin normal të tenderëve.

Problem vazhdon të mbetet fryrja e administratës ku, sipas Kulit, janë punësuar njerëz jashtë strukturës, një pjesë e të cilëve janë shkarkuar. Për këtë kontratat e punonjësve do të verifikohen rast pas rasti.

Specialistët

Kërkojnë hapjen e një qendre për farmakovigjilencën

Konsumi i barnave edhe pa e ditur se çfarë efektesh mund të japin ato më vonë shumë herë ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Por me hapjen e një qendre të farmakovigjilencës në vendin tonë mund të shmangen efektet anësore të çdo medikamenti. Specialistët pohojnë se krijimi i një qendre të tillë do të ndihmonte në vlerësimin dhe parandalimin e efekteve anësore dhe të gjitha problemeve të tjera që lidhen me konsumimin e barnave.

“Ngritja e një qendre të tillë ka shpenzime shumë më të vogla, krahasuar me dëmin ekonomik që sjellin barnat”, - thotë pedagogia në departamentin e Farmacisë, Edlira Neza.

Sipas saj, në Shqipëri nuk ka asnjë informacion se sa për qind e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë vjen nga barnat dhe problemet që lidhen me to (cilësia e barnave, praktika e përhapur e vetëmjekimit, e cila i hap rrugë përdorimit te tepruar dhe irracional te barnave etj). “Eksperienca botërore ka treguar se përqindja është e lartë dhe një pjesë e tyre është e parandalueshme nëse funksionon në vend një qendër farmakovigjilence”, - shton specialistja.

Duke shpjeguar se farmakovigjilenca është shumë përfshirëse, znj. Neza nënvizon se “funksionimi i mirë i saj kërkon angazhimin e disiplinave të ndryshme dhe çelësi i suksesit të saj është bashkëpunimi ndërmjet tyre”.

Shumë vende të botës kanë themeluar qendrat e tyre të farmakovigjilencës dhe kanë vendosur lidhjet për bashkëpunim me qendrat ndërkombëtare të farmakovigjilencës.

“Në fillimet e saj është e rëndësishme që një qendër e tillë të luajë rol edukues dhe trajnues për krijimin e kulturës së farmakovigjilencës”, - thotë znj. Neza.

Studimi

Dhembja e dhëmbëve, pasoja psiko-sociale

Dhimbja e dhëmbëve, qoftë edhe ajo më akute e që zgjat për një kohë të shkurtër, ndikon në jetën e fëmijëve, por dhe të familjeve të tyre, në mënyra të ndryshme.

Specialistë të Autoritetit Shëndetësor Rajonal të Tiranës dhe Shërbimit Dentar Publik kanë trajtuar në një studim të tyre dhimbjen e dhëmbëve (dhimbje trigemanale), si një përvojë e pakëndshme subjektive dhe emocionale e lidhur me dëmtim indor faktik, por dhe ndikimin e saj në jetën e përditshme të fëmijëve shqiptarë.

Studimi ka përfshirë nxënësit 10-vjeçarë të 3 shkollave në qytetin e Tiranës, që kanë pasur dhimbje dhëmbësh katër javë e fundit para kryerjes së studimit, të cilët plotësuan një pyetësor në prani të hartuesit dhe të mjekut stomatolog të shkollës përkatëse.

Nga studimi rezultoi se nga një total prej 310 nxënësish, të pranishëm në klasa në momentin e kryerjes së studimit, 31.3% e tyre kishin pasur dhimbje dhëmbësh muajin e fundit (31% djem dhe 30.8% vajza). Dhimbje të madhe kanë pasur 41% e nxënësve, kurse 11.5% dhimbje shumë ose shumë, shumë të madhe.

Dhimbja ka penguar të luajnë, të mësojnë, të hanë ose të flenë 95% të fëmijëve dhe 34.4% të tyre i ka zgjuar nga gjumi, duke zgjuar ndërkohë edhe njërin prej pjesëtarëve të familjes.

Studimi konstaton se duke qenë në pjesën më të madhe dhimbje patologjike, çdo masë parandaluese që merret kundër kariesit e ndërlikimeve të tij do t’u kursente fëmijëve një sasi të madhe dhimbjeje, e për pasojë, edhe shqetësimet e shkaktuara prej saj. Dhimbja e dhëmbëve është dhe arsyeja e paraqitjes së pacientëve në klinikën dentare, prandaj nevojitet një planifikim i drejtë i punës së mjekëve stomatologë të shkollave, për të shmangur pasojat e padëshirueshme të një pune nën stres dhe me tension të dyanshëm (mjek e pacient), thuhet në studimin e mësipërm.

ISHP-ja paralajmëron

Vaksinohuni që të shmangim epideminë gripale

Sëmundja e gripit mund të jetë shumë më e rrezikshme dhe më e ndërlikuar se vitet e kaluara. Në këtë rezultat ka arritur OBSH-ja pas shumë e shumë kërkimesh, duke paralajmëruar gjithashtu se duhen marrë masat për vaksinimin e kategorive më të rriskuara. Nga ana tjetër, ISHP-ja ka këshilluar se për të shmangur edhe vendi ynë një epidemi gripi, është mirë që të vaksinohemi me vaksinën antigrip.

Fundi i muajit shtator deri në nëntor, vlerësohet si periudha më e mirë për kryerjen e vaksinës antigrip dhe e vetmja mënyrë, që krijon uljen e qarkullimit të gripit sezonal në vend, duke shmangur një epidemi të mundshme.

Mundësia për ardhjen e një virusi gripal, që rrezikon më shumë të vegjlit dhe të moshuarit, lidhet me ndryshimin e shpejtë të temperaturave dhe hyrjen në stinën e stinës së vjeshtës.

"Fluksi i infeksioneve respiratore të rrugëve të frymëmarrjes rrezikon të shtohet ndaj nevojiten masat për të shmangur komplikacionet që sjell gripi", - tha shefi i sektorit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik (ISHP), Dritan Ulqinaku.

Gripi i zakonshëm ende nuk ka shpërthyer në Evropë, por Shqipëria si një vend i hapur, ku njerëzit qarkullojnë në të gjithë botën, mundëson importimin e virusit.

Disa farmaci kryesore në Tiranë thonë se këto ditë, kur temperaturat kanë pësuar një luhatje të menjëhershme, kërkesat për vaksinë janë rritur.

"Që tani, mjekët e familjes dhe të shëndetit publik kanë nisur sensibilizimin në popullatë për përdorimin e nevojshëm të vaksinës kundër gripit, e cila nëse merret brenda periudhës tetor-nëntor, krijon mbrojtje të mjaftueshme nga gripi", - theksoi Ulqinaku.

Pavarësisht se sëmundja infektive e gripit konsiderohet e lehtë, ajo ka kosto të lartë humane dhe ekonomike, si për qytetarin, ashtu dhe për shtetin.

Përdorimi i vaksinës antigrip është një mënyrë më efektive në plan shëndetësor dhe ekonomik, pasi një vaksinë kushton mesatarisht 7-10 dollarë. Gjatë vitit 2007, në Shqipëri u prekën nga sëmundja e gripit rreth 10 mijë persona.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›