Vdes një në aksident, plagosen 4 të tjerë
SHKODËR Një person ka gjetur vdekjen dhe katër të tjerë janë plagosur, si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në aksin rrugor Qafë Mali – Tropojë. Në vendin e quajtur Përroi i Arrëzit, në segmentin Arrs – Milisk, një mjet fuoristradë Land Rover, me targa të huaja 75YËY, ka dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 7 m poshtë. Si pasojë ka gjetur vdekjen 50-vjeçari Vehbi Hazizi Mustafaj, pasagjer, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i mjetit Selami Ymeraj dhe tre pasagjerë të tjerë N.Ymeraj, E.Ymeraj, dhe K.Çekalli, të cilët janë dërguar menjëherë në drejtim të spitalit. Sipas policisë, shkaku i aksidentit mendohet të jetë pakujdesia e drejtuesit të mjetit që ka sjellë dhe humbjen e kontrollit të tij. Mësohet se personat që ndodheshin në mjet kanë qenë duke shkuar drejt Valbonës, për të kaluar fundjavën atje. D.K.