E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pickon gjarpri duke luajtur në oborr, vdes 6-vjeçarja

ELBASAN Ka qenë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, por e kafshon për vdekje një nepërkë dhe gjen vdekjen brenda pak çastesh një 6- vjeçare. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Hajdaran, 3 km larg Elbasanit. E mitura, Iva Xhaka, humbi jetën dje në spitalin kirurgjik të Elbasanit, me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor. Askush nuk e ka kuptuar që vogëlushja ka qenë e kafshuar nga gjarpri. Sipas familjarëve, ajo ka qenë duke luajtur në oborr, në orët e mbrëmjes, kur befas ka rënë pa ndjenja në tokë. Familjarët e kanë dërguar menjëherë në spitalin e Elbasanit, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve ajo ka humbur jetën. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 6-vjeçarja është kafshuar nga një nepërkë e cila i ka injektuar helmin vdekjeprurës ndërsa ajo mund ta ketë shkelur pa dashje me këmbë. E mitura ndoshta ka menduar se mund t’i ketë hyrë ndonjë gjemb në këmbë dhe nuk ka njoftuar familjarët. Por helmi ka përparuar shpejt dhe vetëm kur ka kaluar në gjak e në zemër, atëherë ajo ka humbur ndjenjat.

Helmimet nga gjarpërinjtë janë kthyer frikshëm në Elbasan. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër vogëlushe humbi jetën ndërsa u kafshua nga një nepërkë kur po luante në parkun Rinia. Ndërkohë, sipas statistikave të spitalit kirurgjik, rezulton se vetëm gjatë një muaji në spital janë paraqitur 15 shtetas të kafshuar nga gjarpërinjtë. Stina e nxehtë ka bërë që ata të afrohen pranë zonave të banuara ku ka ujë. Por e veçanta për këtë vit është se nepërkat po futen nëpër shtëpi, madje edhe në qytet. F.S.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›