Ja si do të kryhen kontrollet në qarqe
Drejtuesit e Policisë së Shtetit tregojnë se është planifikuar edhe metoda e kontrollit që aktualisht ka filluar të zbatohet. Kështu, grupi i punës do të takohet me drejtuesit e strukturave të policisë vendore, ku do të bëhet prezantimi i punës së bërë deri tani nga ana e tyre, vështirësitë dhe problemet që kanë dalë. Gjithashtu do të kryhet kontroll i dokumentacionit të përgatitur për planifikimin, organizimin, kontrollin dhe drejtimin e shërbimeve. Nuk do të mungojnë as kontrollet e grafikëve dhe librave të shërbimit, si dhe do të kryhen sondazhe për zbatimin e grafikut të shërbimit sipas planifikimit. Në përfundim të këtyre kontrolleve do të kryhet edhe njohja e drejtuesve të strukturave të policisë vendore në lidhje me problemet e konstatuara dhe dhënia e detyrave shtesë. Pas kaq kohe, policia arriti të rregullojë problemin e 40 orëve të punës në javë, pasi deri para një muaji, punonjësit e policisë të karakterit operacional punonin 48 orë në javë. Shumë struktura të policisë vendore shfaqën probleme se nuk kishin numrin e duhur të efektivëve për të mbuluar gjithë problemet sipas grafikut të ri, megjithatë një mënyrë u arrit, pavarësisht se ende po punohet për perfeksionimin e saj.