E Diel, 1 Nëntor 2026

Eksperti amerikan: Makina nuk ka pasur defekte

Makina e Trebickës nuk ka pasur asnjë defekt teknik. Megjithëse kjo e dhënë nga eksperti amerikan së bashku me ata shqiptarë nuk është përfundimtare, dyshimet për këtë pikë janë se vdekja e Kosta Trebickës nuk ka ardhur për shkak të aksidentit automobilistik. Një gjë e tillë është pohuar dje nga burime konfidenciale nga organi i akuzës, sipas të cilave është e çuditshme që makina të këtë devijuar në atë formë nga rruga, duke qenë se nuk ka pasur asnjë problem mekanik.

Gjithashtu, burimet kanë shtuar se pas tri orësh prova të kryera me automjetin e të ndijerit në mjediset e komisariatit të Korçës, ka rezultuar se “Nisan”-i ishte i rregullt për sa i përket anës teknike dhe pjesëve xhenerike të tij. Po kështu, ky konkluzion i ekspertëve hedh poshtë hipotezën se makina e Trebickës është përmbysur nga problemet e sistemit të frenimit.

Mëngjesin e djeshëm eksperti amerikan, Kevin Teter, ka udhëtuar drejt Korçës për të përcaktuar përfundimisht shkaqet që çuan 50-vjeçarin Trebicka drejt vdekjes. Teter ka pasur në grupin e tij ndihmës, prokurorë të rrethit Korçë, të angazhuar në grupin e hetimit dhe vetëm një oficer të policisë gjyqësore, i cili praktikisht është i vetmi person i angazhuar në hetimet që do kryejë amerikani dhe që ka varësi nga policia. Sipas të dhënave, grupi hetimor, me në krye ekspertin amerikan, ka marrë gjurmët e nevojshme në automjet, kryesisht në timon, xham dhe sedile. Edhe pse ekspertiza e makinës është kryer, grupi hetimor nuk ka thënë asgjë lidhur me dilemën e madhe, nëse në makinë janë gjetur gjurmë gjaku apo jo. Këto janë nënçështjet kryesore që do ta çojnë më pas edhe në përfundimin e dinamikës së aksidentit, për të cilën amerikani Teter ka këqyrur edhe vendin e ngjarjes duke caktuar fillimisht piketat e nisjes së batimit të automjetit deri në ndalimin e saj në gjendje të ndezur. Sipas dëshmisë së policisë, thuhet se çdo akt ekspertimi nga ana e specialistit amerikan është shoqëruar me fotografime për të qenë sa më transparent rreth ngjarjes dhe që këto foto do të jenë pjesë e dosjes Trebicka. Para se Teter të fillonte ekspertizën e makinës, ka vizituar vendin e ngjarjes ku dhe ka bërë vëzhgimet e nevojshme. Eksperti i Virxhinias, i ardhur në ndihmë të prokurorisë shqiptare me kërkesën e kësaj të fundit, pritet të sqarojë pas ekzaminimit kryesor n.q.s kemi të bëjmë me një aksident të qëllimshëm apo jo të qëllimshëm.

Kush është Kevin Teter?

Kevin Teter është ekspert i Policisë së Shtetit të Virxhinias, i specializuar në fushën e ngjarjeve të kësaj natyre. Eksperti amerikan i është bashkëngjitur grupit të hetimit, duke kryer ekzaminimin e automjetit dhe ekspertizën auto-teknike te tij. Të gjitha këto të dhëna janë bërë të bërë të ditura ditën e djeshme nga Prokuroria e Përgjithshme, por që emri i specialistit nga Virxhinia nuk figuron në asnjë faqe të internetit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›