E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e mashtrimit, dy kosovarët i dorëzohen gjyqit

Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli akuzohen nga prokuroria se përmes një skeme mashtruese kanë mundur të transferojnë në Qipro 1.3 mln euro. Gjykatat vendosën gjykimin në gjendje të lirë

Tiranë Dy shtetas kosovarë të akuzuar për mashtrim me pasoja të rënda kanë përfunduar ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, edhe pse ndodhen në gjendje të lirë. Task Forca në Prokurorinë e Tiranës ka përfunduar hetimet për dy shtetasit kosovarë, Valon Kyçyku, 35 vjeç me banim në Prizren dhe Burim Haxhiolli, 31 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë. Të dy këta persona akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë mashtruar qindra qytetarë shqiptarë, duke u paraqitur si përfaqësues të dy shoqërive tregtare me seli në Maqedoni. Kyçyku dhe Haxhiolli, sipas hetimeve të prokurorisë organizonin trajnime biznesi me persona të ndryshëm në kryeqytet në këmbim të shumës prej 2300 euro prej secilit. Sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë së Tiranës, rezulton se Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin viktimave të mashtrimit të tyre të paguanin nga 2 290 euro për t’u anëtarësuar në këtë shoqëri, me premtimin se do të pasuroheshin vetëm nëpërmjet rekrutimit të tre qytetarëve të tjerë nga secili prej tyre. Ky aktivitet, sipas akuzës, kryhej nën petkun e një aktiviteti tregtar të paligjshëm, pasi paraqiteshin si përfaqësues të shoqërive “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection” me Seli në Shkup, Maqedoni. Rastet e denoncuara në polici dhe prokurori deri tani janë rreth 250 qytetarë të mashtruar, të cilët kanë deklaruar se kanë qenë dy shtetasit kosovarë ata që merrnin paratë, duke premtuar se përveç shumës prej 2 290 eurove që do të paguanin, do të shpërbleheshin nëse sillnin edhe tre persona të tjerë në trajnimet që kryheshin në lokale e hotele të njohura në kryeqytet. Ky aktivitet, sipas prokurorisë, u ka siguruar fitime të majme dy kosovarëve, që tashmë janë në gjendje të lirë. Nga verifikimet që organi i akuzës ka kryer në bashkëpunim me njësinë e inteligjencës financiare, rezulton se në llogaritë bankare të dy kosovarëve ishin depozituar 300 mijë euro. Por kjo shifër është e “papërfillshme” po të krahasohet me shumën e të hollave që dy të pandehurit kanë transferuar në Qipro, për t’iu shmangur viktimave të skemës së tyre piramidale që funksiononte prej disa kohësh në kryeqytet. Sipas prokurorisë, dy të pandehurit kanë transferuar në bankat e Qipros shumën prej 1 milion e 350 mijë euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria e mashtrimit. Por pavarësisht kësaj skeme mashtrimi, që ka dëmtuar më shumë se 250 qytetarë shqiptarë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, njëra pas tjetrës kanë vendosur të lirojnë dy kosovarët e akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash. Më 13 korrik të vitit të shkuar Gjykata e Lartë la të lirë Valon Kyçykun, duke rrëzuar kështu masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga shkalla e parë dhe të miratuar nga Apeli. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›